Muzeu hebraik – afirmim i rrëfimit shqiptar për hebrenjtë

Rabini Yisroel Finman po vazhdon përpjekjet për hapjen e muzeut hebraik në Tiranë

Është vetëm një nga shtëpitë tiranase që ka brenda vetes një histori fisnikërie. Në kohën kur qielli në Evropë po errësohej nga retë e luftës dhe të shfarosjes, mikpritja shqiptare do të hapte dyert për qindra familje hebraike. Një e tillë që bëri konak për të persekutuarit që ndiqeshin në çdo cep të Evropës së para shtatë dekadash ishte edhe ajo e familjes Hoxha në Tiranë. Por nxjerrja e saj në shitje nga pronari i saj, Rexhep Hoxha, ka ngritur shqetësimin për asgjësimin e një kujtese të veçantë historike.

Rexhep Hoxha kishte qenë fare i ri kur i ati i tij, Rifati, kishte strehuar për gjashtë muaj një familje hebraike nga Bullgaria.

Vitet do të rrokulliseshin njëri pas tjetrit dhe vendi do të izolohej gjithnjë e më rreptë nga regjimi i Enver Hoxhës.

Në kohën kur Shqipëria u shpall shteti i parë ateist në botë, i ati i “pëshpëriti” një të fshehtë në formë amaneti: në shtëpinë e tyre ndodheshin edhe tre libra të shenjtë lutjesh, që refugjatët hebrenj i kishin harruar.

Historia e kthimit të këtyre librave në Izrael, mu te pasardhësit e atyre refugjatëve që kishin gjetur strehë në bujarinë e familjes Hoxha, ishte bërë boshti i filmit dokumentar të vitit 2012 “Besa, The Promise”, nën regjinë e Rachel Goslins.

E Rexhep Hoxha, menjëherë pas nxjerrjes së shtëpisë në shitje, është kontaktuar nga rabini Yisroel Finman.

“Ai paraqiti interes që shtëpia të kthehej si pjesë e qendrës ‘Besa’”, ka treguar Hoxha për “kohën”. Pa e pasur ende një ide se si do të duket projekti i rabinit, ai menjëherë ka nisur përgatitjen e një dosjeje me informacione për shtëpinë që bëri histori në kohërat më të pazakonta.

Kurse vetë Finman është në hall me fatin e shtëpisë Hoxha, si një nga dy ndërtesat tiranase ende në këmbë, që ruan historinë e përgjigjes shqiptare ndaj Holokaustit. Megjithatë, kthimi i saj në muze dhe mjedis për qendrën “Besa & Shalom” nuk po shihet e përshtatshme për shkak të vendit të vogël.