Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi për Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit ka uruar përkthyesit për punën e tyre.
“Sot në Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit, ditë kjo e shpallur edhe nga UNESCO uroj të gjithë përkthyesit për punën e tyre jo të lehtë, por fisnike. Përkthyesi përfaqëson një ndër shtyllat e qytetërimit, sepse përkthimi nënkupton komunikim dhe komunikimi është i pashmangshëm për shoqërinë njerëzore. Si akti i parë i qytetërimit, përkthimi duhet të ketë vëmendjen e duhur shoqërore e institucionale”, shkruhet në mesazhin e ministres Dumoshi.
Dumoshi shkruan edhe se si ministre e gëzon fakti që ka shtim të numrit të përkthimeve nga gjuha shqipe në gjuhë të tjera.
“Si ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit më gëzon fakti që kemi një shtim shumë të madh të numrit të përkthimeve të shqipes në gjuhë të tjera, një numër të madh përkthyesish dhe shtim të botimeve nga autorë të huaj përkthyer në shqip. Përkrahja ime dhe MKRS-së për të gjithë ata që merren me këtë veprimtari do të jetë e pakursyer. Vlerësoj lart punën e përkthyesve letrarë e shkencorë por edhe të përkthyesve të dokumenteve zyrtare të cilët me profesionalizëm kryejnë detyrat e tyre në institucionet e Kosovës. Dita Ndërkombëtare e Përkthimit shënohet në mbarë botën, në ditën e vdekjes së Shën Jeronimit të Stridonit, i cili kreu një përkthim të plotë të Biblës në Latinisht.
“Në përkthim, unë nuk transmetoj fjalë për fjalë, por mendoj për mendime” – pati thënë vetë Shën Jeronimi. Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Përkthyesve. Vlerësim maksimal për angazhimin e tyre që në këtë botë polifonike të kuptohemi më mirë!”, shkruan ajo.