Si ndikuan MI6 dhe CIA në shpërndarjen e librit të ndaluar, “Doktor Zhivago”

Dokumentet e bëra publike nga CIA tregojnë për rolin e agjencisë në shpërndarjen globale të veprës, që i dha shkrimtarit edhe çmimin Nobel për Letërsinë

Inteligjenca britanike ka luajtur një rol vital në shpërndarjen te lexuesi rus të librit të ndaluar, “Doktor Zhivago” nga Boris Pasternak. Në disa dokumente të CIA-s të bëra të njohura së fundmi thuhet se në vitin 1957, një oficer britanik arriti të fotografonte dorëshkrimin origjinal të Pasternakut. Një vit përpara kësaj, vetë autori ia besoi dorëshkrimin disa kontakteve të huaja, kur u bë thuajse e qartë se vepra nuk do ta shihte dritën e botimit në ish-Bashkimin Sovjetik.

Nuk është e qartë nëse ndokush nga rrethi i ngushtë i Pasternakut ia dha dorëshkrimin inteligjencës britanike apo vetë MI6 e zotëroi pa lejen e autorit. Një dokument i CIA-s, që daton më 2 janar 1958, zbulon se MI6 i dorëzoi agjencisë amerikane një kopje të origjinalit prej 433 faqesh. Dokumenti shton se agjenti britanik, emri i të cilit është fshirë, është dakord për shfrytëzimin e kësaj vepre dhe ofron edhe asistencën e nevojshme.

Roli i CIA-s në futjen e romanit në Bashkimin Sovjetik përshkruhet në librin “Çështja Zhivago: Kremlini, CIA dhe beteja për një libër të ndaluar”, i shkruar nga gazetari i “Washingotn post”, Peter Finn, dhe akademiku Petra Couvée, një libër i cili sapo ka dalë në libraritë amerikane, ndërsa në vjeshtë do të botohet edhe në Europë. Pasi mori në dorëzim dorëshkrimin nga MI6 britanike, CIA organizoi botimin në rusisht të librit në Holandë, me ndihmën e homologëve holandezë. Libri u shpërnda në Bruksel në shtator 1958, ndërsa një vit më vonë, CIA publikoi një botim të ri.

Projekti “Zhivago” ka edhe emrin e vet të koduar në dokumentet e CIA-s, AEDINOSAUR. Ishte një nga projektet e shumta të CIA-s gjatë Lutës së Ftohtë. Agjencia bënte shpërndarjen e librave të ndaluar, gazetave dhe materialeve të tjera te intelektualët në Bashkimin Sovjetik dhe vende të tjera të Europës Lindore. Qëllimi i këtyre programeve ishte të minonte sistemin komunist sovjetik, duke stimuluar lirinë kulturore dhe intelektuale.

Siç shkruan Finn në libër, marrëdhënia e Pasternakut me partinë komuniste dhe liderët e saj ishte ambivalente. Ai shkroi poema duke thurur lavde për Stalinin dhe Leninin, por më vonë u zhgënjye pas terrorit të ushtruar në fund të viteve ‘30. Pasternak arriti t’i shpëtonte terrorit për shkak të interesit që Stalini kishte ndaj krijimtarisë së tij. Pasternak e përfundoi kryeveprën e tij pas vdekjes së Stalinit dhe libri u ndalua nga autoritetet shtetërore për shkak të “mospranimit të revolucionit socialist”. Në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë, e kuptuan menjëherë rëndësinë e kësaj vepre. Ishte arma kulturore perfekte.

Ngjarjet e librit zhvillohet pas revolucionit rus. Heroi i romanit, doktori – poet Juri Zhivago, e humbet entuziazmin për bolshevizmin. Ai arratiset me të dashurën e tij, gruan e një revolucionari – Lara – por më vonë kthehet sërish në Moskë, ku edhe vdes. Në një dokument sekret, John Maury, shef divizioni në CIA, shkruan: “Mesazhi njerëzor i Pasternakut se çdo njeri është i lirë të zgjedhë jetën që do të bëjë dhe meriton respekt si qenie njerëzore, pavarësisht lidhjeve dhe kontributit ndaj shtetit, përbën një sfidë ndaj sistemit komunist. Në asnjë moment, autori nuk bën thirrje për revoltë, por herezia që predikon personazhi kryesor – pasiviteti politik – është fondamentale.”

Sipas dokumenteve të CIA-s, “Doktor Zhivago” ka vlerë të qartë propagande jo vetëm për shkak të mesazhit që përcjell, por edhe për shkak të rrethanave të publikimit të tij. Fakti që shkrimtari më i madh rus i momentit ndalohej në vendin e vet do t’i shtynte rusët të mendonin se çfarë nuk shkonte me qeverisë e tyre. Pas botimit të librit në Itali, agjencitë britanike dhe amerikane ranë dakord që libri duhej të botohej me tirazh maksimal. Dokumentet e bëra publike nga CIA tregojnë për rolin e agjencisë në shpërndarjen globale të veprës, që i dha shkrimtarit edhe çmimin Nobel për Letërsinë. Fatkeqësisht, Pasternak u detyrua ta refuzonte çmimin, pas një fushate të madhe kundër tij nga qeveria, e mbështetur edhe nga kolegë shkrimtarë.

Diktatorët më të çmendur në botë, Enver Hoxha në vend të tretë

Ne Youtube ka marrë shume vizita një klasifikim i diktatorëve të të gjitha kohërave. Klasifikimi është bërë nga një televizion britanik i cili ka përmbledhur diktatorët më të çuditshëm në botë.

Kriter për këtë vlerësim, janë veprat e tyre të çuditshme që kanë kryer gjatë jetës së tyre. Vendin e tretë në këtë klasifikim e zë Enver Hoxha ish diktatori ynë komunist.

Sipas tyre, veprimi më i çmendur i tij është ndërtimi i 750 mijë bunkerëve, ndërkohë që popullsia ishte vetëm 3 milionë banorë. Edhe pas kaq kohësh, Enver Hoxha vazhdon të bëj të flas për veten, me çmenduritë e tij që i kushtuan jo pak popullit shqiptar./bota.al