Mos nguro të lëshohesh tek unë dashuri…

Nga Armenida Qyqja

Mos nguro dashuri, syve të mi,
Me të gjitha ngjyrat të derdhesh!
Lëmsh le të bëhen të gjitha kanavacat,
Që në heshtje veç pritën të akullta…

S’ka gjë, derdhi dhe tonet e errëta,
Karshi hijes, më e fortë do të duket drita…
Veç falmë ca agime me buzë të mavijosura,
E mbi tokën e ftohur,
Një grusht perëndimesh të prushta…

Mos nguro të lëshohesh tek unë dashuri,
Tek shpirti im që me sytë drejt qiellit të priti,
Siç pret një varkë erën për velat e nderura.
Hallall do ta bëj dhe furtunën,
Ashtu si marinari tekat detit…