Ali Podrimja: Si kishte shpëtuar kokën, Dritëro Agolli, pas botimit satirik “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo“?

Nga: Ali Podrimja

Në letrat shqipe Dritëro Agolli do të ketë vendin e vet edhe në të ardhmen. Për politikën disa herë është deklaruar se atë nuk e njeh, por e thotë nga zemra, prandaj ai na duket shpesh njeri ekcesiv.

Nuk pranon copëzimin e shpirtit se e shëmtuar i duket demokracia. Shpesh kur më qet udha në Tiranë bëj një sy gjumë tek ai se nuk ma ka ëndja natën ta kaloj në vila të “hijeve”. Për këtë e dinë si demokratët ashtu edhe socialistët e konvertuar dhe të pakonvertuar.

Unë jam pakëz tradicionalist: miqtë nuk mund t’i zgjedh në bazë të bindjeve politike. Aty pranë pesëmbëdhjetëkatëshes me net kemi biseduar se shoqëria shqiptare mund ta kalojë krizën vetëm duke kultivuar shpirtin demokratik. Edhe në këtë ne shqiptarët kemi traditë. Kujtoni vitet’ 30.

Dhe kur mendoja se të nesërmen në mëngjes me Dritëron do të pimë kafe bashkë te Presidenti ynë i përbashkët, ndërronte mendimin dhe prapë ia nisnim nga fillimi. Megjithatë, mendoj se ai është demokrat. Disa vjet kishte qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, por edhe ai kishte provuar censurën: gjashtë libra iu kishin bër kartuç.

Por, ajo që më nxiste ta gërgas Dritëroin ishte: si kishte shpëtuar kokën pas botimit satirik “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo“ (1971). Njëherë më kujtohet se më pat thënë se edhe Titoja ishte njëfarë Zylo si ky i yni. Kjo nuk do koment.

Po ashtu, shumë kritikë e të huaj më kishin pyetur për fatin e Dritëros pas botimit të romanit në fjalë. Kjo bisedë do të mbetet e hapur përderisa guximin tonë intelektual nuk e nderojmë pa marrë parasysh se kur u tha ai.

29 qershor 1996

*Marrë nga profili në Facebook i Elona Agollit

podrimja agolli lum lumi
Ali Podrimja dhe Dritëro Agolli

Lexo edhe:

ALI PODRIMJA: KTHEHU NË VARGUN E HOMERIT

ObserverKult