Recension për romanin “Misioni rus”, të shkrimtarit Ibrahim Kadriu
Nga Naile Demiri
“Sherif Begu kishte filluar të frikësohej, sepse bërja publike të punëve misionare të rusëve, ishte me rrezik të madh. Në një mënyrë e kishte bërë publike në Turqi, derisa i kishte treguar oficerit Irfan Dogllu në Aksaraj te parku i Murat Pashës. Por për këtë nuk dëshironte të fliste përpara vajzës dhe të shoqes.
Deri në gjysmë të natës ndenjën duke biseduar të lumtur, ndërkaq në orët e hershme të mëngjesit, kur ishin në gjumë të thellë, shtëpinë e tyre e kaploi një zjarr i përnjëhershëm dhe, për pak kohë, çdo gjë u shndërrua në tym e flakë. Të parët që arritën te shtëpia e djegur ishin xhandarët dhe ushtarët serb. Aty ishin edhe Valentin Sergejeviçi dhe Rusllan Nikollai. Ky i fundit i tha Valentin Sergejeviçit:
– Më duhet të largohem. Raportin për gjendjen në Kosovë ende nuk e kam përfunduar”, shkruan Ibrahim Kadriu në romanin “Misioni rus”.
Nuk dihet, a do të gjen fati i njëjtë edhe shkrimtarin, autorin e romanit në fjalë, Ibrahim Kadriun, apo do të ndiqet në pafundësi, deri në piedestal, nga misionarët rus, për të vërë atë në akuzë, që bëri publikim botëror për misionarë rus, që operuan dje, operojnë sot e do të operojnë edhe nesër misione djallëzore në vendbanimet shqiptare.
E dij se nuk mund të likuidohet, ngase tani e mbron shteti i tij, por së paku mund ta ketë fatin e Salaman Ruzhdi, shkrimtar me origjinë indiane-britaneze, autor i romanit “Vargjet Satanike”, romani i katër i tij, botuar më 1988 në Penquin Books, që iranianët, për ditë e më tepër rrisin çmimin për individ ato grupe njerëzish të cilat mund ta sjellin Ruzhdi në gjykatore.
Romani “Misioni rus” botuar në Shtëpinë Botuese “Faik Konica” Prishtinë 2016, si duket, është njëri nga romanet më të mira të botuar deri më tani në letërsi shqipe. Romani është i llojit historik, por i pajisur me të gjitha karakteristikat e artit letrar që mbulojnë subjektin dhe syzheun e këtij romani. Romani është edhe më shumë se një porosi; shqiptarët duhet ta kenë çdoherë të freskët kujtesën dhe gjithnjë të kujtojnë, mirë e mirë të kujtohen kur të kenë punë në raporte me rusët… Nuk dihet edhe një shembull në histori që tregon se sa kaq shumë kohë kanë zgjatur raportet e këqija në mes të shqiptarëve e rusëve etj.
Nga ky roman lexuesi shumë më shpejt, më saktë a më plotë do të mëson për historinë e shqiptarëve dhe të Ballkanit në tërësi, gjatë kohës së luftove ballkanike dhe luftës së parë botërore se sa nga shumë tekste tjera historike.
Romani pasqyron zhvillimet e ngjarjeve që kanë ndodhur në trevat shqiptare nga viti 1912 – 1915, përkatësisht përfshinë, pushtimet e tokave shqiptare nga ushtria serbe-malazeze e ruse, ku janë angazhuar të gjitha kapacitetet ushtarake ruse; ushtarë, xhandarë, paramilitarë, grupe diversantë, priftërinjtë, mësues, akademik, madje edhe lypës e delikuent, shkurt janë angazhuar disa shtete sllave të prirë nga rusët të cilët janë përgatitur gjatë, shekuj më parë, në qendra të veçanta misionare.
