Milan Kundera: Ç’të zgjedhim? Rëndesën apo lehtësinë?

milan kundera
Milan Kundera

Milan Kundera

Barra më e rëndë na shtyp, na kërrus nën vete, na ngjesh pas tokës. Por në poezinë e dashurisë të të gjitha kohërave, gruaja dëshiron të mbajë peshën e trupit mashkullor. Pra, barra më e rëndë është njëherazi shëmbëlltyra e përmbushjes më të madhe të jetës. Sa më e rëndë të jetë barra, aq më pranë tokës është jeta jonë dhe aq më reale dhe e njëmendtë është ajo.
Përkundrazi, mungesa e plotë e barrës bën që qenia njerëzore të bëhet më e lehtë se ajri, të ngrihet fluturim, t’i largohet tokës, qenies tokësore, të jetë vetëm gjysmë e vërtetë dhe lëvizjet e saj të jenë sa të lira aq edhe të kota.

Atëherë ç’të zgjedhim? Rëndesën apo lehtësinë?

Niçja na kujton se Parmenidi ia bëri vetes këtë pyetje në shekullin VI para Jezu Krishtit. Sipas tij, universi ndahet në çifte të kundërtash: dritë-errësirë, i trashë-i hollë, i ngrohtë-i ftohtë, qenie-mosqenie. Ai mendonte se një nga polet e kundërtisë është pozitiv (drita, i ngrohtë, i hollë, qenie), tjetri negativ. Kjo ndarje në pole pozitive dhe negative mund të na duket e thjeshtë, si për fëmijë. Me përjashtim të një rasti, thotë Niçe: çfarë është pozitive, rëndesa apo lehtësia?

Parmenidi përgjigjet: E lehta është pozitive, e rënda është negative.
Kishte apo nuk kishte të drejtë ai? Kjo është çështja. Vetëm një gjë është e sigurt. Kundërtia i rëndë-i lehtë është më e mistershmja dhe më e paqarta e kundërtive.

Përktheu: Saverina Pasho

ObserverKult

————————-

Lexo edhe:

MILAN KUNDERA: ÇKA ËSHTË KAFKOLOGJIA DHE KUSH E KRIJOI?