Moikom Zeqo: Gjon Buzuku, sakrifica e shpëtimit

Gjon Buzuku është sakrifica e shpëtimit. Në të gjitha pikëpamjet dhe në të gjitha mundësitë e pashtershme të mbijetesës.
Shekuj më parë nga një tërmet hyjnor u ça muri i Forumit të Romës. Banorët e Romës u munduan me çdo kusht që ta mbyllnin këtë të çarë të frikshme. Hodhën në të gurë shkëmbinj por një fuqi e llahtarshme i thithte në çast. Atëherë njerëzit shkuan tek Sibila e Kumës që rronte e mbyllur brenda një shpelle të terrshme mes pishtarëve që digjeshin por nuk konsumoheshin asnjëherë. E pyetën Sibilën se si mundet të mbyllej e çara e Forumit. Sibila u përgjigj se duhej hedhur në të gjëja më e çmuar e Romës.
Atëherë njerëzit mblodhën thesaret dhe i hodhën aty, vajzat e bukura dhe virgjëresha hodhën zbukurimet e arta, pontefikët paganë hodhën skeptrat me gurë të çmuar, fitimtarët hodhën kurorat e tyre të praruara. E çara e Forumit nuk u mbyll.
Vetëm një kalorës romak, djalë i ri i quajtur Kurci siç dëshmon historiani Tit Livi e kuptoi të vërtetën. Ai u paraqit përpara të gjithëve i hipur mbi kalë, i armatosur dhe me shikimin e vetëtimtë të syve të mëdhenj dhe të kaltër si sytë e hyjnive. Gjëja më e çmuar është jeta njerëzore. Kurci mes një heshtjeje të lemeritshme dhe një adhurimi që mund të kthente në çmenduri gjithçka u hodh bashkë me kalin në të çarën fatale dhe menjëherë e çara u mbyll me një zhurmë më të madhe se të njëqind tërmeteve.
A nuk veproi kështu edhe Gjon Buzuku duke u hedhur në të çarën e shekujve dhe të gjuhës shqipe. Amen!

***

… Tha Zoti, Zoti, Buzuku im është edhe i juaji mos e harroni o të padenjë dhe të paemërt, ideja e orgazmës mendore është fillesa e shkrimit, ideja është lëvizje, shkrimi është hipnozë e fiksuar, e ngulitur, kjo palëvizmëri është e amëshuar, Buzuku na ruhet  si palëvizshmëri, vetëm si i tillë na flet, enigmatik mbas vdekjes është njëmijëfish enigmatik para vdekjes, Niçja në essenë 276 (“Përtej së keqes dhe së mirës”) thotë: në të gjithë tipat e fatkeqësive shpirtrat më primitive dhe më të pagdhëndur ndodhen në një pozitë më të mirë dhe të përshtatshme se sa të kultivuarit – të një hardhuce humbja e një gishti është e zëvendësueshme, te njeriu jo”,
Buzuku është i pazëvendësueshëm dhe i pabëshëm sërish më, Buzuku është shtrëngatë mesjetare e ngërthyer në një kristal të modernitetit të keqkuptuar dhe të keqpërdorur, Buzuku është një kalë që fluturon në ajër, bën të bjerë në det – deti i zhdukur, i humbur i Zbulesës, po nuk bjen, as nuk trokon mbi pllaja, as nuk është “underground” si lumenjtë dhe trenat e nëntokshëm, lundrimi i vërtetë i Buzukut ka vdekur, po fluturimi i tij prej ëndrre ka mbetur, funksionon si një makinë alkimiste dhe futuriste, nëse kinemaja moderne na dorëzon një farë përjetësie të rreme, spektatorët janë vampirë të qetë, Buzuku është një përjetësim e regjistruar, arkiv, Nikia e Samothrakës së gjuhës shqipe, lexuesit e tij janë gjithashtu një lloj race vampirësh, s’mbijetojnë dot pa pirë gjakun e fjalëve amtare, çdo libër i madh flet kryesisht për sensin e pafuqisë dhe të dëshpërimit që ndjejnë njerëzit kur nuk arrijnë të kontrollojnë ngjarjet, që i kontrollojnë jetët e tyre, libri i Buzukut është pikërisht i tillë, por sa e vështirë është që të kuptohet kjo gjë, plogështia dhe paburrëria na e lejojnë luksin e papërsosjes, përsosja nuk do të na lejonte të shkruanim dhe të botonim libra, Buzuku është një vegimtar mistik, një realitet shqiptar transcedental, Buzuku është Rojtari i Spermës së Shenjtë për ribërjen, plazmëmbirjen dhe univers-rritjen e librave, shekujt janë para tij si kafshët e plagosura, i ulërijnë, por nuk e kafshojnë dot, skërmiten por nuk e çjerrin.
