reklamë

“Mirazh”, poezi nga Vjollcë Berisha

Ti kishe dalë moti nga qielli i dashurisë sime
ai që ma puthte ballin qe vetëm heroi i ëndrrës së vjetër
aty ku më rrehte gjilpëra e të gjitha busullave
aty ku përthyheshin mëritë përnjë

aty ku një natë thërmova kockat e kafkës
ndeshur me mermerin e ftohtë të brinjëve tua.

Tani jam këmbëzbathur në acarin e ditëve
me iluzionin se ti rri shtrirë në pragun e ditëve të mia
dhe bllokon hyrjet për ata që s’kanë gjetur
ende një shtëpi të ngrohtë.

Bien zilet
nuk dal te dera të shoh mos po vjen kush
është jehona e daulleve, zilkave, borive
të festivaleve ku të shpunë dallditë.

Tani trupa është larguar
valltaret e zeshkëta me xhingla-mingla stolisur
kanë marrë rrugë

veç shpina jote shihet e vetmuar
me vrull të rremë,
veç shpina jote furacake rreket këtej
Si një baticë që u përket të tjera brigjeve.

ObserverKult


Lexo edhe:

Cikël poetik nga Vjollcë Berisha: Lermë të të dashuroj si dua…