Cikël poetik nga Arben Prendi: Mes shiut të natës tokësore

arben prendi

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga shkrimtari, studiuesi dhe profesori universitar Arben Prendi.

ANIJE E ANKORUEME NË PORT

Lindës

Dashunia âsht,
si trandafili erëmirë,
si vêna e mirë.
Koha kohon: ajo vjetërohet, ne pimë,
dehemi nga pak sistematikisht,
rrugën si dikur nuk e humbim…
ndër erëmime petalesh…

Andrrojmë, shikojmë dhe njohim botën,
dhe veten
përmes saj.

Dashunia, e jona
âsht e qetë, e ambël,
e plotë, e sigurtë,
sa ç’mund të jetë një anije e ankorueme në port,
e valëvisin dallgët fort,
po nuk e përmbysin.

Âsht si lumi pranveror,
kur i del para ndoj pengesë:
cung, gur thepokë, urë
e kapërcen me vrull
e mandej rrjedh e qetë në
shtratin e saj…

Si bima,
nuk ka nevojë për vazo,
tokën e vet – shpirtnat tonë,
ushqim ka.

Një gjethe e saj ndërrohet,
me një tjetër,
dhe me një tjetër gjethe.
Stinë mbas stine,
na erdhën lulet – vajza dhe djemtë tonë.

Kjo dashuni âsht e lidhun me pejzat e sprovave të jetës,
si dora e lidhun përmes gishtave natyrshëm,
që të pushton,
pa vrazhdësi,
me butësinë e dorës që nuk dridhet ma,
si herën e parë,
e sigurtë na mban,
mos me ra në ndonjë gropë
ku i gaprron sytë mëkati…

Âsht pra dashunia jonë!
Nuk i njoh sa duhet të tana trajtat e dashunisë,
por kjo e jona âsht,
e kësojetshme.
E heshtun,
e pabujë,
e vetëmjaftueshme,
edhe pse jetojmë në një botë,
tmerrësisht të ndryshueshme…

VASHAT NGUTEN ME U BÂ GRA!

Taka të nalta,
Të holla thikë,
Plagosin trotuarin.
Kalimtarët anojnë kryet të trembun mbrapa.
Asgja, asgja, mos u ligështoni.
Vashat nguten me u bâ gra!

Vashat nguten me u bâ gra,
Kozmetikë, inxhina, sytjene me gjinj dredharakë,
Sjellje perfekte për kryezoja burrash,
Sfidë për lutje.
E natyrshme a e panatyrshme kjo ngutje?…
Nuk e di pse pra,
Vashat nguten me u bâ gra?!

Përqark bubullojnë hapat dhe qeshjet e tyne,
Hapa dhe qeshje enkas për gra,
Kofshë molisëse, trupa sfungjer, krahë,
Lëkundje të prera.

Vashat nguten me u bâ gra!
Trillojnë humbje të rrejshme për lojnat,
Kukulla mistrece,
Macet bishtdredhme,
Xixëllonjat,
Kunorat me lulet e vockla të qershive,
Në një stinë të papërsëritshme.

Kot nguten,
e pamëshirshme âsht koha.
Ah, sa kanë me u pendue!
Ah, sa kanë me u pendue!

MOTËR, MOS U BAN QYQE BALADE

… Edhe këtë verë se mbajta fjalën
Që nanës i dhamë kur u martove,
se herë qeshë plagu nga trupi,
herë nga koka,
e herë s’po më len puna,
e herë s’po më del rroga,
e rruga për te ti,
tre-katër male kaptue
larg.

Nana edhe këtë verë
Ku vapa pëlcet gurin dhe shpirtin e saj,
Do të jetë në merak për ty.

Motër, qyqe balade mos u ban,
Po gjëje vet rrugën e humbun…

KOHA NË TË CILËN JETOJMË

Ra shiu përsëri në tokë, me bubullima, me vetima,
si në ditën e parë të krijimit të botës.
Përzihen e kaluemja, e ardhmja, para nesh,
nën helikat kozmike të kohës.

