Muzeu i njohur mendon ‘të shesë’ kryeveprën që të mbijetojë

Është një nga muzetë më të njohur në Londër dhe në Britaninë e Madhe, një emër me peshë në artin bashkëkohor evropian.

Por në kohë pandemie, edhe një emër aristokrat mund të përballet me vështirësitë e një familje modeste, që duhet të shesë objektet e çmuara të trashëguara nga të parët, për të mbijetuar, transmeton ‘alsat m’. E njëjta gjë po i ndodh në këtë periudhë Royal Academy, muzeut që ndodhet në një nga zonat më prestigjioze të kryeqytetit britanik, por që prej muajsh pas rihapjes ka mbetur praktikisht i boshatisur nga mungesa e flukseve turistike dhe prioriteteve të reja të anglezëve, që gjithmonë e më shumë punojnë në shtëpi për shkak të frikës nga COVID-19.

Edhe pse jo zyrtarisht, burime në këshillin drejtues të muzeut kanë përhapur lajmin se po mendohet për shitjen e një prej veprave të saj. Jo një vepër si të tjerat, por një nga kryeveprat e Michelangelos. Bëhet fjalë për veprën e quajtur Tondo Taddei, skulptura në formë basorelievi e mjeshtrit italian të Rilindjes.