Mos e harxho jetën duke përfytyruar gjëra që kanë lidhje me të tjerët

Foto ilustrim

Nga Marco Aurelio

Mos e harxho atë pjesë jete që të ka mbetur duke përfytyruar gjëra që kanë lidhje me të tjerët, përveç rasteve kur veprimet që bën janë të dobishme për të gjithë: ose, përndryshe, do të heqësh dorë nga një punë tjetër (…) duke përfytyruar kështu se çfarë bën dikush dhe përse e bën atë, se çfarë thotë, çfarë mendon, çfarë bluan në mendje e gjëra të tjera të tilla: që të gjitha sjellje këto, të cilat nga përkujdesje kthehen në parim drejtues për jetën.

Pra nuk duhet të lejosh që gjërat e rëndësishme dhe ato të pabazuara të kenë lidhje me përfytyrimet, e mbi të gjitha nuk duhet të pranosh pafytyrësinë dhe ligësinë; dhe duhet të mësosh vetëm me përfytyrime të tilla që, nëse papritur, dikush të pyet: “Për çfarë po mendon tani?”, t’i përgjigjesh menjëherë plot çiltërsi: “Për këtë e për atë”; kështu, nga fjalët e tua do të ishte menjëherë e qartë se çdo mendim i yti është i thjeshtë, dashamirës, se i shkon për shtat një qenieje që duhet të jetojë në shoqëri, i shpërfill vegimet që nxisin endje apo ndryshe, kënaqësi, është i pandjeshëm për ndonjë lloj armiqësie, zilie, dyshimi apo çfarëdolloj epshi tjetër për të cilin do të skuqeshin, nëse do të duhej të sqaroje se e ndjen atë thellë brenda teje.

Në të vërtetë një njeri i tillë, që nuk mendohet më gjatë për të bërë pjesë tek ata që janë pa dyshim më të mirët, është si një prift dhe mbarështues i hyjnive, është në marrëdhënie të ngushta edhe me perëndinë që ndodhet brenda tij: kjo e bën njeriun të mos përlyhet nga kënaqësitë, të mos cënohet nga dhimbjet, të mos preket nga asnjë padrejtësi, të mos jetë i ndjeshëm ndaj asnjë lloj ligësie, të jetë atlet në garën më të fortë – luftën për të mos u mundur nga asnjë epsh – e bën të jetë thellësisht i nginjur me drejtësi, i gatshëm për të pranuar me gjithë shpirt gjithçka që i ndodh dhe që i ka caktuar fati, e bën të mos mendojë shpesh, përveç rasteve kur mendimi i tij është i dobishëm për të gjithë, se çfarë thotë, bën apo mendon vallë dikush tjetër.

Ky njeri, në të vërtetë, përsa i përket mënyrës se si sillet, shikon vetëm punët e tij dhe mendon vazhdimisht ngjarjet që ndodhin në botë, vetëm për ato që gërshetohen me të, e të parat i bën më fisnike ndërkohë që është i bindur se të dyjat janë të thjeshta. Në të vërtetë fati që i është caktuar secilit prej nesh është pjesë e gjithçkaje dhe na bën të jemi pjesë e gjithçkaje.

E nuk harron ky njeri as se çdo qenie e arsyeshme është afër me të dhe se të kujdesesh për të gjithë njerëzit është në përputhje me natyrën njerëzore e megjithatë nuk duhet t’i përmbahesh mendimit të të gjithëve, por vetëm të atij që jeton në përputhje me natyrën. Përsa i përket pastaj atyre që nuk jetojnë kështu, ai e ka gjithnjë të qartë se çfarë lloj njerëzish ka në shtëpi dhe jashtë saj, çfarë njerëzish janë ata dhe me cilët njërëz ka të bëj ai ditë e natë. E nuk merr parasysh pastaj as lëvdatat që mund t’i bëjnë, meqë ata nuk pëlqejnë as veten e tyre.

ObserverKult


Lexo edhe:

BORGES: ME KOHË MËSOHET SE DASHNI S’DO ME THANË ME SHKUE N’SHTRAT…