Blake ka zbuluar se “nëse Portat e Perceptimit do të hapeshin çdo gjë do të shfaqej ashtu siç ishte, e pafund”, Buzuku është, duam s’duam, Porta e Perceptimit të Gjuhës Shqipe, Buzuku do shtonte: “njeriu i cili do të kthehet nga Portë në Mur nuk do të jetë më ai i njëjti që ka hyrë, por ndonëse do të jetë më i mençur, do të jetë më pak kryelartë, më i kënaqur nga jashtë vetes, por pa harmoni të pëlqyeshme brenda vetes, më i thjeshtë, pasi ka kuptuar se sa injorant është, më tepër i pajisur me fakte për të shpjeguar raportet që lidhin Fjalën me Sendet, do të jetë më i matur mbi misterin e pallogaritshëm që ai kërkon, duke u përpjekur më kot që ta kuptojë”, nuk dyshojmë për të përkohshmen, se jemi vetë të përkohshëm. Harresa është ndërvjedhësja dhe gishtahumbësja e Buzukut, harresa është vetë e Vonuara e Damkosur, Platoni e merr iluzionin rrëfimtar të priftërinjve të rreptë të Egjiptit për ekzistencën e Atlantidës si të vërtetë fabuleske, Buzuku nuk na jep iluzionin e librit, por vetë librin.

Floberi, kur po shkruante “Salambon”, ndenji 113 ditë pa e nxjerrë dot nga goja fjalën që do të shkruante, Buzuku improvizon me shpejtësi dhe pakujdesshëm, ai çan me shpatë, nuk limon me limë të vogël të bizhuve, Buzuku nxitohet se nuk ka kohë, vetëm kështu do ta tejkalojë kohën, Buzuku nuk e ndjek kohën, koha e ndjek Buzukun, Dielli ndërton qytete fantazmagorike në qiell, Buzuku ndërton qytetin e tij të shkrimit për pasardhësit në tokë, Buzuku është një utopi e besueshme dhe e vërtetueshme e shkrimit në botë, Buzuku është një martir i shenjtë i shkrimit ashtu si është gomari profet në Izrael, a krokodil totem hyjnor në brigjet e Nilit, Buzuku është Agimi i Librit Shqip, lindja e Diellit është gjithçka, është fillimi, është përkufizimi i kozmosit, fantazma dhe harmonia e elementeve, intriga dhe e vërteta e së ardhmes, fjala e parë dhe e fundit e territ dhe e ngazëllimit, pitagoristët hidheshin përtokë para lindjes së Diellit, po këtë gjë bënte edhe Sokrati që qe kundërshtar i pitagoristëve, popujt dhe qytetërimet jetojnë vetëm prej fjalëve të dikurshme, zhduken heroizmat e mëdha, hyjnitë hibride, njerëzit e rrallë, veprat e mahnitshme të të gjitha llojeve, por mbijetojnë fjalët e mëdha, kështu ajo që gjenia e lashtë greke ka dhënë në skulpturë dhe në arkitekturë s’është gjë tjetër veçse plastika e fjalës së tij të shkëlqyer, e Homerit dhe e Eskilit, që ishte shprehja e tij më e lartë, plastika e fjalës shqipe tek Buzuku na dëshmon artin e skulpturave dhe arkitekturave që sot nuk ruhen më, Arti Shkrimor Buzukian është një analogji e ndryshme e ikonografisë onufriane, apo e latinitetit barletian, të shkruarit te Buzuku është midis godmës dhe aventurës, është një realitet i ndërmjetëm dhe sinkron i quajtur ““ielltokë”” Buzuku është një ekstazë panteistike, Buzuku nuk është vetëm për vehten, por edhe për të tjerët.