Romani që lidhë një rrëfim kaq të gjerë, 28 kaptina, në 430 faqe libri, të një narratori që rrëfen herë në vetën e parë e herë në vetën e tretë, por gjithnjë i vetëdijshëm, të çlodhë gjatë leximit, ngase ecet nëpër një art që e kërkon shpirti i lexuesit. Për kundër asaj që kemi të bëjmë me ngjarje tragjike, më tragjike se ato të Trojës së Lashtë e tragjedive tjera, deri te ato të Shekspirit, lexuesi nuk do ndihet agresiv e sy dalë nga rrëfimet e trishtuara e shumë rrëqethëse të narratorit, ngase shkrimtari ka harmonizuar mendjen dhe ndjenjën, motivin dhe aksionin, pjesën me tërësinë, formën me përmbajtjen, e kështu me radhë. Personazhe Tatjana, apo Eminja, që në fillim ishte në rrugën e të keqes, kur mëson të vërtetën, ngadalë, nga-dalë kalon në rrugën e të mirës dhe nga fundi i plojës merret me shërimin e plagëve dhe krijimin e jetës së re. Brejtja e ndër-gjegjes dhe pastrimi i asaj ndërgjegje, së paku me një aksion njerëzor simbolik, së paku insiston në ngërthimin e njerëzores…
Lidhja e tërësive të romanit që realizohet përmes, më te-për se, 120 personazhe, kryesisht kryhet, përmbushet dhe përmblidhet me gjashtë – shtatë personazhe, që është rast i veçantë në romane me shtrirje kaq të gjerë edhe për kah ambienti edhe për kah thellësia gjerësia dhe gjatësia e rrëfimit. Kjo e bënë edhe të mundur që romani shumë lehtë mund të skanohet në film.
Kumanova, Shkupi, Prizreni, Shkodra, Ulqini, Vushtrria, Prishtina, e deri te Shën Petresburg, Qendra Misionare ruse e Penza, qytet i largët rus ku gjendej Seksioni i Zyrës Misionare, ndërsa Qendra shkollore, diku në pjesën malore mes Penzës dhe Vozrozhdenit, përfshin shtrirjen, ambientin ku realizohet gjenocidi ndaj shqiptarëve. Për zhdukjen e rasës shqiptare, serbët në aleancë me rusët në decenien e shtatë të shekullit XIX, kur pushtuan Sanxhakun e Nishit, një qytet i vjetër shqiptar, bënë plojë. Britma e fundit e armiqve për zhdukjen e shqiptarëve, njëherë e mirë, do mbetet periudha e komunizmit që nga Lufta e Dytë Botërore e deri me çlirimin e Kosovës, më 12 qershor 1999. Një pjesë të këtij represioni e gjenocidi të pasqyruar nga Ismail Kadare mund të lexonim në veprën e tij “Darka e Gabuar”, kur armiqtë pasi kishin vendosur pushtetin marionetë komunist të tyre në tokat shqiptare, përsëritën gjenocidin akoma më të tmerruar se atë për të cilin shkruan Trocki, për fundin e vitit 1912 në Shkup e Kumanovë, që një kaptinë e atij shkrimi është bartur në romanin “Misioni rus”…
Gjuha e përdorur në roman, stili gjithashtu, për të cilin mund të thuhet se Ibrahim Kadriu është edhe një stilist i shkëlqyer, që në fund i dha stilistikës kuptimësinë e plotë, krejt në rrafshin e të zbatuarit praktik, veçantish në romanin “Misioni rus”, e ngriti, dhe e pasuroi akoma më shumë artin letrar. Gjithashtu kuptimi leksikor i fjalëve dhe i shprehjeve , për-mbajtja kuptimore e njësive të gjuhës, semantika përgjithësisht që është zbatuar në këtë roman, është skalitur aq bukur sa që lexuesin, jo që e ngarkon, por përkundrazi e çlodh pikërisht gjatë kohës së leximit.
Romani “Misioni rus” është fitues i çmimit “Rexhai Surroi” për vitin 2016. Me rastin e promovimit, Drenusha Zajmi-Hoxha: “Përgjithësisht ky roman paraqet një pasqyrë të tekstit modern të ndeshur me narracion klasik, e që e bën të afërt, të pëlqyeshëm nga ana e lexuesit “.
Lexues të nderuar, lexues të artit letrar, art ky që fisnikëron shpirtin e mendjen e njeriut, vlerësimi për romanin mund të mos ketë nivelin që kërkon dhe reflekton vepra“ Misioni rus” por qëllimi i shkrimit për këtë roman është një njoftim shtesë se karvanit, listës të veprave letrare në letërsinë shqipe i është shtuar edhe kjo vepër me vlera më sublime të mundshme që i përkasin shqiptarisë. Biblioteka Juaj do ishte e mangët, po që se u mungon kjo vepër./ ObserverKult