“Mu” dhe “m’u”, kur duhet të shkruhet me apostrof e kur jo?

“Mu” apo “M’u”, cila është forma e saktë: me apostrof apo pa apostrof? Këtë pyetje e bëjnë shumë veta… ja përgjigja:

Të dyja format janë të sakta, por njëra është pjesëz dhe tjetra trajtë e shkurtër. Për t’i shkruar saktë këto dy forma në fjali ose tekste të ndryshme, duhet të dimë se kur është pjesëz dhe kur trajtë e shkurtër.

Kur është pjesëz shkruhet pa apostrof (mu – mu te dera), kurse kur është trajtë e shkurtër shkruhet me apostrof (m’u – m’u bë zemra mal).

Atëherë:

Mu – pjesëz. Përdoret pa apostrof para një fjale a një togfjalëshi për të përcaktuar më mirë, për ta theksuar ose për ta bërë më të përpiktë vendin, kohën etj., atë që shprehet nga fjala a nga togfjalëshi.

P.SH.: Mu në fillim të librit. Mu në krye të dhomës. Mu në mes të qytetit (të sheshit, të ballit, të kraharorit, të ditës, të natës). Mu në zemër). Mu në shenjë. Mu aty. Mu si në dasmë. Mu si luftë. Mu si i çmendur.

M’u – trajtë e shkurtër e bashkuar (me apostrof), që formohet nga trajta e shkurtër e rasës dhanore, veta e parë “mua më”, plus pjesëzës “u” të trajtave pësore-vetvetore të foljeve. Nën ndikimin e pjesëzës “u” të pësores bie zanorja ”ë” e “(mua) më”, ndaj përdoret me apostrof (‘). P.SH.: M’u bë zemra mal; m’u desh të shkoja, të m’u bësh të fala etj.

Pra, mbani mend, kur thekson vend a kohë është pjesëz dhe shkruhet pa apostrof.

Përgatiti: S. Agolli

ObserverKult


Foto ilustrim

Lexo edhe:

SHUMICA GABOJNË: JA KUR DUHET PËRDORUR APOSTROFI DHE KUR S’DUHET?