Kori Siparantum, në krye me dirigjentin e njohur Memli Kelmendi me punën e mrekullueshme që po e bën po e përfaqëson vendin në mënyrën më të mirë.
Madje po i sjell edhe çmime si në rastin e fundit, ku u shpërblye me medaljen e artë në ‘Grand Prix of Nations’ në Suedi.
E për të biseduar për projektet që janë duke punuar, e planet për të ardhmen, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrulla Çeku ka takuar së fundmi dirigjentin dhe udhëheqësin e korit Memli Kelmendi, të cilin e përgëzoi për suksesin e fundit.
“Me dashurinë për muzikën, punën dhe përkushtimin e tyre kanë arritur majat më të larta në muzikën korale botërore. Kori Siparantum po i sjell vendit suksese të mëdha”, thuhet në njoftimin e MKRS-së në rrjetet sociale.
Ndryshe, MKRS-ja është mbështetësi kryesor i Korit Siparantum.
ObserverKult
Lexo edhe:
SUKSES I JASHTËZAKONSHËM/ KORI “SIPARANTUM” NGA KOSOVA FITON MEDALJEN E ARTË NË SUEDI
Kori “Siparantum” nga Kosova ka korrur një sukses të jashtëzakonshëm në Suedi, gjegjësisht në “Lojërat Evropiane të Koreve”, ku ka marrë medalje të artë në kategorinë më të lartë të garave – atë për Çmimin e Madh të Kombeve.
Kështu ka njoftuar përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. MKRS-ja ka uruar dhe u ka dëshiruar suksese pafund “Siparantum-it”.
Ky kor në garë është prezantuar me veprat shqipe “PAX” të kompozitorit, Memli Kelmendi e “Pakëz në ëndërr pakëz në zhgëndërr” të Baki Jasharit, sikurse edhe me “Te na solbici” të Samo Volk dhe “Atsalumst” të Jekabs Jancevskis.
Ndryshe, “Siparantum” ka marrë pjesë edhe më herët në të tjera aktivitete ndërkombëtare.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
PAS PAUZËS PËR SHKAK TË PANDEMISË, “SIPARANTUM” VJEN ME KONCERT TË VEÇANTË
Memli Kelmendi ka bërë të ditur se kori “Siparantum” po vjen me një koncert të veçantë. Sipas organizatorit, me këtë koncert po shënohet edhe rikthimi i këtij kori. Kjo pas një pauze për shkak të pandemisë.
Kelmendi bëri të ditur se koncerti koral do të mbahet më 10 korrik, në Kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë. Hyrja për këtë koncert është me një çmim prej 3 eurove.
ObserverKult