Muaji i Muzikës/ Përkujtohet kompozitori Tish Daija, mjeshtër i pentagramit

Muaji i Muzikës vijoi me përkujtimin e kompozitorit të njohur, mjeshtrit të pentagramit, Tish Daija.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se kompozitori Tish Daija, është një nga mjeshtrit e muzikës shqiptare.

Artisti dhe kompozitori i mirënjohur Tish Daija lindi në qytetin e Shkodrës në një familje të thjeshtë qytetare.

Që në moshë fare të vogël, ende pa nisur shkollën fillore, bëhet pjesëtar e “Korit Françeskan”.
Nën drejtimin e Martin Gjokës dhe Filip Mazrekut merr mësimet e para muzikore bashkë me kompozitorin Tonin Harapi, Cesk Zadejën, Lukë Kacajn dhe Simon Gjonin.

Në moshën 10-vjeçare bëhet instrumentist i bandës muzikore “Antoniane” që drejtohej nga i madhi Prenk Jakova. Ai në fillimet e karrierës së tij ka punuar me emrat më të mëdhenj të muzikës shqiptare.

Fizarmonika ishte edhe instrumenti me të cilin filloi të eksplorojë muzikën. Kompozimet e para janë këngët “Çik, o mori çikë”, “Ndal, bre vash”, “Me lule të bukura”, “Bjeri Gajdes Gajdexhi” etj.

Shkollën e mesme e kreu në vitin 1947 në qytetin e lindjes, në Shkodër. Më 1956, Tish Daija kreu studimet në konservatorin “Çajkovski” të Moskës.

Gjithashtu, Tish Daija ka dhënë një kontribut themelor në krijimin dhe zhvillimin e muzikës instrumentalo-simfonike, muzikës së dhomës dhe për krijimin e një tradite të çmuar shqiptare të muzikës klasike.

Së bashku me Çesk Zadejën e Tonin Harapin krijuan klasën e kompozicionit në Konservatorin Shtetëror të Tiranës, ku ka dhënë kontributin e tij si pedagog në formimin e disa brezave kompozitorësh, muzikologësh e instrumentistësh.

Mbas studimeve emërohet në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës. Tish Daija ka qenë udhëheqës artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore për 18 vjet (1962-1980). autor i shumë veprave të mëdha muzikore si, opereta “Lejlaja”, opera “Pranvera”, baleti i parë shqiptar ”Halili dhe  Hajrija”, “Bijtë e Peshkatarit” etj.

Ndërroi jetë në moshën 78-vjeçare në 3 tetor të vitit 2003. /atsh