Nga Shkëlzen HALIMI
Kam parë individë duke fjetur në premiera shfaqjesh. Jam ndjerë ngushtë kur disa duartrokitnin kur ishte e nevojshme heshtja, e heshtnin kur duhej të duartrokitnin. Kam parë politikanë analfabetë, të cilëve u rezervoheshin vendet në radhët e para të sallave gjysmë të mbushura.
Kam qenë në promovime librash ku folësit kanë folur pa e lexuar librin. Kanë folur dhe as qerpiku nuk u ka lëvizur për këtë mashtrim. Sot numri i shkrimtarëve është shumë më i madh se tirazhi i librave, ndërkaq kjo tregon se as “shkrimtarët” nuk lexojnë libra. Jam trishtuar në disa raste kur në kontejnerë kam parë të hedhura, bashkë me plehrat, shumë libra shqip.
Sot, fatkeqësisht, kemi grupime të ndryshme krijuesish, grupime të mbyllura, të cilët vlerësojnë se janë pikërisht ata “vula” e kulturës sonë.
Sot, fatkeqësisht, partitë tona janë të mbushura edhe me artistë profilesh të ndryshëm, të cilët janë pajtuar që shpirtin e tyre krijues t’ia dorëzojnë shpirtit politik – djallit, duke u munduar që produktin e tyre shpirtëror ta shesin si gogla për dushk.
Kulturën tonë e sundon kaosi, klanet e ndryshme, politika e nëntokës.
Sot kultura jonë ka nevojë për një rend që do ta minimizonte shkallën e anarkisë dhe do të sundohej nga vlerat e mirëfillta, që do të shkaktonin jo vetëm kënaqësi estetike, por edhe shpirtërore dhe do ta shtronin bazamentin e sigurt dhe të fortë të identitetit tonë kulturor gjithandej ku jetojmë…/ObserverKult