Evokim në shtatëdhjetëvjetorin e lindjes së Sabri Hamitit
Nga Milazim KRASNIQI
Edhe pse vëllimi i soneteve të Sabri Hamitit është i pakët në krahasim me opusin e tërësishëm poetik të tij, prapë se prapë, ai vëllim paraqet një fond solid dhe që e pasuron profilin e tij prej poeti, që ka qenë dhe ka mbetur konsekuent në kërkimin e formave të larmishme të shprehjes poetike dhe të krijimit të sistemit poetik.
Sabri Hamiti gjithsesi është poet me sensibilitet postmodern, por ky sensibilitet i verifikuar në opusin poetik të tij, nuk ka shkaktuar çrregullimin e ligjërimit poetik dhe as prirjen drejt rrënimit të formave të shprehjes, sikundër kishte raste të tjera në poezinë shqipe në Kosovë. Përkundrazi, në sonetet e tij, vie në shprehje një ndjenjë më e theksuar e ligjërimit për tema dhe motive të njohura nga historia dhe mitologjia, nga përvoja personale dhe shenjat kolektive të vetëdijes, nga sfera e përjetimeve subjektive dhe e fakticiteteve sociale e politike, nga kujtimet e fëmijërisë dhe nga parashikimet e të ardhmes kombëtare, e të gjitha këto me shenja që e bëjnë mjaft komunikues atë ligjërim poetik.
“Prishtina” si metaforë postmoderne
Kjo prirje e komunikativitetit më të theksuar, legjitimohet në ciklin “Prishtina”, pra një emërtim krejt i njohur dhe që në start mundëson një përgatitje më të plotë për komunikim me lexuesin. I përfshirë në vëllimin poetik, “Leja e njohtimit 1985”, njërin nga librat qendror të poezisë së Sabri Hamitit, cikli “Prishtina”, paraqet në vete një tërësi tematike dhe motivore me vlera të pakontestueshme në planin e komunikimit dhe në planin e caqeve poetike të këtij poeti. Aktualizimi poetik i Prishtinës dhe i fatumit të saj në formën soneteve, kur të shihet në kontekstin social e politik të mesit të viteve tetëdhjetë, argumenton se Sabri Hamiti ka besim në mundësitë e shprehjes esenciale në këtë formë poetike. Pra, aktualiteti dhe emocionaliteti që bartë me vete kjo tematikë, nuk e kanë trembur autorin që të provojë artikulimin e tyre në këtë formë poetike, e cila gjithnjë mbetet sfidë për secilin poet. Mbase do theksuar këtu se prirja e Sabri Hamitit për krijimin e poezive në formë strofike, e aplikuar që nga fillimi dhe e ngritur në sistem në vëllimin “Thikë harrimi”, ka qenë një parapërgatitje e gjatë dhe e mjaftueshme për krijimin e sonetit. Natyrisht, poeti ka ruajtur edhe në këtë formë poetike disa nga idetë qenësore të poezisë së tij, që shihet edhe nga soneti “Dija”, me të cilin hap siparin e ciklit “Prishtina”. Në këtë sonet poeti bën një përshkrim të një ambienti social të ndrydhur, në të cilin jeta dhe dija mezi frymojnë.
