Jemi kthyer në Mesjetë, analfabetët nuk ndihen të turpëruar që janë të tillë!

blerim latifi duhani kaçak
Blerim Latifi

Në Mesjetë analfabetizmi ishte gjendje natyrshme për shumicën absolute të njerëzve. Kjo do të thotë se të ishte analfabet në atë kohë nuk konsiderohej diçka e turpshme. Kultura e leximit dhe e shkrimit ishte një privilegj i pakicave fetare e politike.

Nga Blerim Latifi

Me shpikjen e shtypshkronjës lindi edhe ëndrra për masivizimin e kësaj kulture. Iluminizmi Europian do ta kthente në ideal të tij këtë ëndërr. Të gjithë kanë të drejtë në edukim, ndërsa shtetet e kanë për detyrë ta bëjnë të mundur përmbushjen e kësaj të drejte. Ishte pra Iluminizmi ai që të qenit analfabet e ktheu në diçka të turpshme për individët dhe shoqëritë.

Sot gjërat kanë ndryshuar, për të keq. Në njëfarë mënyre ne jemi kthyer në Mesjetë, ngase sot analfabetët nuk ndihen të turpëruar që janë të tillë. Mjafton të shikosh komunikimin në rrjetet sociale, për t’u bindur në këtë. Dhe jo vetëm që nuk ndihen të turpëruar, por për më tepër edhe krenarë me faktin se nuk lexojnë kurrë.

Fundi i kulturës së leximit e tërheq prapa edhe kulturën e mendimit. E aty ku njerëzit nuk mendojnë me kokën e tyre, nuk vonojnë të shfaqen ideologjitë paternaliste, të cilat me lehtësi i manipulojnë njerëzit për qëllimet e tyre rëndom të mbrapshta. Parulla e tyre si gjithmonë është e njëjtë: Paduria është fuqi!

Kështu, muzgu i përndritjes iluministe na paralajmëron ardhjen e një kohe të errët, në të cilën mashtruesit dhe zuzarët e të gjitha ngjyrave do t’i kenë gjasat dhe favoret në anën e tyre.

ObserverKult

Lexo edhe:

Blerim Latifi: Debati filozofik mbi rrënjët e të keqes