
Mozaiku i Tiranës është kthyer në një ndër destinacionet turistike më të rëndësishme të kryeqytetit shqiptar, ku ruhen copëza të historisë shqiptare të antikitetit.
Pas restaurimit dhe rikonstruksionit të plotë të sitit, ky mozaik është bërë shumë më i frekuentuar prej turistëve vendas e të huaj.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja tha sot se “ky mozaik rikthehet si një hapësirë ku trashëgimia kulturore dialogon me të tashmen, duke përdorur teknologjinë në shërbim të ruajtjes, interpretimit dhe përjetimit të historisë”.
“Përmes rindërtimit 3D, instalacioneve interaktive dhe teknologjisë Gigapixel, ky sit vendos një standard të ri për dokumentimin dhe prezantimin e trashëgimisë kulturore në Shqipëri”, tha Gonxhja.
Mozaiku i Tiranës është Monument Kulture i Kategorisë I. Ai është pjesë e një vile romake që daton në shekullin III pas Krishtit. Gjatë punimeve për ndërtimin e një godine banimi në bllokun “Partizani”, në vitin 1972, u hasën rrënojat e kësaj ndërtese antike.
Restaurimi i fundit i tij, përfundoi një vit më parë dhe u konceptua në mënyrë të atillë për të përfshirë edhe një platformë që mundëson ekspozimin e mozaikëve të mbyllur të periudhës së antikitetit dhe antikitetit të vonë, të ruajtur në sitet tona më të rëndësishme si Apolonia, Butrinti, Bylis, Durrësi, Elbasani dhe shumë të tjera, duke qenë se ato qëndrojnë të mbuluar për t’u ruajtur nga faktorët e atmosferikë.
ObserverKult
Lexo edhe:
Zbulimi i rrallë pranë Koloseut, Roma hap kompleksin monumental me afreske dhe mozaikë romakë