busti i gjon buzukut

Buzuku e dinte të shkruarin shqip, të tjerët nuk e dinin, Buzuku është Prometeu me zhgunin franceskan që u dha analfabetëve shekullorë bashkëkombas, gërmat e alfabetit, çdo gërmë është pishtar rrugëhapës, diturithithës, zemra shkon mbas Diellit, mendja mbas shkrimit, trupi mbas erës, shpirti mbas pafundësisë, ashtu si klasifikimi anatomik edhe klasifikimi psikologjik mund të bëhet te fjalët, ç’rezerva psikologjike ka konservuar libri i Buzukut, ç’pandehma të pikëllimit, të shpresëtarisë dhe të gëzimit, të vajtimit dhe të proverbave të urta, një komb udhëhiqet nga të vdekurit më tepër se sa nga të gjallët, të vdekurit si Buzuku janë zotër të padiskutueshëm të të gjallëve, natyra nuk ndryshon, ndryshojnë vetëm subjektet mbi të cilët aplikohet ajo, nuk ka gjyq më shkatërrimtar se sa pluhuri i zotave të vdekur, (prandaj nuk reshti së ulurituri Niçja i çmendur), Buzuku është shën Maria që lindi Krishtin Libër të Shqipes, perandorët romakë besonin se ju bindën Fatit duke braktisur perënditë mbrojtëse të vjetra që i bënin të dështonin, për Zotin e Ri të të krishterëve, përtëritja konstandiniane me krishtërimin qe një iluzion shekujsh, si fe universale krishtërimi vetëm mund t’i shpërthente strukturat perandorake dhe pagane romake, Roma u bë kështu një mitër vigane kombesh edhe  gjuhësh, ajo që quhet krishtërimi romak është mbijetesa nga shkatërrimi i qytetërimit romak perandorak, Krishti në “Apologjinë” e Platonit është në herëshmëri i quajtur me emrin e parë Sokrat, katër ungjijtë sinoptike të Dhjatës së Re fare mirë mund të përshkruanim pasionet e Sokratit të mbiquajtur si Krisht, tragjizmi i tyre është hyjniteti i tyre, për Buzukun mund të skalitet ky epigram latin: “Hic mortui vivunt, hic muti loquuntur” (“Këtu të vdekurit jetojnë, këtu të pagojet ligjërojnë”) konceptimi teologjik është konceptimi i kishës, por jo plotësisht i Krishtit, Krishti ka predikuar në sinagogat dhe në Malin e Ullinjve, nuk tha gjë për kishat, sepse vetë Krishti qe një kryekishë e gjallë, në lumin Bunë ka pirë ujë Buzuku i etur, rrjedhin ujërat e vagëlluara, shkumat martirizuese të shekujve, ky lumë del që nga Bibla, ka çaste kur shpirtërorja shkëputet nga materialja, fryma e brendshme e librit të Buzukut shkëputet nga gërmat e tipografuara, Luteri qe nxënësi i shën Agustinit, Kalvini nxënës i Senekës, Luteri është reformator, Kalvini është një jurist i moralit, Luteri është poet, Kalvini gjykatës, Luteri i hapi rrugën Napoleonit më shumë se sa Robespierit, Kalvini po të qe në Spanjë do të qe Torkuemada i dytë, sepse në Gjenevë qe një shpërfytyrim i një Savonarola i dytë, Luteri i bën atentat Papës për të shpëtuar Krishtin, Kalvini e varros Zotin të gjallë në altar, reforma gjermane dhe zvicerane e kthen çdo individ në një gur shpirtëror të popujve – kështjella të krishtërimit, masakra e natës së shën Bartolomeut të kujton martirizimin e të krishterëve të hershëm në epokën e Dioklicianit dhe të Neronit, feja universale nuk bëhet, as nuk përcillet nga një filozof, Mark Aureli qe njeriu më i ditur i kohës, por fenë e krijoi Krishti nazaretas, feja bëhet nga hyjnorët, të magjepsurit dhe të iluminuarit me sinqeritet dhe me vizion, Sokrati bëri llogjiken, por jo mistiken, profeti Buda qe ëndërrimtar dhe poet, Krishti adhuronte qiellërisht mbi gjithçka fëmijët – lërini të mblidhen mbas meje – imitonte Krishtin dhe Naim Frashëri, te Buzuku ndihet duhma fosforeshente dhe universlindëse e Grigorit të Madh, Arnoldi i Breshias dhe Françesku i Asizit, Cvingu nga Berna është pionier i skizmës, Anton Fromani është heretik i egër, heretikët e zhvilluan besimin reformator me plebeshit, reforma qe plebeshitare në të gjitha aspektet, herezia e qyteteve që herezia zyrtare e mesjetës, reformatorët e mëdhenj të shekullit të XVI ishin në thelb mistikë të mëdhenj, kërkesa për t’u kthyer në krishtërimin origjinar, në kohërat apostolike, është dhe kërkesë e barazisë para Zotit të çdo pjesëtari të komunitetit, teokracia vertikale kthehet në një republikanizëm horizontal, ëndrrat hiliastike në kohën e  Buzukut kapërcenin caqet e krishtërimit të feudalizuar për një humanizëm të krishtërizuar, anticipimi i reformës është anticipimi i marrëdhënieve borgjeze moderne, Luteri u ngrit kundër Sodomës katolike romake, Buzuku në shqipërimin e Biblës është luteran, si katolik romak është kundër Luterit, Buzuku është Shqiptëria shpirtërore midis Skilles së Reformës dhe Karibdës së Kundërreformës.

