Muzeu Arkeologjik Durrës vazhdon mirëmbajtjen e koleksioneve muzeale

Në muzeun Arkeologjik në Durrës nuk ka ndalur për asnjë moment puna për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Në muzeun më të madh arkeologjik në Shqipëri ruhen objekte arkeologjike të prehistorisë, periudhës arkaike dhe asaj të antikitetit.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, tha se “ndonëse po kalojmë ditë të vështira, puna për ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore nuk ka ndalur për asnjë moment. Punonjësit dhe restauruesit e Qendrës Muzeore Durrës janë përfshirë në procesin e pastrimit dhe mirëmbajtjes së koleksioneve muzeale dhe të të gjitha objekteve të trashëgimisë”.

“Shpresoj që në sezonin e ardhshëm, skulptura e rrallë e Geas, perëndeshës së Tokës, që po i nënshtrohet pastrimit, të presë e të përcjellë vizitorë në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, por edhe në destinacionet e shumta kulturore të këtij qyteti-port”, tha Margariti.

Muzeu i parë arkeologjik në Durrës është hapur më 13 mars të vitit 1951. Ishte nisma e intelektualit Vangjel Toçi, i cili deri në atë kohë ishte bërë mjaft i njohur në Durrës edhe si krijuesi i bibliotekës së qytetit më 10 shtator 1945 dhe që vendosi në eksponatet e muzeut të ri koleksionin e objekteve që kishte mbledhur me shumë kujdes dhe me mbështetjen e dhjetëra qytetarëve durrsakë.

Edhe projekti i muzeut aktual lidhet me emrin e arkeologut Vangjel Toçi. Planet për ndërtimin kishin nisur që në fillim të viteve 1980, por dalja e tij në pension dhe përkeqësimi i buxhetit financiar të shtetit e shtynë për një kohë mjaft të gjatë realizimin e tij.

Pas restaurimit dhe çeljes për publikun më 2015, vetëm në katin e parë të godinës janë riekspozuar rreth 2100 objekte, që i përkasin periudhës para themelimit të qytetit, deri në shekullin e 4-t pas erës sonë./atsh