Ish-bazilika e Shën-Sofisë tani një xhami pritet të ndryshojë teksa kanë nisur përgatitjet për t’u inauguruar nga besimtarët me lutjen e parë myslimane. Pas kritikave të javës së kaluar, një protestë e mbajtur para konsullatës turke në Itali ka dënuar regjimin e Ankarasë.
Mozaikët dhe ikonat e shenjta krishtere të ish-muzeut të Shën-Sofisë në Stamboll pritet të mbulohen javën e ardhshme në prag të kremtimit të lutjes së parë myslimane.
Me shndërrimin e monumentit bizantin nga kishë në xhami me urdhër të presidentit turk Rexhep Taip Erdoan, hyrja dhe ambientet e brendshme të ndërtesës pritet të përshtaten për besimtarët.
Një tapet me sipërfaqe 14 mijë metra katrorë është planifikuar të veshë dyshemenë e xhamisë së re, do transferohen simbolet që nuk kryejnë funksione për xhaminë, gjatë gjithë ditës do të dëgjohen vargje nga Kurani dhe ndërtesa do jetë e hapur për faljen e pesë kohëve të namazit.
“Edhe pse Shën-Sofia shërben si xhami, ajo do jetë e hapur për vizitorët vendës dhe të huaj. Ikonat dhe afresket që përfaqësojnë trashëgiminë universale të Shën-Sofisë do të ruhen, por gjatë lutjeve, ato do mbulohen me një sistem perdesh speciale dhe lazer,” informoi të hënën zëdhënësi i partisë në pushtet “Drejtësi dhe Zhvillim” e presidentit Erdogan.
Vendimi i gjykatës turke të premten e kaluar për ta kthyer muzeun e Shën-Sofisë në objekt kulti u prit me qortim dhe si një provokim nga aktorët ndërkombëtarë dhe komuniteti i krishterë, deri nga organizata UNESCO dhe Papa Françesku në Vatikan.
Për Ankaranë zyrtare, ishte Kisha Katolike, ajo që e njollosi trashëgiminë botërore 1500-vjeçare.
“Papa e përmendi me një fjali por duhet ta dini se pas pushtimit të Stambollit, nuk ka pasur asnjëherë mungesë respekti për Shën-Sofinë. I kemi ruajtur afresket, ikonat e brendshme dhe trashëgiminë e krishterë. Ortodoksët dhe Shën-Sofia vuajtën për vite me radhë gjatë pushtimit latin të udhëhequr nga papati i shekullit të 13-të, nga kryqëzatësit plaçkitës të katedrales.”, transmeton kohajone.
Në Itali, dhjetëra qytetarë u mblodhën të hënën para konsullatës turke në Milano për të denoncuar përvetësimin e monumentit simbol të Krishterimit dhe atë që e quajtën regjimin turk.
Protestën e udhëhoqi kreu i partisë “Liga”, Mateo Salvini, teksa në sfond mbështetësit mbanin parulla me shkrimin “larg duart nga Shën-Sofia” dhe “Turqia asnjëherë në BE”.
“Të isha unë, do i ndalja çdo ndihmë financiare regjimit turk dhe do i jepja fund një herë e mirë hipotezës për futjen e Turqisë në Bashkimin Europian. I kemi dhënë 10 miliardë euro një regjimi që i transformon kishat në xhami, dhe po vazhduam kokulur së shpejti do kemi xhami në vend të katedraleve.”
Salvini e krahasoi pushtetin në Turqi me lëvizjet ekstremiste islamike që sipas tij po fshin shekuj të tërë historie, të drejtat, liritë dhe trashëgiminë kulturore e fetare të Krishterimit.