Nga Mihal Hanxhari
Ishte vapë. Në shtëpinë time të gjithë kishin rënë të pushonin; veç unë i shtrirë në një rrogoz, me duar prapa kokës vështroja qiellin; shihja retë e bardha që dilnin nga kreshta e Dajtit, në forma fantastike.
Sa figura shquaja në ato re! Fantazia ime me krahë të bardhë më fluturonte në ato shtëllunga rresh të cilat më mbështillnin në mjegullën e tyre.
Një figurë pastaj më doli parasysh mes reve. Një fytyrë e madhe prej burri, me flokë të gjata, me mjekrrën e bardhë valë, valë, me një vështrim që përfshinte të gjithë dheun. Një fytyrë madhështore.
Diçka më tha se ishte fytyra e Zotit! E pashë atë fytyrë për një kohë të gjatë me respekt të madh me një kënaqësi në shpirt, të cilën sot nuk di ta shpjegoj.
I pushtuar nga sa shikonja desha të thirrja dikë, t’i tregoja me gisht Zotin, por ajo fytyrë u zmadhua, pastaj mjekra, si vala e bardhë e detit, pushtoi dalëngadalë gjithë qiellin, që shihnja unë, e pastaj asnjë shenjë nuk mbeti prej asaj fytyre.
Por unë kujtonja se kisha parë me të vërtetë Zotin, veç kurrë njeriu s’ia thashë, se e dija se s’do më besonte kush. E kujtoja se përsëri ndonjë mbasdite vere, kur të gjithë flenë në shtëpinë time, do të shihnja prapë atë fytyrë në bardhësinë e reve, duke dalë nga Dajti në kreshtën e vet mavi.
Por s’e pashë më kurrë.
Isha gjashtë-shtatë vjeç atëhere…
*Titulli i origjinalit: “Kur të gjithë flenë”
(Shkëputur nga libri ‘Duke dëgjuar heshtjen ‘ i Mihal Hanxharit )
Përgatiti: ObserverKult
Lexo edhe:
MIHAL HANXHARI: ISHA VETËM, KREJTËSISHT VETËM, ME TË…
Nuk ndahet dashuria
Nuk ndahet si kafshata e bukës
Si perëndoi dielli, qielli u zbardh si një kupolë fildishi dhe malet u fshehën nën hijet mavi të muzgut. Fshati i shtruar në fushë, po merrte bekimin e fundit të ditës që po shuhej. Ecja ngadalë i heshtur. Në shpirtin tim kishte zbritur një prehje e qetë, si qetësia që kish rënë në fushën e gjerë.
Dy malësorë që ktheheshin nga qyteti më përshëndetën:
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult