Piktori i njohur Mustafa Arapi shprehet se për jetën artistike në vend, nuk ka vëmendje nga institucionet. Me probleme ai shikon jo vetëm se si funksionon sot Galeria Kombëtare e Arteve, por dhe sa bën Ministria e Kulturës për të ndihmuar artistët në aktivitetin e tyre krijues. Në intervistën për “SOT” piktori shprehet se në GKA artistët e njohur nga Shqipëria nuk i afron kush për të hapur ekspozita, ndërsa ky institucion vazhdon të ketë më shumë vëmendje tek të huajt. Për piktorin kjo nuk është e drejtë, ndërsa shprehet se sot institucionet duket se po tallen me artistët. Piktori Mustafa Arapi është i vlerësuar me krijimtarinë e tij ndër vite brenda dhe jashtë vendit, por sipas tij përballë kësaj gjendje që është sot në art, artistët nuk duhet të qëndrojë indiferentë. Me kritika piktori është dhe për mungesën e një konkurs kombëtar. Sipas tij, duhet të jetë një konkurs për artistët e artit figurativ, që duhet të organizohet nga institucionet si dikur. Ndër vite piktori Mustafa Arapi është nderuar me çmime të ndryshme për aktivitetin e tij. Në 1985 merr çmimi i dytë në konkursin kombëtar për pikturë në Tiranë; 1989 i dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri” nga parlamenti shqiptar, për nivel të lartë artistik në krijimtari. Më 1995 çmimi i parë në ekspozitën ndërkombëtare të artit bashkëkohor “Ëorld Concept” dhe vepra bëhet fond i Muzeut Nacional të Arteve të Bukura të Budapestit, Hungari. Në vitin 1995, çmimi i parë “Onufri”, Tiranë. 1998 çmimi i parë nderi në Bienalen Ndërkombëtare të Grafikës, me pjesëmarrjen e 1800 grafistëve nga vendet e botës, Racibors, Poloni. Në 2012 çmimi i parë në konkursin mbarëkombëtar “100-vjetori i Pavarësisë” në Mitrovicë, Kosovë, po këtë vit çmimi i Nëntorit për vizatimin më të mirë në konkursin mbarëkombëtar “100-vjetori i Pavarësisë” në Gostivar, Maqedoni. Në aktivitetin e tiji është fitues i 10 çmimeve të para, në konkurset kombëtare për krijimin e pullës postare shqiptare.
-Jemi në muajin e fundit të vitit, si kanë qenë angazhimet artistike për ju?
Për këtë vit unë kam përfunduar restaurimin e pikturave të katedrales katolike në Prizren. Ky ishte një projekt, që u bë para dy vitesh, i miratuar nga Ministria e Kulturës në Kosovë, me 170 faqe dhe i detajuar shumë mirë. Kam punuar për një vit e gjysmë dhe u mbyll me sukses. Por gjatë kësaj kohe unë kam qenë me të tjera angazhime. Kam pasur ftesa në simpoziume, që janë zhvilluar në Europë. Një shtator kam pasur ftesë për një simpozium në Akademinë e Arteve të Napolit, aty ku unë bëra dhe performancë mbi pikturën time. Ishte një eksperiencë e bukur, por gjatë këtij viti mund të kem marrë pjesë në rreth 10 simpoziume si në Beograd, Sofje, Bullgari, etj, e fundit ishte në Napoli. Kryesisht kam realizuar peizazhe, që janë formate të mëdha. Më ka tërhequr shumë peizazhi kohët e fundit dhe kam menduar të bëj një ekspozitë me peizazhe, por gjithmonë i rezervuar, sepse në këtë situatë që është sot dihen problemet.
-Një ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Arteve e do të kërkoni?
Duke u nisur nga këto, që bëhet dhe përballë kam një bunker si GKA, nuk e marr kurajën që të shkoj të them për ekspozitë personale. Unë nuk shkoj ti lutem titullarit. Unë jashtë kam hapur ekspozita, por dua të jem edhe në vendin tim. Ç’ne një drejtor, që na vjen nga Kosova në GKA? Nuk paska njerëz të zgjuar në Shqipëri? Me sa di unë ne kemi plot.
-Një nga muzetë më të rëndësishëm në botë, ai i Budapestit ka veprën tuaj në fond. Si u bë e mundur kjo?
Ishte një konkurs ndërkombëtar “World Concept”, ku morën pjesë 100 piktorë nga gjithë bota, që u hap në Muzeun Nacional të Arteve të Bukura në Budapest. Ai muze është një nga katër më të famshëm në botë si nga vlera, por dhe nga sasia e veprave që gjenden aty. Pas shumë seleksionimeve në atë konkurs ngelën 35 artistë, dhe unë u vlerësova me çmim të parë, ku vepra ime që quhet “Tre shenjtorët”, që ka frymëzim nga ikonografia bizantine është fondin e atij muzeu.
-Ju jeni kritik për GKA se si po funksionon si institucion. Për ju çfarë duhet të ndryshojë?
Artistët nuk janë të kënaqur se si po funksionon Galeria Kombëtare e Arteve. Unë dhe kolegë të mi nuk dimë se çfarë është ky drejtor. Ne nuk po kërkojmë që të jetë artist, por të jetë një menaxher i mirë. Ai ka krijuar një ide sikur është një tip enigmatik dhe mospërfillës. GKA është kthyer si bunker. Drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve është shërbëtori jonë, i artistëve, duhet të na rrijë ai na gati dhe jo ta lusim ne atë. Ka pasur raste, që kanë dashur të hapin ekspozita dhe ai nuk ka pranuar. Në GKA i hapin ekspozita peronave, që janë të panjohur dhe vijnë nga jashtë e qëndrojë disa muaj aty dhe nuk hapen për autorë të njohur shqiptarë. GKA ka pasur jetë dikur, por sot është si bunker. Më bën përshtypje edhe që tani aty shohim një instalacion në fasadën e GKA. Unë mbështes atë që thonë dhe tjerë artistë, që është bërë gabi GKA. Nuk i shkon galerisë ajo, aq më tepër në këtë situatë që janë kaq probleme në vend çfarë duhet ajo. Kujt i hyn në punë ai instilacion? Madje dhe “Reja”, që u vu përballë GKA nuk e kuptoj pse duhet të rrijë aq gjatë. Po na pushtojnë artistët e huaj në GKA. Në rregull kur hapet një ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve me vepra të artistëve që janë të shquar, por me këto që ndodhin tani nuk e kuptoj. Unë i bëj thirrje artistëve, që të mos rrinë indiferent me këtë situatë, mos rrinë në kafene, sepse po tallen me ne si artistët.
-Artistët të ndryshëm vazhdojnë të jenë kritikë ndaj kësaj situate për GKA. Po për Ministrinë e Kulturës, çfarë mund të na thoni?
Unë shikoj një indiferencë nga Ministria e Kulturës dhe kjo jo vetëm këtu, por kudo. Ministria e Kulturës duhet që në çdo drejtori të vërë njerëz kompetentë dhe të punojnë, të bëjnë programe, të jenë sa më transparent kur bëhen projektet. Tek ne ka gjëra absurde. Restaurohet Guri i Përmetit, kur aty pranë është një kishë dhe nuk restaurohet. Nuk vihet dorë sot tek afresket. Nëse bëhen punime në arkitekturën e monumenteve duhet të shoqërohet me restauratorët dhe me specialistët e afreskeve. Ky është ligj ndërkombëtar, që nëse ndërhyhet në arkitekturë dhe bëhen punime restauruese duhet të jenë prezent restauratorët e pikturës se afreskeve. Tek ne nuk bëhen restaurime në pikturën murale. E vetmja punë, që është bërë ka qenë ajo në kishën e Shën Thanasit në Karavasta, dhe që nga ajo kohë unë nuk kam parë më.
-Si e shikoni sot Institutin e Monumenteve të Kulturës? Për ju si duhet të funksionojë ky institucion?
Unë jam larguar para disa vitesh nga IMK. Por që kur jam larguar nuk jam thërritur më për asnjë problem, që mund të ketë qenë me veprat e artit. Edhe kur u bë inaugurimi i muzeut të Korçës nuk isha i ftuar as si dëgjues. IMK është katandisur si kaposhi një thelë. Kanë mbetur dy persona, që merret me restaurimin e veprave të artit.
-Ju para disa vitesh keni punuar me pavionin e ikonave në GKA. Jeni në dijeni se çfarë ka ndodhur?
Në kohën kur ka qenë drejtor Alush Shima në punuam me atë për të bërë një pavion në kat të dytë, por më pas ai u hoq. Unë nuk e di se çfarë bëhet, ku janë ato ikona, gjendjen e tyre. Aty ka pasur dhe Onufër, dhe vepra të tjera.
-Tani nuk është më konkursi “Onufri”. Por ju keni qenë kritik ndaj tij. Pse?
Unë jam shprehur publikisht dhe më parë, që konkursi “Onufri” u degjenerua dhe bënë mirë që e mbyllën. Por tani unë mendoj që këtu duhet të funksionojë një konkurs i vitit, dhe të shpallet fituesi. Të bëhet një konkurs kombëtar nga institucionet. Të bëhet konkurs jo me të huaj, por me shqiptarë dhe të shpallet me çmime si ka qenë më parë dhe në kohën para ‘90. Një konkurs për artistët figurativ, jo instalacione e performanca. Në ato kohë kur tek ne zhvillohej një konkurs kombëtar, artistët kanë qenë në lëvizje dhe mendonin për të bërë gjëra të bukura. Në këtë konkurs duhet të ketë seleksionime për pjesëmarrjen dhe çdo gjë të jetë transparente për zhvillimin e tij. Nëse bëhen gjërat transparente shkojnë mirë.
-Si e shikoni problemin, që GKA nuk blen më vepra arti si dikur?
As që bëhet fjalë të blejë GKA vepra arti. GKA duhet ta ketë si projekt, që ku ka vepra arti të mirëfillta të ketë mundësi të blejë nga autorët, sepse është gjynah që të shkojnë jashtë. Unë vetë kam shitur vepra arti jashtë. Unë në fondin e GKA kam 12 vepra arti. Mendoj se është mirë kur blihen dhe kjo të behet me komision, me njerëz që marrin vesh dhe kjo pasuron GKA.
-Përballë këtyre problemeve si e shikoni zhvillimin e artit dhe kulturës në vend?
Këtu ka heshtje dhe piktorët janë të tulatur, nuk kanë një kënaqësi siç ka qenë më parë që të merren me pikturën, të punojnë, të bëjnë ekspozita si ka qenë më parë. Ne nuk po kërkojmë nga qeveria të na japë para, por ajo të na krijojë mundësi për të na ndihmuar. Para viteve ‘90 Pallati i Kulturës ka pasur sallë ekspozitash kombëtare, etj, ishte qendër kulturore. Por sot nuk ka më ambiente aty për ne, janë të shituar ose të dhëna me qera. Piktorët enden se ku të gjejnë vend, që të hapin një ekspozitë. Në vend ti ndihmosh artistët, të krijosh mundësi, por shteti nuk krijon. Jetë artistike nuk ka, është e trishtë.
Intervistoi: Julia Vrapi
/Agjensia e Lajmeve Sot News/