Shenjat e kësaj jete sociale janë fëmijët-viktima, (të skicuar me një kuptim poetik të përmbysur), plaka e vetmuar, burrat që kanë lëkurën rrobë të vetme të trupit, ndërsa konteksti kohor në të cilin zhvillohet kjo jetë e ndrydhur janë mbrëmja e kotjes, mëngjesi i hutimit dhe “plafi i tymit”. Në këtë ambient ku mjerimi e këput pamjen- shikimin, ku dhembja e zemrës zmadhohet, dija njerëzore zhagitet nëpër plagët e jetës:
Në mbrëmje kotja në mëngjes hutimi
Ngrica e ditës në gji ka zjarmi
Dhe plafi i tymit mbulon si hija
Sytë e hutuar i këput mjerimi
Kur dhembja e zemrës fryhet në gji
Nëpër plagë të jetës zhagitet dija
Kjo shkallë komunikativiteti e tekstit poetik të këtij soneti, me kaq shenja të njohura të kontekstit social e personal të autorit, është dëshmi e përvojës vërtet sublimuese të autorit, e që realizohet edhe në këtë formë poetike. Si vazhdim i preokupimit me fatet e dijes në një ambient ngulfatës dhe mbytës, në sonetin “Lindja”, Sabti Hamiti aktualizon fatet e ndërlidhura të qytetit dhe të poetit, ku ky i fundit është në proces të shkrimit, i mbërthyer nga stresi krijues dhe nga frika reale. Qyteti, i emërtuar konkretisht, Prishtina, rritet mes dhembjesh të pjesëtarëve të caktuar të komunitetit ( lypësi e plaku), dhe në mes të një trysnie dramatike që bëhet mbi të nga të gjitha anët, më saktë nga nga jugu dhe nga veriu. Në këtë atmosferë të tendosur sociale, poeti nuk mund ta bëjë zap pasionin e vet të shkrimit poetik, (lapsin kryeneç), prandaj niset në aventurë të natës, si gjuetar i patrembur. Por, jeta e tij në fakt ndodh në një vetmi dhome, ku përfytet e frikën,e cila urdhëron censurën mbi mendimin, deri në fshirjen e klithmës njerëzore të poetit. Një përgjithësim të kësaj atmosfere mbytëse jetësore e fokuson në sonetin pauses, Pezmi, që me vetë titullin e deshifron një linjë të idesë poetike. Poeti skicon pamje nga më të ndryshmet që ndërlidhen për ta bërë të plotë idenë e pezmit: që nga ylli i strukur dhe dija e strukur në qoshet e errëta, pastaj ndërrimi i roleve të plakut e të fëmijës, ai çrregullim social dhe moral, e më tutje humbja e njeriut nga shtëpia- identiteti i vet. Pas një deskripcioni të alternuar ndërmjet qiellit e njeriut, poeti e fokuson në kuadrin e ligjëirmit poetik pezmin e motit dhe rezultatin e këtij pezmi, hyrjen e vjeshtës në zemrën e plasur njerëzore. Pra, edhe si mot e edhe si disponim.
Alternimin e gjendjeve sociale dhe psikike me episode të dukurive natyrore, Sabri Hamiti e ka si një kënd vëzhgimi të stërvitur poetik, gjë që shihet edhe në sonetin “Stuhia”, mbase më të veçantin në tërë ciklin “Prishtina”. Alternimi ndërmjet dukurive të jashtme (zgjimit të shtrëngatës me ardhjen e natës), dhe fillimit të dhunës ( vringëllimi i shpatës mbi trupin e njomë), krijon një kuadër plot dramaticitet të këtij rrëfimi poetik. Një përbërës shtesë për krijimin e ritmit të këtij dramaticiteti janë edhe rimat e brendshme, që kanë një denduri në këtë sonet:
Kur bie nata e zgjohet shtrëgata
E vringëllon shpata në trupin e njomë
Të shtrirë në dhomë merr udhë lëngata
Emrin e moçëm ta fshijë me gomë
Zëri hap gushën e përqaf fushën
E tremb harushën të kotur nga gjumi
Ku je goë trimi a vodhe prushën
Kur krisën eshtrat u ngri dhe lumi.
Rimat e brendshme: (vargu 1 dhe gjysmëvargu 2, vargu 2 dhe gjysmëvargu 3, vargu 5 dhe gjysmëvargu 6, bashkë me vargu 7), duke u bashkuar me rimat e rregullta në fund të vargjeve, që kësaj here kanë kombinimin: abab/cdcd/, krijojnë një tingullim që mund të sugjerojë, nëse jo stuhinë, atëherë së paku vibracione ose drithërima që depërtojnë në psikën e lexuesit si përjetim estetik i pasuruar me një orientim të projektuar nga vetë autori.
