“Mosdija”, një kujtesë e tmerrshme

Nga Mërgim Bekteshi

Në ditët e ftohta të janarit 2021, në kulmin e pandemisë COVID-19, më ra në dorë për herë të parë romani Mosdija i autorit çek Milan Kundera. Ndoshta po të ishte gjallë Umberto Eco, do ta përjetonte këtë moment me gëzim, duke kujtuar fjalët e tij të njohura: “Mos kujtoni se do të shpëtoni nga librat.”

Në një kohë kur e keqja ishte shtrirë globalisht, leximi filloi të shpërthente si një dritë në mendjet ballkanike. Në rrjetet sociale njerëzit ndanin tituj librash, shpesh me “tag” në anglisht, duke kërkuar sugjerime nga miqtë për çfarë të lexonin. Unë zgjodha ta porosisja Mosdijen me postë, pasi mungonte në bibliotekën time personale. Si gjithnjë, Shtëpia Botuese “Buzuku” u tregua korrekte, me kujdes të veçantë për lexuesit dhe çmimet e arsyeshme.

Ishte ajo periudhë kur lajmet ishin tronditëse, liria e lëvizjes ishte e kufizuar dhe çdo ditë pritej me ankth për shkak të rrezikut nga virusi. E megjithatë, Mosdija më rrëshqiti nëpër duar lehtësisht, njësoj siç më kishte rrëmbyer dikur edhe filmi Tundimi i Krishtit me regji nga Martin Scorsese. Të dy më lanë me ndjesinë e një kujtese të turbullt, një përjetim që ndodhi, por si pa ndodhur vërtet.

Në fund të majit 2025, iu riktheva romanit dhe për çudi më erdhi ndryshe. M’u duk sikur e kisha përkthyer një dorë tjetër, ndonëse përkthyesja ishte po ajo, Mirela Kumbaro. Ishte ndoshta koha, ose unë vetë që kisha ndryshuar. Leximi nuk kishte më kohë ishte përtej kohës. Përpjekja për ta parë sërish Tundimin e Krishtit dështoi, por Mosdija u rikthye me një kuptim të ri.

Romani më vinte tani si një kombinim rrëfimi dhe eseje filozofike, ku autori, si në mënyrë të pavërejtshme, kalon nga rrëfimi te meditimi. Veçanërisht prekëse janë fragmentet për të mërguarit, si kur përmendet Uliksi, i cili ndiente mall për itakasit, ndërsa ata ruanin vetëm kujtimin e tij por jo mallin. Kujtesa u ishte zbehur, ndërsa për Uliksin mallëngjimi ishte ende i gjallë.

Çfarë e bën të veçantë këtë çek të mërguar? Ai ruan me përkushtim kujtimet dhe mallin për atdheun, por gjithçka e shpreh me qartësi përmes personazheve. Njëri prej tyre thotë: “Sa e lodhshme është besnikëria kur nuk buron nga pasioni i vërtetë.” Kjo lodhje ndjehet edhe në ndërveprimet mes personazheve, ku papjekuria dhe pasiguritë fillojnë të turbullohen.

Disa lexues e kanë parë romanin si një vështrim psikologjik, por për mua ai është edhe më shumë: një reflektim mbi kohën, kujtesën dhe ekzistencën. Pyetja nëse njeriu do të mund të jetonte dyfishin e moshës së tij është një ide provokuese. Në një jetë kaq të gjatë, malli për vendlindjen apo për dashurinë do të shndërrohej në një detaj të zbehtë. Mosdija do të bëhej logjike. Por në kohët mesjetare, harresa apo mosdija mund të të kushtonte kokën, mjaftonte një ëndërr e interpretuar gabimisht për të të çuar drejt vdekjes.

ObserverKult


Lexo edhe:

MILAN KUNDERA: KUJTESA NUK ËSHTË VETËM RUAJTJE, ËSHTË EDHE DHIMBJE…