Tomas Mynceri është bashkëkohës i Luterit dhe i Buzukut, por është një jakobin i kishës, Mynceri studioi veprat hiliastike të Joakimit të Kalabrisë, apo prijësin Niklas Shtorhu të sektit të anabaptistëve, Buzuku është përherë grishës, por edhe i zgjedhur, Buzuku e bëri kishën shkollën e parë shqipe, libri i tij i paraprin librave universitarë të shekujve të mëpasshëm, pasbuzukiane, postume, Buzuku e bëri Krishtin të flasë shqip për të krijuar botën, Noe urdhëron ndërtimin e anijes katastrofëshpëtuese në shqip, Danieli në Babiloni dhe shën Gjoni në Patmos i artikulojnë vizionet apokaliptike në shqip, Jobi e tregon historinë e tij rrënqethëse gati hamletiane, apo si të mbretit Lir në shqip, femra e bukur i thërret të dashurit me fjalë të ëmbla e i thotë ndjenjat e saj në shqip, kushdo që përplaset me të Vërtetën, rrëzohet prej saj, zemra e Buzukut është libri i syrit të tij, të ketë vdekje, por jo poshtërim, le të jesh i vogël, por jo nga të tjerët, ai që nuk merr duke qëndruar unjur nuk do të marrë as kur të jetë në këmbë, bota ka dy ditë: një për ju dhe një kundër jush, kur dita është për ju mos u ndjeni krenar, por dhe kur dita është kundër jush, durojeni, Buzuku na këndon De Profundis në katedralen e padukshme të Kujtesës… Buzuku është një qenie e Zodiakut, po që rron në tokë, nuk zvarritet, po nuk ka krahë Pegasi, Erosi dhe Engjël (që janë e njëjta gjë), në një ungjill apokrif, gnostik, Krishtit i vihet në gojë një thënie sekrete: “Kush mahnitet, do të mbretërojë”, shumë njerëz e kanë humbur dhuntinë e të mahniturit, Platoni thonte se filozofia lind nga habitja, po letërsia a nuk ngjizet nga të çuditurit (?), Buzuku është i tëri mrekulligrishës (!), Buzuku është Sancta Sanctorum,  ku shkruhet shqip, Buzuku sheh pafundësi në fletët e librit të tij, Buzukun nuk e gjen dot, nëse nuk e kërkon në shekuj, minuta e takimit me Buzukun është sa një mijëvjeçar, Buzuku është klepsidra nga rrjedh rëra e eshtrave tona të thërrmuara nga dashuria, shndërrimi i trupit material në trup shpirtëror është sekreti i Buzukut, Buzuku lindi për të na ringjallur (pa lindur ende), libri i Buzukut është libër i këngës si recitim dhe si muzikë, prandaj ritmi në të është një sintezë e poezisë me melodinë… Buzuku bën udhëtimin e tij përtej Death-line, hyn e del i gjallë nga galeria e vdekjes, të besosh nuk do të thotë të kuptosh çdo gjë, Zoti i shkrimeve është Zot i fshehur – Deus Abskonditus, Rozge Garodia thërret: na jepni shpresën e Madhe të ungjijve, që perandori Kostandin na e ka hequr, te tokëzat e rripave të të mesit të SS-ve nazistë qe skalitur: “Gott mit uns” (“Zoti është me ne”), nazistët do t’a kishin pushkatuar Buzukun, do ta kishin djegur në krematoriumet e gjëmshme, Psallmi 89: “trashëgimtarët e Davidit do të vazhdojnë në përjetësi… ashtu si Hëna në shekuj, dëshmitarë besnikë ndër qiej”, trashëgimtarët e Buzukut, do të kenë dëshmitare Hënën, madje dhe pellazgët e quajtur si “proselinoi” domethënë “parahënore”, Jezusi bashkon në vetvehte si një mozaik parafoljet profetike të Dhjatës së Vjetër, Buzuku është kështu Dhjata e Vjetër e letërsisë shqipe, të lindurit e botës së re ka për mami ungjijtë, Revolucioni