Miku im rabin Abdullah Zeneli


(Mbi librin me poezi të Abdullah Zenelit “Rabini im”)



Nga Kastriot Myftaraj

Miku im nga Prishtina Abdullah Zeneli, poet dhe dramaturg, themelues i shtëpisë botuese “Buzuku”, botuesi im i hershëm, tashmë në prag të të shtatëdhjetave nisi befas një bashkëbisedim poetik me një rabin, çka solli si krijim librin me poezi “Rabini im”, botim i “Buzuku” (2020).
Cili është rabini i Abdullah Zenelit? Një qënie imagjinare? Një krijesë e fantazisë së tij? Rabini nuk është një person real, por megjithatë ka shumë përjetim te përshkrimi i Abdullahut për rabinin, për të qenë ai thjesht trill i imagjinatës poetike. Rabini është diçka më tepër. Kam përshtypjen se nëse do të pyetej Abdullahu për rabinin nuk do të mund të jepte një përgjigje të prerë. Unë kam dy hipoteza për prejardhjen e rabinit të Abdullahut.
E para është një hipotezë psikoanalitike, sipas së cilës rabini vjen drejtpërdrejt nga arhetipi i Abdullahut. Thellë në nënvetëdijen tonë gjendet arhetipi, një strukturë psikologjike e trashëguar, e krijuar ndër breza njerëzorë që na drejton sjelljen dhe mënyrën tonë të të menduarit. Herë-herë ndodhë që arhetipi të na mbizotërojë duke u shfaqur në tërësinë e vet. Çfarë është ky arhetip rabinik i Abdullahut? A mos ndoshta të parët e Abdullahut kanë qenë ndër ndjekësit e Sabatai Zevit, rabinit të famshëm, ndjekësit e të cilit të detyruar të merrnin fenë islame në rrethanat e pushtimit osman, ruajtën megjithatë identitetin e vjetër, duke qenë kriptohebrenj? Nuk dua të them me këtë se Abdullahu nuk është shqiptar se nga këta hebrenj të konvertuar të quajtur donmë ka shumë në Ballkan, që sot janë shqiptarë, rumunë, bullgarë, serbë, grekë, turq etj. Por me një lloj ideje për të shkuarën e tyre që është diku mes vetëdijes dhe nënvetëdijes.
Tek ata jeton një rabin, i cili ndodh ndonjëherë që te ndonjë poet si Abdullahu të shfaqet më qartë në dritën e diellit, duke dalë nga zona e hijes e nënvetëdijes.
A është miku im Abdullahu një njeri i tillë i mbizotëruar befasisht nga arhetipi? Kjo është një hipotezë e imja për shpjegimin e kësaj befasie të këndshme që është libri “Rabini im”. Si për të ma mbështetur këtë Abdullahu kohët e fundit ka zgjatur mjekrën, e cila ka marrë trajtën e një mjekre rabinike. Kjo gjë më nxit që në rastin më të parë t’ i bëj dhuratë një kapele të zezë rabini, nga ato me strehë të gjerë.
Hipoteza e dytë është se rabini u përftua si personazh në mendjen e Abdullahut dhe e ka mbizotëruar atë si strukturë intelektuale. Pse u përftua rabini në mendjen e Abdullahut? Ndoshta nga dëshira për të shprehur në një mënyrë poetike kërkimin e faljes ndaj hebrenjve për atë që gjatë Luftës së Dytë Botërore disa shqiptarë të Kosovës të veshur me uniformën naziste si ushtarë të Divizionit “Skënderbeg”, e përlyen emrin e Skënderbeut duke arrestuar dhe dorëzuar te gjermanët një pjesë të hebrenjve te gjendur në Kosovë. Ndonëse është fakt historik i vërtetuar dhe i pohuar nga vetë komandanti gjerman i divizionit se pjesa më e madhe e ushtarëve shqiptarë të tij dezertuan shpejt. Ndoshta Abdullahu e krijoi