reklamë

“Mundimet e Martirëve të Karadakut”, tregim nga Ndue Ukaj

Ndue Ukaj

Nga Ndue Ukaj

Ne jetonim në një rrafshnaltë, ku shtriheshin shtëpi të rralla e të punuar me gurë, nëpër të cilat dukeshin gjurmë dhimbjesh, kurse rreth e përqark nesh shtrihej një horizont i bukur, ku të puthitura me qiellin rrinin madhështore kreshtat e Maleve të Sharrit. Përpara ishte maja e Lubotenit, një pikë ku toka dukej se ishte përqafuar me qiellin.

Kishin kaluar shumë stinë e shumë mote prej kur ne zgjoheshim pa e ditur se si do të na zinte muzgu i mbrëmjes dhe na përpinte errësira, pa e ditur se çfarë do të prisnim në mëngjes.

Jetonim fshehurazi. Mashtronim vetveten dhe të tjerët deri një ditë, kur gjërat u duk se morën kthesë të re, si në një fillim të ri e fatlum.

Katundi ynë Stublla kishte një pamje të bukur dhe horizonti përpara nesh ishte madhështor. Por ne nuk gëzonim pothuajse asgjë, sepse jetonim tinëz. Një jetë vjedhurazi, duke mashtruar ditën se ishim muhamedanë e natën jetonim si katolikë.

Nuk ishim në vend të huaj, por në tokën tonë, thithnim ajrin e pastër të maleve madhështore dhe freskoheshim në ujërat e pastër, që përshkonin tokat e bekuara të të parëve tanë, që tash e sa kohë i shkelte këmba pushtuese, që donte të na bënte të gjithëve turq, të flisnim në gjuhën tyre dhe t’i rrisnim fëmijët siç dëshironin ata. Turqit donin që të harronim gjithçka tonën, Kryezotin tonë dhe të betoheshim përpara sulltanit.

Dhe vërtet ishte vuajtje e madhe të jetoje në një vend të tillë dhe të mos jetoje i lirë, të mos ndjenim atë aromën e bukur të lirisë, përskuqjen magjepsë të perëndimit të diellit, të mos i shijonim ato bukuri, freskinë e maleve, shijen e ujërave dhe ngrohtësinë e diellit. 

Ne vuanim gjatë nën thundrën e turkut dhe donim të dilnim në liri, ndaj u gëzuam pafund, kur një ditë dëgjuam se në qendrën e perandorisë u dha një ferman për liri të fesë.

Ne bëmë kryq të gjithë përnjëherë dhe nga gratë tona u spërkatëm me ujë të bekuar. Qe një rrezatim i çuditshëm që na përshkoi mendjen e zemrën dhe u gëzuam pamasë, aq sa zemrat tona e çonin galdimin deri në kupë të qiellit.

Ishim mbledhur në shtëpinë e Ndre Markut, pranë kroit gurgullues të Stubllavaçës dhe gojët tona u hapën përnjëherë, si t’i kishte përshkuar një fuqi e epërme dhe ne u lutëm shqip, në zë, u lutëm në fenë e Jezu Krishtit, lumnia e të cilit na shoqëronte natën, por të cilin zemërthyer e braktisnim ditën, nga frika që na vinte prej ushtarëve të tërbuar turq, që na rrihnin e keqtrajtonin për hiçgjë, zi e më zi.

E kur vendosëm që të jetonim të lirë, në fenë tonë, na u duk sikur nga një acar i akullt dolëm në rrezet e diellit dhe hoqëm rrobat e këqija e të ndotura nga trupat tanë dhe përnjëherë morëm trajtë tjetër.

Po, tani ne ishim të vendosur që të jetonim të lirë, të çliroheshin nga ankthi i gjatë i viteve të jetuar tinëz, një jetë që Zoti na ruajt, mos i ndodhtë kujt, as turqve që na kanë pru shpirtin në fyet, na kanë rrëzuar tempujt tanë, pra as armiqve tanë, sepse ne jemi mësuar, siç na ka porositur Aty ynë, t’i duam të gjithë njerëzit, madje edhe armiqtë. 

Siç mund të keni dëgjuar ne bënim jetë të dyfishtë, natën ishim të krishterë kurse ditën myslimanë dhe kjo jetë mos qoftë jetë, ishte një makth i tmerrshëm.

Një ditë na vizitoi një i huaj, thanë se është nga tokat e largëta, nga ato vendet e tjera, të perandorisë Austro-Hungareze. Ai erdhi bashkë me fratin e ardhur prej Shkodre dhe na premtoi se së shpejt edhe ne do të guxonim të vendosnim për veten tonë, të jetonim siç dëshironim, katolikë apo myslimanë.

Pas shumë shekujsh kishte ardhur koha që lindjen e mëngjesit dhe perëndimin e diellit të mos i përcillnim me trishtim, por si gjithë bota, të bënim ç’të na donte zemra, të dilnim në fusha e të këndonim këngët tona, të shkonim në kishë dhe të luteshim shqip dhe të mos jetonim një jetë të fshehtë, një jetë që s’mund të quhej jetë.

***

Dy të rinj me kuaj të shpejtë shkuan t’i përhapnin lajmet e gëzueshme edhe te fshatrat e afërt dhe shpejt oborri i Ndrekës u mbush plot e përplot njerëz.

Në orët e fundit të pasdites u kthye edheIzaku. Ai porsa kishte ardhur nga pazari që bëhej në Gjilan dhe me dy kuajt e tij të lodhur dhe me qerre të ngarkuar hyri në oborr, mbylli derën me shul dhe na tha se kishte dëgjuar nga laramanët e tjerë të Gjilanit se diçka e çuditshme përflitej atje larg në qendër të perandorisë. Lajmi se perandoria do ta lejojë besimin tonë kishte marrë dhenë dhe kudo flitej për këtë ferman ogurmirë.

Por lajmet që vinin nga porta e lartë për ne nuk ishin aq të kthjellta, fundja, ne tash e sa shekuj, prej kur vdiq kryetrimi ynë, Gjergji i madh, jetonim në terr dhe asnjë lajm s’na vinte i kthjelltë, tha ai dhe çoi një gotë raki për shëndetin e fshatit e duke e lavdëruar shëlbuesin tonë.

Ndreu, më i urti i katundit dhe nga të rrallët që dinte shkrim lexim, kishte udhëtuar deri në Shkodër, e prej aty në Vjenë e Romë, çoi një dolli për lajmet e gëzueshme.

Dielli i asaj dite ishte i ngrohtë.

Ishte fillimi i pranverës. Mars. Natyra bëhej madhështore.

Pas dy orësh na u bashkuan edhe disa burra të fshatrave përreth. Dhe u bëmë tridhjetedy ose më shumë.

Ne vendosëm njëzëri që të shkonim në Gjilan dhe t’i tregonim beut të dheut tonë se ne ishim shqiptarë e katolikë dhe jo turq e as myslimanë.

Pastaj ngremë sërish dolli, nën hënën madhështore, hëngrëm mish të thatë e djathë të dhive tona dhe kënduam këngë të moçme, të cilat kohë të gjatë i kishim kënduar fshehurazi. 

Të nesërmen në mëngjes e lamë të mblidheshin te oborri i shtëpisë, ku herë pas here vinte meshtari fshehurazi dhe bekonte e ndonjëherë ndante ndonjë pagëzim a sakrament tjetër fshehur. 

Kur ra errësira, ne u ndamë. Qe një mbrëmje e bukur dhe prej shtëpisë së Ndreut shiheshin fushat e pafundme të Anamoravës deri te Bjeshkët e Sharrit.

Ajo natë ishte e zhurmshme. Trokëllimat e kuajve nuk u ndalën dhe kjo qe shenjë se stuhia mund ta godiste fshatin tonë.

Ne shkuam në gjumë, në atë mbretëri të vetme, ku s’na kontrollonin turqit, ndonëse edhe në atë pjesë të jetës ndodhte që ëndrrat të na trishtonin.

Mëngjesi qe shumë i bukur. Ne u mblodhëm te vendi ku ishim marrë vesh dhe pasi morën bekimin e meshtarit u nisëm për në Gjilan. Karvanit tonë i priu çerdhja e Ndre Markut.

Bëmë tri orë e më shumë udhë dhe kur arritëm te porta e beut, rojet na thanë se duhej që të prisnim derisa beu të dilte nga një takim i rëndësishëm dhe të përcillte disa gjeneralë të rëndësishëm, që i kishte çuar sulltani nder ato anë.

Ne u këqyrëm ndërmjet veti. Një frikë nuk kishte se si të mos dukej aty, ku gjithçka ishte e veshur me tis të egër pushteti. 

Por kur erdhi koha që të futeshim brenda, ishim të fortë si guri. Pa një pa dy i thamë beut se kishim ardhur nga Stublla dhe ishim bashkuar me disa fshatra të tjerë dhe donim t’ia bënim me dije beut e sulltanit se prej atij momenti ne do të jetonim si të krishterë shqiptarë dhe nuk pranonim më të jetonim vjedhurazi, sepse ishte jetë e mundimshme, jetë e shpërfytyruar që s’i bënte mirë askujt.

-Kështu, – tha Ndreu me zë të qetë, por kumbues, – ju mashtrojmë ju dhe e mashtrojmë vetveten.

Beu i Gjilanit na shikoi ashpër. Në fytyrën e tij vërehej një përbuzje dhe u bë tejet i zemëruar  aq sa na u duk si mbi ne lëshoi gjembat e tij mizorë, që dilnin përmes syve të tij të mëdhenj e të mbuluar nga vetulla si thupra të mprehta. 

Pastaj Izakun e thirri në një zyrë tjetër, i premtoi tokë e çka e jo tjetër që t’ia donte zemra, gra të bukura, pasuri, pushtet, vetëm e vetëm që të hiqte dorë nga ajo fe e mallkuar, por kur e kuptoi se çdo gjë qe e kotë dhe se vendimi ynë qe i pathyeshëm, ai urdhëroi dy roje të forta, ta rrihnin me disa të goditura me kamxhik.

Pastaj të njëjtin veprim e përsëritën edhe me Ndre Markun e një Tomë Ukën.

Dhe ashtu pak para se të binte errësira, beu i tërbuar urdhëroi që të gjithë të mbylleshim në burg deri të nesërmen në mëngjes dhe gjatë asaj nate të gjatë të kishim kohë të mendoheshim mirë, t’i kujtonim gratë tona të vetmuara, fëmijët në djep dhe të hiqnim dorë prej fesë së mallkuar të Krishtit e t’i nënshtroheshim sulltanit mëshirëplotë dhe fesë së Muhamedit.

Të nesërmen ne u zgjuan si të ishim ndritur nga një thirrje e epërme. Ishim më të fortë se dje, edhe pse të paushqyer. Në ora nëntë na çuan sërish të lidhur para beut. Kur hymë brenda, ai urdhëroi rojet të na hiqnin prangat nga duart tona dhe vetë një kohë të gjatë u vërtit në një sallon të madh me një thupër në dorë, pa thënë asnjë fjalë.

Atëherë na u afrua dhe Ndrekës i tha nëse donim t’i përuleshim sulltanit të madhërishëm apo të hidheshim përsëri në burg, ku do të digjeshim si në ferr.

Ne u përgjigjëm se pa liri ne ishim në burg, prandaj kërkonim që të dilnim prej burgut, duke i përmendur lajmin që kishim dëgjuar se vetë sulltani kishte dhënë urdhër që njerëzit në perandori të mund të besonin në çka t’iu donte zemra.

Beu u tërbua sërish dhe urdhëroi të futeshim përsëri nëpër biruca dhe të mendoheshim mirë deri pasdite.

Ne ishim të vendosur dhe u treguam se të kota ishin ato lutje e tortura, të kota ishin edhe premtimet, të kota ishin edhe rrahjet me kamxhik: ne do të vdisnim ose të jetonim siç donim ne. 

Beu u tërbua. Sillej si i çmendur dhe herë pas here shikonte përjashta ushtarët që rrihnin të gatshëm të zbatonin urdhra.

Pastaj i pafjalë dhe tejet i mrrolur, u largua dhe ushtarët e tij na kthyen përsëri në birucat e errëta të burgut të Gjilanit. 

Pasditja erdhi vrik. Ne shikonim përmes vrimave lëvizjet përjashta, diellin e ngrohtë pranveror dhe ëndërronim të dilnim sa më parë.

Beu doli para nesh dhe përsëriti të njëjtat skena, na premtoi toka, gra e ç’të na donte zemra që ne të hiqnim dorë prej kërkesave tona. Por, përgjigjja jonë qe e prerë dhe e qartë: ne s’donim asgjë, pos të jetonim si të donim vetë në shtëpitë tona e tokat tona të vjetra dhe i treguam se për këto ideale donim edhe të gozhdoheshim në kryq, ashtu siç ishte gozhduar ai që na jepte frymëzim dhe paqe të brendshme.

Atëherë ai na la të lirë që të shkonim në shtëpi. Ne u gëzuam pamasë dhe të shastisur u nisëm drejt shtëpive tona, ku na prisnin njerëzit tanë të dashur.

Pas tri ore e më shumë udhë, mbërritëm në katund. Gratë dolën të na prisnin të gëzuara.

Ne u treguam çka kishte ndodhur. 

Pastaj deri vonë kuvenduam në oborrin e Izakut dhe u shpërndamë nëpër shtëpitë tona.

Pas dy dite, ushtarët e tërbuar turq erdhën dhe na morën të gjithëve. Vaji i fëmijëve dhe grave ishte i madh sa u frikësuan edhe kafshët në grazhde dhe zogjtë në qiell.  Na ngarkuan në disa qerre, duarlidhur dhe na tërhoqën pa na pyetur nga shtëpitë tona. Na çuan në Prishtinë, para sanxhakbeut të madh. Atje na u kërkua sërish të hiqnim dorë nga kërkesat tona ose ndryshe do të na çonin larg në skajet e perandorisë, ku s’do të na shkonte mendja për kryq të Europës, e ku do të përuleshim me dëshirë para sulltanit të madhërishëm.

Ne, me vendosmëri, përsëritëm ato që ia kishim thënë beut të Gjilanit.

Udha jonë e mëvonshme ishte përplot tortura të pandërprera. Disa prej nesh i lidhën pas kuajve dhe i tërhoqën zvarrë nëpër qytet. Pas disa ditësh, na çuan në Shkup dhe pastaj na thanë se do të na përsëritën të njëjtën gjë se do të na hupnin farën diku në skajet e perandorisë, ku do të zhbëheshim dhe dëshira për liri do t’na vyshkej.

Por çuditërisht guximi ynë rritej dhe kjo i tërbonte ata.

Pas dy javësh ne ishim në Selanik, të ngarkuar si mall për shitblerje, pa e ditur çka do të ndodhte të nesërmen me ne.

Një mbrëmje na thanë se në orët e para të mëngjesit duhej të niseshim me anije në tokën kur jetonte vetë madhëria e tij, sulltani, ai të cilit i përuleshin i madh dhe i vogël. Ne s’bënim zë dhe s’na bënte përshtypja ajo që thuhej, veç luteshim në heshtje. Aty na u bashkua edhe meshtari dhe kjo na gëzoi. Pastaj u shfaqen tre njerëz që kishin dëgjuar për vuajtjet tona, njëri ishte i Austrisë, një i Italisë dhe tjetri i Francës.

Në mëngjes deti qe i qetë, por në mbrëmje u trazua. Ne ishim në ujë dhe lundronim drejt qendrës së perandorisë. Deti sikur të kishte nuhatur se anija jonë barte dhimbje dhe mërzi, turfullonte i tëri. Ushtarët silleshin të shqetësuar. 

Fëmijët qanin, kurse ushtarët turq na godisnin pamëshirshëm. Përgjatë atyre orëve të trazuara, kur anija ku ndodheshim ishte në stuhi, ne u keqtrajtuam, u dhunuam dhe u rrahëm pamëshirshëm. 

Ora më e tmerrshme qe katër e mëngjesit e ditës së re, kur na sulmoi një dallgë dhe anija jonë për pak sa nuk u fundos. Ushtarët turq të tmerruar mbaheshin fort pas shtyllave të anijes.

Një nuse jona e re, e mbante foshnjën e saj në gji dhe përpiqej ta qetësonte, por vaji i foshnjës qe i tmerrshëm. Një oficer turk fytyrëprishur, duke turfulluar si qen i keq, ia kapi fëmijën nuses prej dorë dhe e hodhi në det.

O Zot, sa u tmerruam.

Nusja u mërzit aq shumë dhe u sëmur e pas katër ditësh vdiq pa mbërritur në tokën turke. Burri i saj i pezmatuar ia nguli thonjtë e pa prerë disa javë oficerit turk në fyt dhe e mbyti në vend.

Atëherë, ata na rrahën të gjithëve, burrin e saj e futën në një birucë dhe më kurrë s’e pamë me sy.

Kur zbritëm në tokën turke, na morën ushtarë të tjerë turq. Me ne ishte edhe një përkthyes që e kishin marrë nga Gjilani. Meshtari na dha bekimin, kurse tre të huajt tërë kohën mbanin shënime.

Bëmë edhe dy ditë deri në fushat e thella të Anadollit, në një kënetishte të tmerrshme që kundërmonte erë të rëndë. Më nuk na rrahën. Na dhanë tokë të shkreta dhe na thanë të punonim e të ushqeheshim vetë. Nuk kishim as kishë e as meshtar dhe ata na thanë se këtu s’kishim shtegdalje tjetër pos të adhuronim sulltanin dhe fenë e tij.

Ne dy vjet qëndruam aty. Atje lindën disa fëmijë dhe vdiqën shumë të tjerë. U mbush një livadh me varre.

Ne për çdo natë ëndërronim vendet tona, bagëtinë e lënë shkretë, arat tona dhe bukuritë e vargmaleve e fushave përreth. 

Pas dy vjetëve ne ishim kthyer në qenie të tjera. Të dobësuar nga klima e pajtueshme dhe ushqimi i keq, fytyrat tona ishin të rrudhura, të tkurrura e të trishtuara.  

Një ditë na vizituan disa të huaj të veshur bukur, me disa qerre që thanë se vinin nga Stambolli dhe bashkë me ta disa oficerë turq na thanë se do të iknim nga ai vend, do të shkonim në një vend tjetër, në Francë, Itali apo Austri ose do të ktheheshim në atdheun tonë.

Sytë tanë u hapën dhe zemrat tona u bënë mal.

Ne refuzuam të shkonim në tokat e lira të këtyre vendeve, me galdim shpirti, u nisëm udhës së kthimit, në vendin tonë.

Asgjë nuk kishim çka të merrnim me vete, pos disa rroba të leckosura, kujtime të trishta, dhimbje, por krahët e lumturisë ishin më të fortë, në po ktheheshim ngadhënjyes – e kishim fituar atë për çka kishim sakrifikuar – dhe kjo ishte lumturi qiellore.

Prapa lamë shumë varre dhe mërzi dhe njëzëri vendosëm të ktheheshim në vendin tonë, një vendim që i habiti të tre përfaqësuesit e huaj.

Udhës së kthimit për në shtëpi na u duk se me ne ishte Jezusi, si në atë tregimin e ringjalljes, kur u shfaq udhës për Emaus dhe ne fluturonim nga një gëzim, që nuk dinim nga vinte.

Pas disa ditësh, kur mbërritëm në Stubëll, Ndreu e nxori nga rrobat e tij një kryq të vogël që e kishte ruajtur dhe të gjithë e puthëm, u përqafuam dhe filluam një jetë të re.

Beu i Gjilanit na thanë se kishte vdekur i pezmatuar dhe ditët e fundit i kishte kaluar me një krizë të rëndë mendore. 

Oborret e shtëpive tona, ndërkaq, ishin mbushur me thera, por bukuria e kthimit në atdhe ishte më e madhe se çdo dhimbje.

Të nesërmen qiejt u hapen. Ishte sërish pranverë dhe një horizont i bukur u shfaq përpara nesh.

(Nga libri me tregime, “Shtegu i të verbërve, Onufri, 2024)

ObserverKult


Lexo edhe:

Ndue Ukaj: Mëkati më i madh