Buxhete të ulëta, mungesa financimi për botime e përkthime të librit albanologjik, botime pa cilësi(printi), e mungesë e shpërndarjes së librit në libraritë shqiptare e në ato të huaja. Është kjo panorama e mjerimit që shoqëron librin albanologjik në Shqipëri. Historianët e Akademisë së Studimeve Albanologjike, morën pjesë në një takim të organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit.
Drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli, tha se “po shohim mundësinë e një çmimi për albanologjinë sepse motivimi ka vlerë në çdo fushë. Do të doja që ky takim të shërbejë si dialog për problemet e librit shkencor, qoftë për përkthimin, qoftë për leximin ose për shpërndarjen”.
Në vijim, kreu i Akademisë së Studimeve Albanologjike kritikoi mediat që ftojnë profanë të historisë, mandej u ndal te problemet e shpërndarjes së librit albanologjik në Tiranë, rrethe e jashtë vendit.
“Do të doja që të shkonin të paktën dy kopje librash albanologjikë në të 60 bibliotekat kryesore në qytetet tona. Ne jemi në varësi të Ministrisë së Arsimit ndërsa bibliotekat në varësi të bashkive dhe kemi problem. Ndërkohë, mirë është që Ministria e Jashtme dhe ambasadat tonë të dhurojnë libra historikë e studimore, në vend të qeleshes që dhurojnë”, tha Marenglen Verli.
Mungesa e promovimit, leximit e vëmendjes ndaj librit studimor e albanologjik, është vetëm njëra anë. Tjetra, janë buxhetet e papërfillshme.
“Tani unë nuk i bëj dot botimet vetë. Botimi i mirë i një albumi mua më shkon 15 mln lekë (të vjetra) por 15 milionë për mua janë gjysma e buxhetit. Ndaj unë zgjedh të mos botoj libra të kushtueshëm. problemi tjetër është se ne kemi marrë shumë dokumente e kemi bërë shumë libra, por, sikur 1 në 5 ose 1 në 10 të përkthenim do ishte shumë mirë që të ishin edhe jashtë vendit”, tha Verli. Takimi u mbajt në kuadër të nëntorit, si muaji i festave historike.