”Moti i madh” troket në UNESCO

Moti i madh” – kjo pasuri e jashtëzakonshme kulturore e riteve festive, lindjes, martesës e vdekjes, këngësh e vallesh, kostumesh popullore dhe zejesh, të pandara me gjuhën dhe letërsinë e pasur arbëreshe. Ruhet prej rreth gjashtë shekujsh, në 50 komunitetet vendosur në shtatë rajone (Abruzzo, Molise, Campania, Puglia, Basilicata, Kalabria, Sicilia) të Gadishullit Italian.

Identiteti etnik dhe gjuha janë simbol i gjallë në popullsinë arbëreshe. Ndërsa folklori, dëshmon një kujtesë të vazhdueshme të atdheut.

Këngët fetare dhe ato popullore, legjendat e përrallat, si dhe proverbat përshkohen nga solidariteti etnik i këtij komuniteti të lashtë.

Ndërsa temat përsëriten si për të shprehur dëshirën e zjarrtë dhe mallin për atdheun e humbur. Heroin legjendar Gjergj Kastrioti dhe tragjedinë e diasporës pas pushtimit osman…

Prej gjashtë shekujsh, kjo traditë e ruajtur me fanatizëm synon të përballet e të bëhet pasuri e mbarë njerëzimit…

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademiku Skënder Gjinushi, vizitoi qytezën arbëreshe Vakarici (Vaccarizzo Albanese). Për të mbështetur kandidaturën e praktikave rituale arbëreshe të pranverës “Moti i Madh”, për njohjen si një sit i Trashëgimisë Botërore në UNESCO.

Akademia është pjesë e grupit të punës, për dosjen e kësaj trashëgimie mbi 500-vjeçare, duke siguruar grupin e punës se. Mbështetja institucionale do të jetë e përhershme dhe në rritje.

Trashëgiminë arbëreshe, për më shumë se gjashtë shekuj e kanë ruajtur vetë bartësit e saj

“Jo vetëm për dosjen “Moti i Madh”, por në përgjithësi për trashëgiminë arbëreshe në tërësi, për studimin dhe botimin e saj. Akademia e Shkencave do të shtojë vëmendjen dhe investimin intelektual.

Projektet që kanë realizuar anëtarët arbëreshë të Akademisë së Shkencave. Francesco Altimari e Matteo Mandalà, janë të mirëpritur për t’u kurorëzuar”, – tha Gjinushi, transmeton ‘konica.al’.

Gjinushi tha, se, “trashëgiminë arbëreshe, për më shumë se gjashtë shekuj e kanë ruajtur vetë bartësit e saj. Regjistrimi në UNESCO i njeh asaj, një vlerë që ka merita dhe rëndësi. Jo vetëm për komunitetin, por edhe për kulturën njerëzore”.

Akademik Francesco Altimari, bëri të njohur kronologjinë e projektit “Moti i Madh”, numrin e madh të universiteteve dhe të studiuesve. Q kanë dhënë kontribut për aspektet shkencore të dosjes (Cosenza, Palermo, Lecce, Venezia, Milano etj.), si dhe nga Shqipëria.

Akademik Matteo Mandalà u përqendrua në kushtëzimin zanafillës të riteve dhe ritualeve kalendarike-pranverore arbëreshe dhe shqiptare, me rrjedhat ciklike të jetës agrare.

Llazoret, këngët e të ringjallurit të parë Shën Lazrit

Akademik Shaban Sinani, paraqiti punën që ka bërë skuadra shqiptare për plotësimin e dosjes “Moti i madh”. Me një fashikull nga trashëgimia e ngjashme në Shqipëri, duke theksuar ciklet kryesore.

Si llazoret (këngët e të ringjallurit të parë Shën Lazrit), kullanat (dikur të lidhura me fillimin e vitit, sot kryesisht këngë të Pashkëve), evangjelizmoi (edhe këto këngë të ringjalljes), rrushajet (këngë të “ditës së luleve” – rosaliae diem), karnevalet, këngët e Shën Gjergjit etj.

Ka një simetri të plotë mes këtyre cikleve dhe atyre që janë mbledhur e dëshmohen edhe sot tek arbëreshët. Sinani theksoi se pjesa më e madhe e tyre janë desakralizuar dhe madje një pjesë janë kënduar edhe në skena, duke përfshirë periudhën komuniste, si këngë lodra apo ushtrime vjershërimi e kujtese.

On. Mario Brunetti, një figurë emblematike e botës arbëreshe, nismëtar i projektligjit italian që i njeh arbërishtes, theksoi se mbështetja e Akademisë së Shkencave është një dukuri e re shumë pozitive.

E përforcuar kjo, me mbështetjen administrative dhe diplomatike të shtetit shqiptar e të Kosovës, rrit besimin tonë që “Moti i Madh” të fitojë statusin që i takon si trashëgimi e njerëzimit. Dhe ky është një nga rastet që kultura e pakicës rrit vlerat e asaj të shumicës.

Në konferencë ishin të pranishme dhe përshëndetën Meri Kumbe, zëvendësministre e kulturës; Anila Bitri, ambasadore e Shqipërisë në Itali; Lendita Haxhitasim, ambasadore e Kosovës.

LEXO EDHE: “Moti i madh” kandidat për në UNESCO- simbolika e kulaçit arbëresh