Në mitologjinë kelte dhe në veprat e shumta letrare, por jo vetëm, Merlini është një nga protagonistët kyesorë. Disa të dhëna dëshmojnë se një pjesë e legjendës së Merlinit është e vërtetë, legjendë e cila mbërriti deri te ne e transformuar nga imagjinata popullore.
Merlini është magjistari më i famshëm në histori. Deri më tani, mbetet mister nëse ekzistonte apo jo Merlini, edhe pse emrin e tij e gjejmë në tekste të shumta letrare, po edhe në vepra historike. Sipas studiuesve, që i janë përkushtuar kësaj teme, ka gjasa që ekzistenca e Merlinit është më e mundshme se ajo e mbretit Artur. Ekzistonte apo jo, ai është protagonist i legjendave të panumërta, çka e bën të vështirë rindërtimin me vërtetësi të historisë së tij. Përpos gjithçkaje, kemi të bëjmë me një personazh përrallor mbështjellë me një aureolë imagjinare dhe misterioze, një aureolë që përshkon shumë nga historitë dhe mitet e Anglisë mesjetare.
Nëse i referohemi historisë, ishte Lailoken, poeti që jetonte në jug të Skocisë, ai që solli emrin Merlin në traditën britanike. Më pas, Gildas Sapiens është burimi tjetër i shkëlqyer, që e thekson këtë karakter. Ai rrëfeu bëmat e Ambrosius Aurelianus, një personazh për të cilin, tha se ishte mbreti i famshëm Artur. Gildas e shoqëroi atë me personazhin e Merlinit. Pjesa dërrmuese e legjendave rreth Merlinit tregojnë se magjistari lindi i keq, i ardhur në këtë botë për të bërë keq. Gjithsesi, duke u rritur magjistrari diti t’i përdorë me mençuri fuqitë e veta, duke u bërë njeri i mençur dhe luajti rolin e këshilltarit të monarkëve. Në disa tekste thuhet se, Merlini ishte djali i një djalli ose shpirti të lig, nga i cili mbeti shtatzënë një murgeshë. Versione të tjera tregojnë se nëna e magjistarit ishte magjistarja e pyllit, apo një grua që e krijoi e vetme fëmijën. Bazuar në informacione të pakta historike, versioni më i pranuar tregon se emri i Merlinit ishte Myrddin Emrys dhe se, ishte djali i paligjshëm i njërit prej mbretërve të Britanisë, Ambrosius Aurelianus, ky i fundit njihej në histori si mbreti i famshëm Artur. Mirëpo, këto janë vetëm hamendësime, asgjë nuk është e sigurt, transmeton ‘konica.al’.
Merlini dhe mbreti Artur
Historia e mbretit Artur, personazh njëlloj enigmatik sa Merlini, është i pandashëm nga ai i magjistarit. Thuhet se mbreti Artur mundi të sundonte vetëm falë mençurisë dhe ndershmërisë së magjistarit të famshëm. Gjithçka filloi kur Mbreti i Britanisë u dashurua marrëzisht me një grua të martuar. Duke përfituar nga mungesa e burrit, që kishte shkuar në betejë, me një truk magjie të Merlinit, mbreti arriti të merrte pamjen fizike të të shoqit dhe kështu të kalonte një natë me gruan që donte. Përfundimisht, burri vdes në betejë dhe mbreti martohet me gruan. Mbreti i kishte premtuar Merlinit, se do t’i dhuronte fëmijën e që do lindte nga ky bashkim, Arturin, dhe e mbajti fjalën. Ende i ri, me ndihmën e Merlin Magjistarit, Arturi arriti të nxirrte shpatën e famshme Ekskalibur nga shkëmbi ku ishte ngulur. Kështu, u bë Mbreti i Madh. Më pas, mbreti Artur themeloi Kamelotin dhe qeverisi me ndihmën e magjistrait, i cili e shoqëroi dhe e këshilloi në shumë raste.
Legjenda klasike na tregon, se Merlini u dashurua marrëzisht me një vajzë të re, kur ishte në moshë të shkuar. Ai i mësoi gjithë sekretet e magjisë, vetëm që, në këmbim, të bëhej e dashura e tij. Për të ndërtoi një pallat mbi liqen, aryse pse e quajti gruan e re Zonja e Liqenit. Me kalimin e kohës, e reja filloi të kishte frikë nga Merlini, sepse ia njihte origjinën e errët. Vetë Merlini i kishte mësuar, se si të burgoste një burrë. Zonja e Liqenit përfundoi duke e burgosur Merlinin në një kafaz qelqi, nga ku vetëm ajo mund të hynte e të dilte. Legjenda thotë se Merlini është ende në pritje që dikush ta lirojë.
Ekziston edhe versioni i historisë propozuar nga historiani John Mattews, sipas të cilit legjenda e Merlinit është frymëzuar nga Myrddin, një luftëtar skocez dhe sundues i fisit Picts. Në vitin 573, luftëtari përballoi me trimëri pushtimin e irlandezëve në një betejë të përgjakshme. Gjatë betejës, pa t’i vdisnin gjithë anëtarët e familjes. Pas kësaj ngjarjeje të trishtuar, luftëtarit i iku mendja dhe shkoi të jetonte në pyll si një vetmitar. Kishte zakone të çuditshme, prandaj e shihnin si magjistar. Të shumta janë legjendat rreth këtij fakti. Nisur nga ky version, Merlini ishte thjesht një hero fatkeq, historia e të cilit është transformuar nga imagjinata popullore.
LEXO EDHE: Misteri: Çfarë kishte në Univers, para Big Bengut?