rabinin nga dëshira për të shprehur mirënjohejn ndaj hebreo-amerikanëve, të cilët bënë aq shumë për çlirimin e Kosovës. Madeleine Albright, Sekretarja e Departamentit të Shtetit që bëri aq shumë për çlirimin e Kosovës saqë fushata ajrore e NATO-s kundër Serbisë u quajt “Lufta e Madeleine” është hebreje. Sekretari i Departamentit të Mbrotjes në kohën e fushatës ajrore të NATO-s kundër Serbisë, William Cohen është hebre. Komandanti i përgjithshëm i NATO-s në këtë luftë, Wesley Clark është hebre. Këshilltari Presidentit Clinton për sigurinë kombëtare, në atë kohë, një post ky me rol të madh në politikën e jashtme amerikane, Samuel (Sandy) Berger është një hebre.
Një ditë, në të ardhmen, së bashku me mikun tim Abdullah, do të vizitojmë Izraelin, posaçërisht kryeqytetin e përjetshëm hebre Jerusalemin. Izraelitët për shkaqe sigurie i kqyrin me shumë kujdes vizitorët e vendit të tyre të kërcënuar nga terroristët arabo-islamikë. Me siguri oficerët izraelitë të sigurisë do të habiten shumë me mikun tim dhe do ta pyesin atë:
“Ju zotëri pse mbani një kapele rabini kur emrin e keni musliman, Abdullah?”
Dhe miku im do t’ u përgjet si poet: “Është një histori e gjatë dhe e ndërlikuar, përgjigja është te ky libër imi me titull ‘Rabini im”.
Unë do të ndërhyj në mbështetje të mikut tim: “Ju mund t’ i bëni analizë teksti me programet e përparuara kompjuterike që ka Mossadi, të përdorni inteligjencën artificiale përveç asaj humane, të pyesni psikologët më të mirë dhe them se do të vërtetoni njërën nga dy hipotezat e mia.”
Me siguri që do të më thonë: “Ju zotëri, përgjigjuni për veten tuaj, kur t’ u pyesin.”
Dhe të pyesin me ngulm se cili është qëllimi i vizitës në Izrael. Madje shpesh ndodh më shumë të pyesin kur ikën sesa kur hyn në atë vend. Normale sepse janë vendi më i kërcënuar në botë nga terrorizmi islamik. Përgjigjia ime do të ishte:
“Kam ardhur në vendin tuaj që të zbuloj enigmën rabinike të mikut tim. Ju duket e habitshme? E pra, është mënyra ime për t’u kërkuar falje hebrenjve. Të kërkoj falje që kur u shkatërërrua Jerusalemi nga Imperia Romane në shekujt e parë dhe të dytë të të erës sonë, një pjesë e legjionarëve romanë ishin nga trojet shqiptare. Por mos prisni që nisur nga mbiemri im musliman t’ u kërkoj falje për atë që Myftiu i Madh i Jerusalemit, autoriteti më i lartë islamik pas zhdukjes së khalifit osman, e nxiti Hitlerin të bënte gjenocidin kunder hebrenjve, çka e ka thënë edhe Netanjahu, jo shumë kohë më parë. Mos prisni as që t’ u kërkoj falje luftën e islamikëve kundër Izraelit dhe terrorizmin islamik. Nuk e ndjej detyrim që t’ iu kërkoj falje për këto sepse unë i përkas një familjeje të kthyer dhunshëm në fenë islame në kohën e pushtimit osman dhe familja ime nuk e ka praktikuar fenë as në dukje pas largimit të pushtuesve osmane nga Shqipëria.”
Oficerët izraelitë të sigurisë kanë përjetuar shumë gjëra të habitshme, por vështirë se do të kenë përjetuar diçka të tillë. Unë dhe miku im nuk mërzitemi as nëse na kthejnë mbrapsht. Tekefundit kemi rabinin e Abdullait për të biseduar gjerë e gjatë për Jerusalemin./ObserverKult