
Duke u nisur nga fakti se Gjakova në të kalurën jo shumë të largët ishte motori dhe promotori i zhvillimeve kombëtare, intelektuale, e shoqërore në Kosovë, një monografi si kjo përpos që na kthen në kohët e lavdishme të Gjakovës, ajo njëkohësisht na thërret t’i bashkojmë edhe një herë forcat për t’ia ritkthyer Gjakovës pikërisht atë lavdi, duke e vendosur atë në kontekstin e gjithëmbarshëm të transformimeve tona si komb dhe si shoqëri.
Nga Emin AZEMI
Pas një pune të gjatë hulumtuese e shterruese, doli në dritë monografia, me kontributin e shoqatës së intelektualëve “Jakova”, për themelimin e Universitetit publik në Gjakovë. Kjo monografi, që ka autor intelektualin dhe veprimtarin e shquar nga Gjakova, ing. Malush Tullumi, përpos aspektit dokumentar e arkivor, i ofron lexuesit edhe një aspekt tjetët shumë të rëndësishëm: rolin dhe statusin e intelektualit në momentet vendimtare të zhvillimit dhe formimit të një shoqërie dhe kombi. Kjo, mbase, është qasja më e duhur për t’i ndërlidhur faktorët determinues në inicimin e çështjeve me interes kombëtar e kulturor, siç është themelimi i Universitetit publik në Gjakovë, një vepër kjo kolosale e artikuluar dhe lobuar publikisht e intensivisht nga Shoqata e intelektualëve “Jakova”.
Pasi ta kemi lexuar këtë monografi dhe pasi të kemi krijuar një distancë të vogël receptimi nga e gjithë përmbajtja e saj, pyetja e parë që na imponohet do të ishte: A do të themelohej Universiteti publik i Gjakovës, pa kontributin lobues të ShI “Jakova”, pikërisht në kohën kur u themelua, apo ky akt do të ndodhte më vonë, në një kohë tjetër dhe në një tjetër kontekst shoqëror e politik?
Lajtmotivi i kësaj pyetje ngre shumë çështje që ndërlidhen me vetëdijen dhe frymën intelektiuale, me rolin e intelektualit në ndërgjegjësimin dhe artikulimin e problematikave madhore, si dhe me kohezionin shoqëror, kombëtar e ideor si rrjedhojë e angazhimit intelektual e profesional të elitave tona. Intelektualët e Gjakovës të tubuar rreth Shoqatës “Jakova” i kanë përmbushur të gjitha këto objekiva në kuadër të një angazhimi këmbëngulës e vizonar, që si produkt final kanë patur themelimin e Universitetit publik të Gjakovës.
Kjo monografi nuk është thjeshtë kronikë e thatë e një procesi, siç është iniciativa për themelimin e Universitetit publik të Gjakovës, por është mbi të gjitha një “kasafortë kujtese” ku u grumbulluan, sistemuan, koordinuan dhe u publikuan një mori aktivitetesh e ngjarjesh, pa të cilat nuk do të ndodhte sendërtimi i kësaj iniciative.