Sabri Hamiti i rikthehet, mbase për të shumtën herë, motivit të preferuar prej tij po edhe prej shumë poetëve të tjerë, nga të cilët tashmë kemi veçuar Enver Gjerqekun. Fjala është për aktin e krijimit të poezisë, në konteksitn ngulfatës social dhe shpirtëror. Opozicioni ndërmjet letrës, (e metaforizuar bukur si shkretëtirë e bardhë) dhe trupit e mendjes së poetit, ka si shkaktar shikimet e fshehta të dhunës e të cenzurës, të cilat e mbysin zërin që duhej të lindte që në muzgun e parë. Më tej poeti skicon këtë gjendje në përmasën e absurdit: ngrica i dhuron poetit pak diell, që ai ta mund acarin! Mirëpo, rendi gjërave shkon duke u rrënuar edhe më shumë në këtë opozicion dramatik, kur shpiritn e poetit e përfshinë shtrëngata, si pasojë e trysnisë dhe e çrregullimit të botës së jashtme. Jo vetëm në këtë rast, po pothuajse në të gjitha poezitë me këtë motiv, Sabri Hamiti e adreson çrregullimin tek faktorët e jashtëm, për ndryshim nga poetë të tjerë si Beqir Musliu, Musa Ramadani, Teki Dërvishi, Rrahman Dedaj, që e shohin dhe e adresojnë atë çrregullim të lidhur me botën emocionale.
Hulumtimi i identitetit në fushën e dijes
Sabri Hamiti teston aftësitë poetike të tij në formën e sonetit edhe në disa tematika më pak lirike, por që lidhen me konceptin fillestar të dijes dhe të fateve njerëzore, që përmend në fillim, kur u analizua soneti “Dija”. Në sonetet “Gjeografi”, “Histori” dhe “Biologji”, poeti e zgjeron tematikën në vlerësimin e këtyre tri fushave të dijes, në ndërlidhje me fatet e kolektivitetit. Në sonetin “Biologji”, Sabri Hamiti aplikon një ritëm që është i afët me ritmin e gjëegjëzës shqiptare, duke e sugjeruar një enigmë të jetës dhe zgjidhjen e saj:
Lulja vdiq e u bë mollë
Molla vdiq e u bë farë
Fara vdiq e u bë bimë
Na qenka kjo jetë e lirë
Bima u bë lis i hollë
Lisi u bë hije në arë
Ara këngë për një stinë
Jeta do dhe hapësirë
Skema e transformimit: lulja/mollë, molla/farë, fara/bimë/, bima/lis/, lisi/hije(në arë), / ara/këngë/, rezulton me zbulimin se jeta e kërkon një hapësirë, mbase më të gjerë e më domethënëse se një transformim i thjeshtë biologjik. Kjo ide e tranformimeve, e rilindjes ose e përtëritjes së jetës në forma, është mishëruar në një ligjërim efektiv poetik, i cili duke iu afruar logjikës së gjëegjëzës, krijon një çark edhe më intensiv të komunikimit e të përjetimit estetik. Prapë, Sabri Hamiti e afirmon peizazhin konkret të ambientit social, (Lisi u bë hije në arë), dhe e ndërlidh me nevojën që jeta të fitojë frymëmarrje – hapësirë më të gjerë. Duke e zhvilluar idenë e tij të transformimit drejt një humanitetit që merr kuptim, Sabri Hamiti e qerthullon veçmas në tercetën e fundit këtë transfromim, në idenë e votrës dhe të lindjes së fëmijëve, si përtëritje e si ballafaqim i mbijetësës njerëzore me vdekjen, sepse koha i rrëzon edhe lisat, pra edhe paraardhësit:
Koha do dhëmb dukati
Mollë të kuqe çdo verë
Lisat i rrëzon me stuhi
Votra do një prush fëmijë
Kur vdekja troket në derë
Të shohin sa është sahati
Në ciklin “Lulet e egra” të vëllimit poetik “Kaosmos”, Sabri Hamiti i rikthehet edhe një herë, me insisitmin e tij të njohur, drejt krijimit të një sistemi, formës së sonetit, duke e krijuar edhe një tërës poetike në këtë formë. Kësaj radhe ai e ka zgjeruar tematikën dhe ka bërë një testim të ri të mundësive të veta të projeksioneve poetike edhe në këtë formë.
