Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka kujtuar artistin e njohur Adem Mikullovcin me rastin e përvjetorit të tij të parë të vdekjes.
“Sot u bënë një vit që shoqërisë sonë i mungon një prej figurave më të veçanta të artit dhe kulturës. Adem Mikullovci ishte një person me plot pozitivitet dhe këtë energji e përcolli te të gjithë deri në fund të jetës së tij”, ka shkruar MKRS-ja në Facebook.
Sipas kësaj ministrie kontributi që ka dhënë Mikullovci për artin dhe popullin e Kosovës do të mbetet gjithmonë në kujtesë, shkruan Klankosova.tv
“Në karrierën e tij luajti në shumë shfaqje dhe ishte regjisor i shumë filmave. Ndër filmat më të fuqishëm për nga përmbajtja dhe tema që trajtonte, është filmi ‘Një pallto për babain tim në burg’, i realizuar nën regjinë e Mikullovcit. Ky film, më mirë se çdo gjë tjetër, shpalos tmerrin që shqiptarët përjetuan nga regjimi serb. Filmi është realizuar në vitet e ’90 në mënyrë të fshehur”, ka shkruar tutje MKRS-ja.
“Përmes filmave, dramave, serialeve ai ka hedhur dritë dhe ka treguar revoltën e kundërshtimin për ngjarje të shumta në shoqërinë kosovare dhe këtë e bëri edhe më vonë me angazhimin e tij politik”, ka thënë kjo ministri.
“Veprimtaria e Adem Mikullovcit do të mbetet e pavdekshme, ndërsa do ta kujtojmë gjithmonë me shumë mall”, është shprehur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
LEXO EDHE: Një vit pa Adem Mikullovcin