Francez ështe sublimim dhe krijim i krishtërimit të hershëm, “Liri, Barazi, Vllazërim” – slogan ungjillor, interpretimet për Adventus Messiae – Ardhja e Mesisë nuk janë për Adventus Caesaris – Ardhjen e Çezari, Grigori i madh: për mua ka qenë shumë i dobishëm dyshimi i gjatë i shën Thomait se sa besimi i menjëhershëm i shën Maria Madalenës, shkenca Kristologjike vuan nga një e keqe e pashmangshme: nga hamendja psikologjike, sa pak që dimë për vetë Krishtin, pse duhet të dimë më shumë për Buzukun (?), laicizmi dhe ateizmi nuk janë e njëjta gjë, midis arkeologjisë dhe ekzegjezës është shpirti i Buzukut, për Buzukun Dei Verbum është dhe Homo Verbum, Jezusi solli krishtërimin, miti mesianik solli Jezusin, ushtrimet matematikore janë metodë për pastrimin e shpirtit, por edhe ushtrimet gramatikore të Buzukut kanë të njëjtin rezultat, nëse ne ekzistojmë për të shtunën dhe jo e shtuna për ne, atëherë Buzuku ekziston për shqiptarët dhe jo shqiptarët për Buzukun, herezitë e shekullit të Buzukut janë kriza mistike, ndërsa lexoj, jam i lexuar, thotë Roland Barti, “mos u kthe – i thërret Jezusit, Inkuizitori i Madh i Dostojevskit – mjaft më na shtye në lirinë tënde”, Buzuku është Homo Faber, lules i nevojitet ajri, ungjillit liria, është pabesueshmëria e fjalëve të ungjillit që tregon vërtetësinë e tyre, e përjetshmja është akohore, matematika dhe frymëzimet e Buzukut janë akohore, shkrimi i librit është një sacrificum intellectus për Buzukun, dija më e nderuar është ajo që e manifeston vetvehten përmes veprimit, të trurit, zemrës dhe gjymtyrëve të sejcilit, burimi i shpresës është kërkimi i ndjesës, Buzuku është muzikë universale e një organoje kishe, shën Justiniani duke lexuar “Odisenë” gjatë përshkrimit të ishullit të Alkinonit në detin Jon qante dhe thoshte se i ndjente të gjallë shpendët qiellorë që mbartnin kuptimet e gërmave të hekzametrave greke që po leòiste, shën Bernardi tundohet nga persiatje mistike kur shikonte dhe përshkruante liqenin e Lemanit në Zvicër, po Buzuku duke lexuar “Vulgatën” në latinisht të Hieronimit a nuk shihte kavaleritë kastriotase, martirizmin e shkodranëve në brigjet e liqenit, (?) te çdo krenari ka më tepër kotësi se sa dashuri, Buzuku kishte sy të gjelbër si gjethe dafine, Hipolit Teni ka thënë se fabulat e La Fontenit janë “Iliada” franceze, pse nuk qenka “Meshari i Buzukut “Iliada” shqiptare, (?), greqiciteti bizantin dhe latiniteti europerëndimor janë dy pranga ari për kulturat dhe qytetërimin, shën Katerina e Sinait mbante një kurorë trifishe, të bardhë, në shenjë butësie, të gjelbër, në shenjë mençurie, të kuqe, në shenjë të martirizimit, kjo kurorë i takon edhe Buzukut, deti nuk është vetëm ujë, para së gjithash është dritë, libri nuk është vetëm letër, para së gjithash është, dritë, ka dy lindje në Europë, njëra është lindja ballkanike, tjetra lindja budiste, lindja ballkanike është kaos i kthyer në amalgamë, Dantja nuk krijoi vetëm libra, para gjithçkaje krijoi gjuhën italiane, Buzuku ka ecur në hullinë e Dantes, Grigori i Madh e shpëtoi Romën nga murtaja dhe barbarët, Buzuku i lutet zotit ta shpëtojë Arbërinë nga barbarët dhe murtaja, në Tebë kishte një festë për