Poeti dhe realiteti, durimi i dhunshëm
Rikthimi në temën e raportit ndërmjet poetit më saktë artistit dhe realitetit social, është materializuar në sonetin “Artistët”, i cili vetë titullin e zbulon tematikën e vet. Pas një ekspozicioni që tërheqë disa fije nga raporti ndërmjet frikës (e cila në poezinë e këtij poeti gjithnjë e ka burimin te një shkak real, e jo te shkaqe psikike, që është dukuri te disa poetë të tjerë si Beqir Musliu e Teki Dërvishi) dhe jetës, autori e skicon një gjendje të dominuar nga frika, ku artistët shenjohen si hajna që duan të kapërcejnë të pavërejtur nga një gjendje e vështirësive, në një gjendje tjetër, më të mirë. Mandej poeti e bën një specifikim të kësaj ekzistencë në ambient frike:
Artistët e rryer e lyejnë fytyrën
Nëpër teh thike e lypin shpëtimin
Në fije peri e mbajnë drejtpeshimin
Me heshtje heshtjes ia qesin yndyrën
Kjo mundje e heshtjes me heshtje, ose ky durim i dhunshëm i artistëve, nuk e ka burimin në natyrën e profesionit të tyre, po të përvojës që e kanë njohur ose edhe e kanë parë. Ai që ka bërë përpjekje të thyejë rregullin, i cilësuar si kaskaderi, është vrarë në humnerë. Prandaj, heshtja, mbajtja e drejtpeshimit në fije peri, ruajtja e paqes me kërcitje dhëmbësh, janë të imponuara nga përvoja e dhunës që mbretëron në jetën reale. Ndërsa, në rastet kur nuk ndodh shmangia nga ballafaqimi me të keqen, atëherë ndodh edhe viktimizimi i kujtdo që ka sfiduar gjendjen, gjë që poeti e ka tematizuar në sonetin me titull “Kaskaderi”. Ky sonet duket të ketë një relacion me sonetin “Artistët”, sepse e zbulon më qartë fatin e atij që thyen konvencën, rregullin e imponuar. Duke sfiduar kohën e keqe dhe rreziqet, kaskaderi pashmangshëm ballafaqohet me fatkeqësinë, ku jeta e tradhton dhe shuhet. Po çka ngelet pas saj? Ngelet ideja se ai ishte i madh e i fortë sa ishte i gjallë, por meqë i mungonte mençuria, jeta e mposhti me ashpërsinë e saj dhe e shndërroi në harrim. Po në këtë linjë tematike dhe ideore janë edhe sonetet “Harrnuesit”, “Njeriu pa biogafi” dhe “Plaku dhe lulet”. (…)
Mund të konkludojmë se sonetet e Sabri Hamitit kanë larmi tematike, me të cilën konfirmohet angazhimi intelektual i tij për hulumtimin e raporteve ndërmjet individit e shoqërisë, ndërmjet dhunës e frikës, ndërmjet lirisë e jolirisë, ndërmjet fatit e fatkeqësisë, ndërmjet jetës e vdekjes. Po ashtu, poeti ka një arsenal larmish metrike që e ka krijuar në sonetet e tij, dhe një kombinim të elementeve metrikë e ritmikë, që e bëjnë tekstin poetik më dinamik e më mbresëlënës. “Metri si organizim i tekstit konkret është në lidhje me tërësinë gjuhësore-semantike. Në këtë rast, metri nuk është shenjë, por mjet me të cilin ndërtohet shenja. Ai e “prêt” tekstin dhe merr pjesë në formësimin e opozicioneve semantike” . Ky kualifikim teorik i Llotmanit, është shumë adekuat me funksionin që ka metri në sonetet e Sabri Hamitit.
*Fragment nga studimi „Soneti në poezinë shqipe“, fusnotat janë hequr.
ObserverKult