Mitrush Kuteli: Sime shoqe

kutelit
Mitrush Kuteli

Poezi nga Mitrush Kuteli

Kaq afër jemi, por kaqë larg
Të lutem mos më prit –
na ndajnë terre rreth e qark
dhe yll për mua s’ndrit.

Përse ta lidhësh fatin tënd
me një pafat si unë,
kur di se emri im u shëmb
me dhunë e me përdhunë?

Pra hidhe hapin guximtar
ndaj jetës së gëzuar.
dhe më harro këtu, në varr,
të vdekur pa mbuluar.

Se unë pres, përças po pres
një udhë fort të gjatë
dhe një të martë, në mëngjes,
do hidhem nëpër natë.

Nëpër një natë që s’ka mbarim
po qetësi për jetë:
Pushim… harrim… pushim… pushim…
në prehjen e vërtetë.

ObserverKult


Lexo edhe:

MITRUSH KUTELI: ATDHEU ËSHTË ATDHE, BILE EDHE ATËHERË KUR TË VRET

Mitrush Kuteli në letërsinë shqipe është i njohur si përkthyes, kritik letrar dhe për prozën e shkurtër, ku së bashku me Ernest Koliqin, cilësohen si themeluesit e prozës moderne shqipe.

“Profesionalizmi në letërsi, në vendin tonë është hë për hë një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur them për atë që s’di marifete e hipokrizira. Terreni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarpërinjtë. Të vrasin shokët se ju bën hije. Dhe kur u bën hije do të thotë që nuk je i zoti për letërsi…”, kështu shkruante Mitrushi në testamentin e tij.

Deri në vitet e nëntëdhjeta, vepra e tij ishte e ndaluar apo gjysmë e ndaluar dhe s’u botua e plotë. Kurse në faza të ndryshme kohe as u mësua e as u fol për të.

Në vazhdim ObserverKult ua sjellë disa thënie të tij:

Tekstin e plotë e gjeni KËTU