miqësinë, në Rod qe festa e diellit, në Eleusa festa e Tokës, në bregliqenin e Shkodrës dhe Ulqinit duhet dekretuar Festa e “Mesharit”, në politeizmin greko-romak, ose iliro-thrak nuk ka kuazilitet as finalitet, ky politeizëm, nuk është mishërimi i moralit, as vandak simbolesh të drejtësisë, perënditë pagane nuk e njohin moralin, ashtu si vetë natyra është jo një qënie morale, është thjeshtë natyrë, paganizmi është materja e përpunuar nga fantazia kozmogonike e poetëve, krishtërimi është moral në simetri me drejtësinë prandaj është njëkohësisht edhe teologji, sistem i mbyllur, përsosmëri e ngurtësuar, pagabueshmëri totemike, e padiskutueshme, absolute, shën Tereza Aviles, nuk ka patur një tjetër femër planeti Tokë si kjo shenjtore e zjarrtë, pasionante, që shkroi poezi të mrekullueshme për dashurinë e saj mistike për Krishtin, në lashtësi do të kishte lindur si Safo e Lesbosit, por lindi në shekullin e Buzukut si një oshenare me virgjëri të pacënueshme, jetoi në manastirin e shën Huanit në shkretëtirën e Aviles plot frenezi dhe ekzaltim të ndjenjave, kjo rojtare e paepur e mistikes, po të kishte lindur në Babiloni, do të kishte qënë Semiramida, kurse në Egjipt Kleopatra, teologjia e saj e dashurisë të huton, të shastis, a ka ditur diçka Buzuku për bashkëkohësen e tij (?) shën tereza e Aviles mbante të përqafuar Krishtin ndërkohë në Itali ishte kthyer prapë hyu Apolon, madje dhe Priapi Fallik, shën Tereza e Spanjës la një letërsi më të frymëzuar se ajo e Servantesit, apo e Lope De Vegas, vetëm El Greko qe po aq mistik i madh sa edhe shën Tereza, Buzuku jetoi shekullin e shën Terezës, ne vdektarët e rëndomtë dhe të tanishëm (mos u trishto o lexues!) jetuam shekullin e shën Terezës shqiptare, mbesa e denjë e Buzukut, kjo Nënë Tereza shkruajti poezi më të thjeshta për Krishtin, shpallte e përvuajtur se qe pena në dorën e Krishtit për të shkruar për botën mesazhin e dashurisë, në shekullin e Buzukut u lartësua edhe spanjolli luftëtar dhe aventurier i pathyeshëm Injac Laloja njeri i ftohtë, thatanik, hermetik, pa entuziazëm lirik, gjë që vjen nga dashuria e veçantë evangjelike, krijoi urdhërin e fuqishëm dhe tmerrpërhapës të jezuitëve si një kundërvënie ndaj Reformës, ky shën Injac e kuptoi se dituria është më fitimtare se sa shpata, jezuitët pushtuan katedralet e universiteteve evropiane, vendosën kontrollin mbi botimet, u bënë elita e mendjes dhe kështu krijuan kulturalisht dhe fetarisht kundërreformën, sulmin e  Luterit e përballoi Injaci, përplasja e Reformës me Kundërreformën lindi kushte për Buzukun shqiptar, rebelimi gjerman qe triumfi i filozofisë mbi teologjinë, qëndresa spanjolle që triumfi i rilindjes së një krishtërimi diturak dhe organizativ xhesti libërshkrues i Buzukut qe një identitet i ri i krishtërimit shqiptar, një përfitim i rrethanave, aq edhe vetë substanca e këtyre rrethanave, krishtërimi i Buzukut është gjysëm italo-spanjoll dhe gjysëm shqiptaro-ballkanik, ky është një krishtërim i veçantë për të qenë kështu njëkohësisht edhe krishtërim i përgjithshëm, feja universale u nacionalizua gjuhësisht – ja një dallim, një emërtim, një simbol identiteti që ndodh vetëm një herë në dy mijë vjet…