More Raça, në krye të Këshillit drejtues të Qendrës Kinematografike

Dje, në mbledhjen e parë të Këshillit Drejtues të Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK), ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka emëruar anëtarët e Këshillit Drejtues bashkë me kryetaren e këtij këshilli.

Këshilli përbëhet nga Besim Ugzmajli, Xhejlane Tërbunja, Bislim Bislimi (përfaqësues i MKRS-së) dhe Luan Daka, ndërsa More Raça është përzgjedhur kryetare e Këshillit Drejtues të QKK-së.

Këtë e ka bërë të ditur vetë regjisorja përmes një postimi në Facebook, ku ka thënë se bashkë me kolegët janë zotuar se do të punojnë me seriozitetin më të madh për të siguruar mbarëvajtjen e punës së këtij institucioni, dhe respektimin e ligjit.

“Do të shqyrtojmë me vëmendje dhe kujdes të madh të gjitha veprimet e deritanishme të QKK-së, dhe do të punojmë për të krijuar një ambient të shëndosh, ku mbi të gjitha do të respektohet ligji dhe ku do të ketë mundësi të barabarta për secilin kineast” ka shkruar Raça.