Poeti, kritiku dhe pedagogu i letërsisë bashkëkohore Arben Prendi vjen për herë të parë me një përmbledhje me 28 tregime, të shkruara përgjatë një periudhe kohore 1993 – 2018. Ky është një botim i përgatitur nga shtëpia botuese SCHNELL. Këto tregime në mënyrë artistike komunikojnë me tema mitike, historike dhe të jetës së përditshme të shoqërisë shqiptare.
Nga Eralda Baze
Rreth vëllimit me tregime “I ra mjegulla Buenës” të Arben Prendit
Autori Arben Prendi (1971) vjen para lexuesit me përmbledhjen me tregime “I ra mjegulla Buenës” botimi më i ri Shtëpisë Botuese Schnell.
Përmbledhja përbëhet nga 28 tregime që në mënyrë artistike komunikojnë me tema mitike, historike dhe të jetës së përditshme të shoqërisë shqiptare. Pra, rezulton se autori është në një marrëdhënie të përhershme intertekstualiteti me tre shtresa të botës shqiptare që përbëjnë identitetin e qenies shqiptare: miti, historia dhe përmasa ekzistenciale. Këto shtresa janë ndërkohë shtresa magmatike të identitetit të vetë rrëfimtarit të këtyre tregimeve.
Këndvështrimi alegorik dhe simbolik i realiteteve metafizike përshkon prozat ku rrëfimi artistik thuret duke estetizuar temat e lidhura me: mjegullën e baladës së flijimit (I ra mjegulla Buenës), përrallat gojore (Kasollja në breg të lumit, Zana e vonueme), rënien e trojeve shqiptare nën pushtimet barbare (Çorodia), rënien e qytetit të Shkodrës nën pushtimin osman (Mbi rënien e kështjellës), librin e Gjon Buzukut (Libri), jetën dhe travajet e përditshme (Njollat, Kohë me shi, Dy rrëfime për vdekjen, Sagë familjare, Muri) si dhe me botën e ëndrrave dhe të pavetëdijes (Ajo që ndodh vazhdimisht, Në mënyrë të çuditshme, E padurueshme, Përndjekur nga ëndrrat, I sëmurë nga mendimet) etj.
Për tregimtarin ka rëndësi: mënyra se si rrëfehet, pra bukuria estetike dhe mjeshtëria e ndërtimit të ligjëratës së përpunuar të rrëfimit dhe jo thjesht subjekti i tregimit; trillimi artistik si një aventurë më vete, ndërthurja me realitetin metafizik. Madje përkundër “letërsisë së kujtimeve” që lëvrohet dendur sot në Shqipëri autori sikur synon rizbulojë rëndësinë primare dhe rolin magjik të trillimit në letërsi.
Është e pranishme në këto tregime fryma e tregimit të Koliqit, Kutelit, Camajt, Kadaresë etj., por edhe rrëfimit gojor, legjendës dhe përrallës shqiptare.
Përmbledhja me tregime sjell në vëmendje bukurinë artistike të tregimit, prozës së shkurtër dhe nevojën për lëvrimin e këtij lloji letrar, të munguar njëfarësoj në letërsinë bashkëkohore shqiptare. Autori shquhet për një stilizim me vetëdije artistike të gegnishtes në dobi të ligjërimit artistik, duke sjellë përmes saj atmosferën e kohës, vendit apo botës së personazheve të skicuar në tregime.
ObserverKult
Lexo edhe: