Mund të besohet që njeriu të mos gëzohet kur del nga burgu? Se jashtë i priste ferri tjetër….

Luan Myftiu u nda nga jeta një vit më parë. Kujto.al sjell, në nderim të vuajtjeve të tij, jo vetëm në burg, por edhe jashtë, një pjesë nga eseja e tij “Dëshpërimi”. Luani u arrestua kur ishte mësues letërsie. E  spiunoi një koleg. Në hetuesi, i kërkuan llogari përse lexonte Dostojevskin. Kur kishte qenë fëmijë, i kishin arrestuar të atin dhe ca kohë më vonë do të humbiste dhe të ëmën, duke e pasur gjallë. Tronditjet e shumta, arrestimi i të shoqit, pushkatimi i të vëllait e më pas i nipit, prangosja si kërcënim nga policët, e thyen forcën e asaj gruaje të bukur, që humbi përgjithmonë në një terr mendor, brenda të cilit nuk mund të njihte më as fëmijët e saj. Luani do të rritej nën kujdesin e së motrës, që ishte fëmijë për vete. U rrit para kohe, por edhe u thinj para kohe, teksa vuante dënimin në burg. E megjithatë dënimi nuk kishte mbaruar kur doli që andej…

Nga Luan Myftija

…Ne duhej të dilnim një ditë prej këtij burgu dhe dita po afronte, sepse ridënimet qenë ndaluar. Megjithatë të ridënuarit vazhdonin të vuanin masën e atij dënimi që vetë diktatura po e quante të padrejtë, sepse komunistët nuk donin t’i mësonin njerëzit me pretendimin për t’i kërkuar drejtësi.

A mund të besohet që njeriu të mos gëzohet kur del nga hekurat e burgut ? Ne kishim humbur shumë, kurse lirimi s’na jepte asgjë. Në burg kishim një numër, për të cilin dikush kujdesej. Aty qemë mjeranë, por të barabartë. Të paktën aty nuk i shihnim me sy keqbërësit se si ndërtonin parajsën e tyre me fatkeqësinë tonë. Ne nuk i detyroheshim aty kurrkujt dhe për asgjë përveç njerëzve që sakrifikonin për ne.

Ne linim në burg pjesën më me kuptim të jetës sonë. Ne ndaheshim prej shokësh që u bënë për ne udhëheqës shpirtërorë për t’u kthyer tek miqtë e vjetër të cilët do të bënin sikur s’na njihnin për të fshehur turpin dhe frikën që i detyronte të na braktisnin. Tani do të fillonim të luteshim për copën e bukës dhe për strehë, dhe do të punonim si kafshë nëpër punë të rënda fizike. Ne duhej të ishim mirënjohës tani për gjithçka, madje edhe për një përshëndetje të rëndomtë njerëzore. Ne duhej të ambjentoheshim tani me shtirjen, të vinim maskën e njeriut të kënaqur, të ishim përsëri hipokritë. Ne duhej ta bënim këtë menjëherë për hir të atyre që vuajtën për ne, nëqoftëse s’donin t’i shtonim vuajtje të reja. Ne hynim në jetën e “lirë” si skllevër kryesorë të diktaturës, si njerëz të tepërt të pranuar në shoqëri. Ne ishim tepër të ndrydhur dhe prania jonë do t’i shqetësonte njerëzit. Qëndrimet dashamirëse do të ishin të pakta dhe s’mund ta mbushnin vetminë tonë kronike. Ne do të jetonim vetëm me kujtime të frikëshme. Ne ishim një akuzë për shoqërinë që na kish mbyllur në kafaz pa faj dhe na duhej art i veçantë të zbusnim zemërimin e pakuptueshëm që i shkaktonin asaj thinjat tona tm parakohëshme. Ne duhej ta bënim bishën komuniste të mos ndihej e fyer që na kishte “kafshuar” e sharë pa të drejtë. Dhe ja ku dola një ditë nga porta e ferrit me zemrën akull dhe me mendimin se aty do të kthehesha përsëri. Më dukej sikur aty qe shtëpia ku kisha lindur dhe isha rritur sepse aty e ripërtypa për dhjetë vjet me rradhë ghithë jetën time. Më dukej sikur aty duhej të qe vendi për çdo shqiptar të mirë. Ndjenjat na qenë tharë e mpirë dhe truri qe trullosur, ne u mësuam me ethet e pasigurta dhe qetësia na shqetësonte. Hyra në jete gati i plakur, pa familje dhe pa spresë për të krijuar një të tillë. Hyra pa shtëpi, pa punë, pa të ardhura, madje dhe pa tesha për t’u veshur sepse edhe ato më qenë sekuestruar në kohën e arrestimit. Tani terrori qe zbutur disi, kishte premtime, por ato qenë më shumë propagandistike, sepse paragjykimet klasore ruheshin ende dhe mua më pritën po me atë gjuhë të ftohtë, veç pak “të moderuar”.

Për të siguruar një punë të rëndomtë fizike, duhej të prisje me orë të tëra prapa dyerve të zyrave të punës, ku po ata njerëz që të premtonin me një mirësjellje të shtirë, të nesërmen silleshin sikur s’të kishin parrë kurrë. Më duhej të largohesha çdo ditë i fyer duke shpurë tek njerëzit e mi gënjeshtrat e nëpunësve pa shpirt dhe dëshpërimin tim. Për hir të këtyre njerëzve të dashur duhej të kapërdije përbuzjen e nëpunësve komunistë të korruptuar, të cilët duke të të lufluar si armik klase, mbulonin nga sytë e diktaturës akroballëqet që bënin në kurriz të popullit.

Vetëm mbas tre muajsh më caktuan të punoja në një ndërmarrje, ku më duhej të bëja rreth 4 orë rrugë në këmbë çdo ditë. Meqë aty stërmundohesha dhe shpërblimi ishte qesharak, i pikëlluar mbas gjashtë muajsh braktisa punën dhe nisa t’i lutem me letra kryeministrit që të më jepej një punë jo e rëndë fizike, me të cilën mund të siguroja jetën e përditshme. Më në fund erdhi dhe përgjigja prej tij, të cilën nuk ma lexuan, por u mjartuan duke më thënë se urdhëronte të kthehesha në punën ku isha para gjashtë muajsh. Nga ana tjetër më ftuan në në takim në Komitetin Ekzekutiv, ku pas një “debati” midis tyre të inskenuar, që më parë vendosën të më dërgonin në një ndërmarrje ndërtimi, në sektorin e saj që mbulonte fshatin. Kështu dhe ruajtën “autoritetin” e tyre, dhe shpunë në vend porosinë “njerëzore” të liderit komunist; që kish lejuar të jetoja edhe unë në këtë botë si një kafshë pune.

Mbas tre vjet pune të rëndë e poshtëruese u bë fjalë se mund të më jepej nga ndërmarrja një dhomë banimi me qira, madje më futën edhe në listën e atyre që ishin fare pa shtëpi, por kjo qe vetëm një manovër e rëndomtë për t’u shitur liberalë para opinionit.

Pa shokë e miq, pa qëllime e në një dhomë të ngushtë, ku s’mund të lëvizje pa u përplasur me pjesëtarët e tjerë, u përpoqa të gënnjej veten se për diç vleja, duke ndihmuar nipërit në mbarëvajtjen e tyre në mësime. Kisha nevojë të harroja veten mes njerëzish, por s’ishte e lehtë t’i shpëtoje vetmisë së thellë, sepse njerëzit, qofshin edhe ata më dashamirësit, ishin aqë të mbytur në prokupimet e përditëshme, sa s’kishin as kohë, as nerva të merreshin përditë me mua.

Jeta për ne qe një “mollë e ndaluar”.

Ne që kishim përballuar furtunat e terrorit dhe për këtë duhej të ishim krenarë, diktatura s’na lejonte të manifestonim as hijen e personalitetit. Ne duhet të ishim etaloni i njeriut të përulur, mirënjohës për giithçka e pa pretendime. Ne kishim dalë nga burgu pa kusht, por për ne kish një kusht tjetër më të rëndë se ai ligjori, opinioni, i cili përfaqësonte për ne ligjin. Për ne qenë të mbyllura portat e miqësisë, të gëzimit të jetës intelektuale. Ne duhej të duartrokisnim vetëm intelektin e kultivuar të bijëve të komunistëve dhe të lumturoheshim që s’po na dënonin më pa shkak. Dhe kjo na bëri vërtet të merrnim pak frymë e të shihnim më thellë mjerimin tonë.

Ajo pak zbutje e klimës politike që kish nisur pas vdekjes së diktatorit, ne na dukej si një periudhë përgatitore për goditie të reja kundër nesh, prandaj frymëmarrja na mbahej në mes dhe censuronim të terrorizuar mendimet tona. Dhuna komuniste është një mister i frikshëm, së cilës i trembej edhe një njeri që do të shkonte vetë me dëshirë, në burg. Frika shumë herë nuk i nënshtrohet logjikës.

Përse na duhej neve kjo “liri” ? Ne s’bënim as jetë shpirtërore. Në fund të vetëdijes sonë qëndronin kufomat e pafajshme të prindërve tanë. Pafajësia e dënuar padrejtësisht një jetë të tërë mund të krijojë mjeranë, frigaçë, ashtu si demokracia e vërtetë njerëz të lumtur e krenarë. Nuk mund të ketë trimëri individuale mes turmash të terrorizuara.

Në foton kryesore: kopertina e librit “Nën terrorin komunist” i autorit Luan Myftiu.