Mjeshtri i instrumenteve frymore në Lezhë, Gjovalin Ndreca, u bie 7 veglave- e nisi karrierën që 12 vjeç

Gjovalin Ndreca është nga ato personazhet e rrallë në Shqipëri, i cili nisi karrierën artistike 12 vjeç dhe ka marrë 57 çmime. Me origjinë nga Puka, por që prej shumë vitesh jeton në Lezhë, është mjeshtër i 7 instrumenteve frymorë që ai i ka krijuar vetë.

I ka krijuar vetë dhe përmes tingujve luan melodi të ndryshme muzikore. Gjovalin Ndreca me orgjinë nga Puka dhe me banim në Lezhë, mund të konsiderohet mjeshtër i instrumentave frymorë. I frymëzuar nga artisti i popullit Ndue Shyti, 62-vjeçari e ka nisur rrugetimin e artistik që në moshën 12-vjeçare. Ai iu bie plot 7 veglave frymore të krijuara vetë, duke përcjell tinguj me motive folklorike.

“I thonë ata mësuesit ke instrumentist Gjovalin Ndrecën, i bie fyellit. U fut në klasë më dëgjoi, më thanë bravo të qoftë. Më kanë marrë në prova tek Pallati i Kulturës, kam dalë me sukses. Të nesërmen në koncertin e madh, më kanë futur në rrjesht me orkestrën Ndue Shiti. Nën kujdesin e artistit popullit Ndue Shiti, unë pata fatin që t’i qëndroj afër dhe mësoi këto vegla”, thotë Ndreca.     

Përgjatë karrierës së tij artistike, Gjovalin Ndreca ka marrë pjesë në dhjetra aktivitete kombëtare e ndërkombëtare dhe është vleresuar me plot 57 çmime të ndryshme.

“Unë i bie zamorës, i bie gajdes dhe krejt bilbilave i bie në të gjithë tonalitetet e notave muzikore. I krijoj vetë. Aktualisht unë përdor 7 instrumente, u bie me nota dhe i përdor sipas shkallës në të gjithë tonalitetet. Kam marrë pjesë në shumë aktivitete në Pukë dhe Lezhë. Kam marrë shumë tituj 57 dekorata, diploma kombëtare dhe ndërkombëtare i kam tek shtëpija”, shtoi ai.

Pasioni për muzikën e ka bërë që mos të ndjejë aspak lodhje, ndërsa synimi është që mjeshtërinë e tij t’ju përcjellë brezave.

“50 vjet kam në skenën shqiptare me Pukën. Kam qenë pjesëtar i Asamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Kam hapur 60 vjetorin e Festivalit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në Tiranë. Kam hapur 4 herë Miss Globin në Durrës, përfaqësova kombin shqiptar. Do e vazhdoj këtë pasion sa të jem gjallë. Do ishte mirë që brezit të ri t’ia lemë trashëgimi këto vegla muzikore”, vijoi mjeshtri i instrumenteve.

Në Lezhë kanë nisur përgatitjet për festivalin e 55 të ansamblit çiftelia i cili do të mbahet me 16 maj. Drejtori i Pallatit të Kultures “Ded Ndue Lazri” Mark Gjoka thotë se instrumentisti Gjovalin Ndreca është një prej prurjeve më të rëndësishme të këtij ansambli.

“Nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Kryetarit të Bashkisë, Pjerin Ndreu me Gjovalinin sapo kemi filluar provat për festimin e Festivalit të 55 të ansamblit çiftelia. Të një Ansmabli që është themeluar nga mjeshtrat Aleksandër Banushi, Agim Velaj, Loro Gjeçi si dhe dhjetra artistë të shquar që kanë bërë jetën e tyre duke e sjellë këtë ansambël deri në ditët tona”, tha Mark Gjoka.

Muzika folklorike është pjesë më e rëndësisishme me të cilën identifikohet me madhështi trashëgimia dhe e sotmja e kulturës tradicionale shqiptare sidomos në zonën e veriut dhe instrumentisti Gjovalin Ndreca është shembulli më i mire i ruajtjes së kësaj tradite./shqiptarja.com

LEXO EDHE: