Silvana Kola Loka: Mos më thoni “Ti je e fortë!”

Silvana Kola-Loka

Mos më thoni “Ti je e fortë!

Nga Silvana Kola Loka

Për ata, të cilëve iu mban kurrizi…
-Ti je e fortë! Ti ke duruar kaq shumë gjëra! Mund ta durosh edhe këtë, jam i sigurt!

-Po! Jam e fortë dhe këtë nuk e luan as topi! Por, ky është momenti kur dua ta ndjej gjithë peshën e trishtimit, dhimbjes dhe zemërimit. Kam të drejtë ta ndjej gjithë këtë, deri në palcë. Dhe, për ta bërë këtë, nuk kam nevojë as për spektatorë, as për bamirës. Të lutem, më lër vetëm!

Vetëm se, mos më kërko asnjë garanci për çfarë do të jem kur të dal nga kjo gjendje.

Unë do të jem po unë, por, në njëfarë mënyre, do të jem një variant i përmirësuar i asaj që jam tani.


-Ta thashë pra! Unë të njoh mirë. E di që ti do të dalësh më e fortë nga kjo situatë.

-E pse u dashka të dal më e fortë?!

Nuk dua të jem më e fortë.

Kur ju të gjithë thoni: “Ti duron! Ti je e fortë!”, ju e bëni forcën të duket një mallkim.


Jo, nuk dua të jem më e fortë sesa jam. Dua thjesht, për pak kohë, të mos e gjej veten në asnjë situatë dhe me asnjë njeri që të kem nevojën të tregoj se sa shumë mund të mbaj.

Edhe nëse kjo punë nuk zgjidhet thjesht duke mos dashur, atëherë, ja ku po ta them: “Unë zgjedh të mos mbaj më pesha që nuk janë të miat për t’i mbajtur! Mund të ndihmoj të tjerët të mbajnë peshën e tyre, edhe këtë, nëse ma kërkojnë dhe nëse mundem!”

Kështu pra! U vendos!

ObserverKult

————————————

LEXO EDHE:

ËSHTË NJË DASHURI E FORTË QË PËRJASHTON ÇDO NDARJE…

Nga Khalil Gibran

Këtu dashuria fillon ta transferojë prozën e jetës në himne e këngë lëvdatash plot muzikë, që e kompozuar natën, do të këndohet gjatë ditës. 

Tekstin e plotë e gjeni KETU