Disa prej stuhisë së jetës ikin rrugës pa kthim,
të tjerë dalin strehësh dhe në vorbulla hyjnë.
Gjyshat ikën, prindja largohen nën vetima,
parajsën e shkretnueme e popullojnë fëmijët.

Un’ rri në mes të shiut edhe sot turpnueshëm,
Adam i mbuluem me një gjethe fiku.
Sepse koha, koha në të cilën jetojmë,
na ktheu në palaço cirku.

Nuk e ndërtuem as na,
botën e bukur,
që andërr e panë prindja e gjyshat,
andaj rrimë në shi si qyqat.

PATJETËR DUHET TË NDRYSHOJË BOTA

Sot duhet të shihemi patjetër,
Se o ç’mërzi jeta pa ty.
Më ngjan bota krejt e vjetër,
Më ngjan bota krejt pa sy.

Më lotojnë vargje krojet e mallit,
Sythet e dhembjes më lotojnë perla.
Fryn pastaj një furtunë e çmendur
Më hedh në ca stinë të shkreta.

Mirazheve, mirazheve vërtitemi
E s’dimë ç’duam e ç’bëjmë në këtë jetë,
E s’dimë në jemi ata që jemi
Në të vërtetë…

Por ka një gjë që nuk lëkundet më,
Sot do shihemi patjetër.
Më ngjajnë gjërat pa kuptim,
Më ngjan bota krejt e vjetër.

MES SHIUT TË NATËS TOKËSORE

Trishtim solemn i universit,
me shiun nator rënkon,
në vorre të vdekunit,
të gjallët nën strehë,
pikojnë.

S’mundem m’e marrë një lundër,
të bâhem Noe i botës,
ndaj rri e sodis i pafuqi,
me vênë fundin e gotës.

Dhe notoj n’mendime të ngrysta,
kështu si shumë herë të tjera:

Ç’lajme na bjen, Imzot, nga qiejt,
ç’lajme na bjen eteri, era?!
A duhet të presë njerëzimi lajme të reja,
apo kumtet e reja duhen kërkue te të vjetrat?!

Absurd solemn i universit,
shtrihet tej pa kuptim.
Mes shiut të natës tokësore,
në baltë shuhet një vetimë.

RRANJË E SYTHE

Në retinë të syve
Çelet e mbyllet një perde jeshile.
Hapërdaret në erë.
E njoh e s’e njoh këtë erë lulesh të paplasuna.
E njoh e se njoh këtë erë nënsqetulle fëmije,
E njoh e s’e njoh zogjsh këtë kor.
Tjetërkush nuk asht veç shija
E vegimeve të ndryme,
Vegimi i fushës së mbarsun, që tash në mars
nis e i kruhet shtati prej rranjësh e sythesh
tek lypin shteg me dalë gjetiu.

Çelet e mbyllet një perde jeshile
E tue u endë nëpër një qytet në shi,
Me ndërtesa të zymta ishnake,
E njerëz të mefshtë,
Ndërmendem ngadalë
Për fushën larg
Fshatin
Që rri me të
Ditën dhe natën.
Pa mue.

KOKRRA E MOLLËS

Kokrra e mollës mbet mbi tavolinë,
Drejt e nga pema
E kam këputë për ty.
Ç’kohë që përjetojmë!
Do të qaj përditë
Kur ta shoh tue u kalbun
Kur erë bërsish të bjerë
Do të më zgjojë edhe nga gjumi ma i randë
Me zemër të drobitun
Me zemër të trembun
Me zemër të shprishun
Për gjithçka të ikun.

KUMTI I MBRAMJES

Demat e tredhun tërheqin qerren
Fshatarin
Dhe barin.

-Kështu i kumtoi rrota e majtë baltës,
në vigjiljen e natës
Së dimnit.

BOTA MBETI JASHTË

Me letrat e lerosuna të trishtimit,
Mbyll shkepat e dritareve,
Bota mbeti jashtë,
Ulërin një ujk i uritun nëpër natë.

ObserverKult


Lexo edhe:

PYETËSORI I PRUSTIT: ARBEN PRENDI

MITI, HISTORIA DHE PËRMASA EKZISTENCIALE NË TREGIMET E ARBEN PRENDIT