Autori i veprës së famshme “Lehtësia e padurueshme e qenies”, Milan Kundera, ka vendosur të dhurojë bibliotekën dhe arkivin e tij privat, për bibliotekën e qytetit të vendlindjes së tij, Brno, në Republikën Çeke, ku ai kaloi fëmijërinë.
Sipas njoftimit nga zyra e shtypit e bibliotekës në Brno, i gjithë koleksioni i librave të Milan Kunderës do të transferohet nga Parisi, ku jeton artisti, në Republikën Çeke, kjo gjatë vjeshtës.
Shkrimtari i famshëm 91-vjeçar, dhuron gjithashtu librat e tij, të përkthyer në çekisht dhe dyzet gjuhë të tjera, si dhe artikuj të gazetave që ai shkroi, recensione dhe përmbledhje të veprës së tij, fotografi dhe vizatime.
Gjithçka do të jetë në dispozicion të publikut, kryesisht në versionin dixhital – ka deklaruar nga ana e saj, biblioteka në Brno.
Ikje nga regjimi
Milan Kundera është shkrimtari bashkohor, më i famshëm dhe më i lexuari me origjinë çeke. Ai jeton në Paris, prej vitit 1975, kur iku nga regjimi komunist i Çekosllovakisë.
Libri i tij i fundit është “Injoranca”, shkruar në frëngjisht dhe botuar në vitin 2000. Kundera jeton në izolim. Ai ka udhëtuar në Republikën Çeke për vite me radhë, por pa dhënë kurrë deklarata për gazetarët.
Krahas shkrimtarëve të tjerë të reformës komuniste, ai u përfshi në “Pranverën e Pragës” 1968, që synonte liberalizimin, çka do të ndikonte më pas në veprat e tij më të mira “Lehtësia e padurueshme e qenies” (1984). Pas pushtimit, e larguan edhe nga posti i pedagogut dhe iu ndalua të botojë çfarëdolloj vepre tjetër në Çekosllovaki. Dy librat e tij: “Jeta është diku tjetër” (1969) i cila fitoi çmimin “Prix Medicis” në Francë, dhe “Festa e lamtumirës” (1972) u botuan jashtë vendit, përpara se ai të zhvendosej në Francë në 1975.
Për krijimimtarinë e tij, ka fituar shumë çmime, veçanërisht çmimin “Jeruzalem”, me motivacionin: “puna e të cilit, shpreh më së miri dhe promovon idenë e lirisë së individit në shoqëri”, çmim ky, që thekson jo vetëm rëndësinë e veprës së Kunderës, por përfshin edhe stilin, politikën dhe në të vërtetë, shumë nga personazhet e tij. Ka marrë çmimin “Herder” dhe çmimin letrar më të lartë të Çekosllovakisë etj.
Autori i “Libri i qeshjes dhe harrimit” është kundërhelmi më i mirë për dëshirën aktuale për të rehabilituar komunizmin në Perëndim. Siç shkruan edhe autori: “Për të likuiduar popujt (…) ne fillojmë duke u hequr kujtesën. U shkatërrojmë librat, kulturën, historinë e tyre. Dhe dikush tjetër u shkruan atyre libra të tjerë…”
Aftësia e Kunderës për të gërshetuar në tregime filozofinë, historinë, ëndrrat dhe romancën, si dhe përmbajtja tejet e rrjedhshme e tyre, është dëshmi e origjinalitetit dhe talentit të tij të jashtëzakonshëm. Ka shkruar “Identiteti”, “Lehtësia e padurueshme e qenies”, “Mosdija”, “Pavdekësia”, “Shakaja”, “Testamentet e tradhtuara”, “Libri i të qeshurës dhe harresës” etj. /Konica.al