Autori ing. Malush Tullumi, i mbështetur nga një ekip njerëzish të zgjedhur nga ShI “Jakova” dhe jashtë saj, ka arritur t’i jap formë dhe fizionomi kësaj monografie, duke ruajtur të gjitha standardet arkivore, dokumentare dhe bio-bibliografike. Përmes një narrative të rrjedhshme dhe faktuese, autori ia ka dalur të nxjerr në pah tre dimensione përmbajtësore e strukturore: Të argumentojë historinë dhe empirinë e zhvillimit të trurit intelektual e kombëtar të Gjakovës ndër shekuj, të risistemoj kujtesën tonë kolektive mbi rolin e intelektualëve në angazhimet e tyre madhore dhe të nxjerrë në pah domosdoshmërinë e bashkërendimit dhe bashkëveprimit të forcave intelektuale, shoqërore e politike në finalizimin e ideve progresive me interes jetik kombëtar
E ndarë në pesë kapituj, kjo monografi mëton t’u jap drejtim atyre detyrave e obligimeve të ngutshme, pa të cilat nuk do të kishte kuptim qenësia jonë, ashtu siç do të ishte e pakuptimtë historia dhe e ardhmja e Gjakovës pa një universitet publik, i cili u themelua falë kontributiti edhe të intelektualëve të tubuar rreth Shoqatës “Jakova”. Të gjithë këta kapituj janë stacione që shenjojnë rrugëtimin e këtij projekti, nga ideja në finalizim. Dhe secili kapitull i ngjan një kapilari gjaku që ushqen me ide, veprime e angazhime një trup gjikant e të skalitur rrëzë Çabratit plak, duke i përcejllur brezave amanetin e Gjon Nikollë Kazazait, Bajram Currit, Sylejman Vokshit, Mic Sokolit, Asim Vokshit etj. për ta finalizuar dhe realizuar një ide që do t’i shërbente zhvillimit të një pjese vitale të Kosovës, siç është Rrafshi i Dukagjinit, përmes këtij Universiteti që tash e sa vite po prodhon kuadro e dije, me kritere e standarde të avancuara akademike.
Duke i qëndruar besnik metodologjisë së sistemimit të materialeve dhe burimeve të ndryshme bibliografike, autori është koshient edhe për disa pamundësi dhe mangësi që e kanë ndjekur procesin e sistemimit dhe finalizimit të kësaj monografie, siç është edhe mungesa e disa materialeve autenike (faksimilë, fotografi etj.) nga disa akterë të kohës që ishin të përfshirë drejpërdrejt në idenë për themelimin e Universiteti publik të Gjakovës. Autori bën mirë që i përmend këto mangësi të vogla, sepse në një ribotim të ardhshëm të kësaj monografie, sigurisht do të mund të kompletohej edhe më tepër lënda arkivore e këtij projekti.
Monografia që po i jepet sot lexuesit, është një dhuratë që katapulton vëmendjen tonë publike nga temat banale e triviale të përditshmërisë, në një temë sa fisnike , po aq edhe pragmatike, siç është themelimi dhe funksionimi i Universiteti publik të Gjakovës. Për rrjedhojë, kjo punë që mbart më vete emra e individualitete me merita të spikatura në jetën tonë publike, univeresitare e shkencore, është edhe një referencë dhe rrugëtregues për të gjithë intelektualët, të cilët nuk do të mjaftoheshin vetëm me statusin që ua garanton mirëqenia akademike e profesionale, por do të shkonin përtej, siç vepruan intelektualët e shoqatës “Jakova” , lajtmotivi i të cilëve ishte dhe mbetet: dija dhe përvoja intelektuale nuk duhet të jenë pronë private e askujt, ato janë asete në shërbim të kombit dhe shoqërisë.
Duke u nisur nga fakti se Gjakova në të kalurën jo shumë të largët ishte motori dhe promotori i zhvillimeve kombëtare, intelektuale, e shoqërore në Kosovë, një monografi si kjo përpos që na kthen në kohët e lavdishme të Gjakovës, ajo njëkohësisht na thërret t’i bashkojmë edhe një herë forcat për t’ia ritkthyer Gjakovës pikërisht atë lavdi, duke e vendosur atë në kontekstin e gjithëmbarshëm të transformimeve tona si komb dhe si shoqëri. Dhe, nëse dikur ishte aktuale thënia “Pa Kosovë, nuk ka Shqipëri”, sot bëhet edhe më aktuale thënia “Pa Gjakovë, nuk ka Kosovë”, sepse kjo trevë, e ndodhur gjeografikisht dhe historikisht pranë zhvillimeve të bujshme kombëtare, i ka të gjitha predispozitat të bëhet sërish burim frymëzimi e motivimi për gjeneratat në ardhje, sidomos për ato kategori intelektualësh e veprimtarësh, të cilët do të mund ta merrnin si model referimi pikërisht SHI “Jakova”.
Shkurt, 2026
ObserverKult
———
Lexo edhe:






