“Muri i kujtesës”, mozaiku që përjetësoi fotografinë e cila tronditi botën

Fotografia e nënës së re, Sherife Luta, dhe vajzës së saj disa javëshe Besiana gjatë luftës së Kosovës së vitit 1999 u kthyen  në treguesin më të mirë të vuajtjeve të shqiptarëve që po dëboheshin nga Kosova.

22 vite më vonë artisti Fatos Kabashi e ka përjetësuar këtë fotografi në mozaikun “Muri i kujtesës’’. Në një intervistë në emisionin “ Rreze Dielli” në Report Tv artisti tregoi më tepër për këtë punim.

“Mozaiku është vendosur në zonën kufitare Kosovë-Maqedoni, aty ku kanë kaluar mbi 4 qind mijë shqiptarë civilë gjatë kohës së luftës” tha ai.

Për artistin puna e një mozaiku të tillë do të thotë emocion i madh dhe i papërmbajtshëm. Gjatë kohës që ka punuar këtë mozaik artisti është prekur e madje ka derdhur edhe lotë pasi ende i kujtohen përjetimet e luftës:

“Unë kam qenë 12-vjeçar, kam qenë fëmijë, edhe e mbajë mend periudhën e luftës ku kemi shkuar, ku kemi kaluar nëpër male, nëpër fshatra, në kushte primitive ku kemi kaluar. Mirëpo familja ime ka kaluar nga kufiri shqipërisë nga pjesa më e lehtë”, u shpreh ai.

Një punim që e ka kryer me shumë dashuri por që ka mbetur paksa i zhgënjyer nga organizatorët e evenimentit për prezantimin e këtij projekti:

“Ka qenë projekti i madh, dhe punën kryesore e kam bërë unë në atë projekt dhe nuk mundem ta fajësoj askënd përshembull që s’më ka dhënë mirënjohje  ose s’ma ka përmendur emrin ose s’më kanë dhënë fjalën që të përshëndes mysafirët. Mirëpo mund të them që ka qenë një neglizhencë, jo organizim i mirë dhe e kanë lënë si në harresë nuk e di për çfarë arsye. Të gjithë pjesëmarrësit kanë marrë mirënjohje mirëpo mua nuk më është dhënë rasti” përfundoi ai./shqiptarja.com

LEXO EDHE: Rihapet Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venecias