Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale i Shqipërisë ka miratuar projektin për kryerjen e ndërhyrjeve përforcuese – restauruese në “Kalanë e Rodonit dhe në Kishën e Shën Ndojit, në Kepin e Rodonit”, monumente kulture të kategorisë I.
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, në kuadër të procesit të rindërtimit pas tërmetit të nëntorit 2019, ka hartuar një listë monumentesh me prioritet ndërhyrjeje dhe ka marrë masat për hartimin e projekteve. IKTK mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje, e cila kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.
Kisha e Shën Ndout është një ndër kishat më të dëgjuara të zonës të periudhës së Mesjetës shqiptare. Kjo edhe për shkak të ndërtimeve që bëri Skënderbeu në atë zonë të Kepit në shekullin XV, indirekt ajo quhet edhe kisha e Skënderbeut. Monumenti sot paraqet vlera si një ndërtesë që i takon arkitekturës romano-gotike e shek. XIII.
Kalaja e Skënderbeut ndodhet në pjesën verilindore të Kepit të Rodonit, ose siç e quajnë vendasit, Kepi i Muzhit, dhe vështron veç thellësisë së detit Adriatik, edhe gjirin e Patokut dhe të Shëngjinit.
Kjo kala filloi të ngrihej mbas rrethimit të parë të Krujës në vitin 1450. Përfundimi i saj mendohet të jetë bërë rreth vitit 1452. Muri i kalasë së Rodonit është ndërtuar nga mjeshtra venecianë. Ai arrinte në një gjatësi prej 400 metrash dhe në kulmet e kështjellës kishte kulla të rrumbullakëta. Si rezultat i veprimtarive erozive të ujërave të detit, një pjesë e mureve janë zhytur nën ujërat e detit Adriatik./ATSH