“Muzeu i pafajësisë” nga Orhan Pamuk: Dashuri apo obsesion?

Orhan Pamuk në "Muzeun e Pafajësisë"

Shkruan: Martire Bekteshi-Osmani

Romani “Muzeu i pafajësisë”, i botuar në vitin 2008 nga shkrimtari turk dhe fituesi i Çmimit Nobel për Letërsi ne vitin 2006, Orhan Pamuk, është një vepër e thellë psikologjike që trajton dashurinë obsesive, melankolinë, kujtesën për të kaluarën dhe jetën elitare të Stambollit të viteve ’70. Përveç strukturës letrare dhe narrative të autorit, të cilin Pamuk e skalit në mënyrë të bukur, romani merr një formë unike si kurrë më parë përmes ekzistencës së muzeut real në Stamboll, ku objektet dhe ngjarjet e përmendura në libër marrin formë ontologjike. Në këtë formë personazhet dhe ngjarjet nuk mbesin vetëm narrativë dhe histori dashurie nga autori, por ato fitojnë peshë ekzistenciale të lexuesi, sidomos kur vizitohet ky muze dhe secili objekt të kthen në kohën e viteve 1970.

Libri nis me kapitullin: “Ishte momenti më i lumtur i jetës sime, edhe pse nuk e dija.” Që nga leximi i titullit, lexuesi sheh përmes një lente të së kaluarës së personazhit, me shumë pendime por edhe momente domethënëse. Pamuk vendos në qendër të tregimit një biznesmen të njohur dhe të pasur nga Stambolli, Kemalin, i cili bën një jetë perëndimore dhe rrethohet nga miq të pasur dhe të shkolluar mirë në Evropë. Jeta e Kemalit duket e caktuar: brenda disa muajve ai do të fejohet me një vajzë të bukur dhe të shkolluar në Paris, Sibelin.

Për Kemalin, jeta merr një kthesë jashtëzakonisht ndryshe kur një ditë ai takon Füsunin, kushërirën e tij të largët, një vajzë të re dhe të bukur nga një familje më modeste dhe jo shumë e pasur. Füsuni punon si shitëse në një dyqan çantash dhe ëndërron të fitojë një vend më të respektuar në shoqëri. Ky takim sjell një polarizim të klasave shoqërore, mes modernizimit perëndimor dhe traditave konservatore.

Takimi i tyre fillon me blerjen e një çante për Sibelin në dyqanin ku punonte Füsuni; çdo takim tjetër shërben si pretekst për Kemalin për të parë Füsunin, deri në momentin kur ajo pranon të bëhet dashnorja e tij. Në fillim, ndjenjat e Kemalit për Füsunin përzihen me kënaqësi, bukuri dhe pafajësi, dhe ai e trajton lidhjen pothuajse si një lojë, duke kontrolluar kohën, vendin (banesën Merhamet) dhe duke e mbajtur fshehtë nga të tjerët.

Në pamje të parë, ky kontroll nuk e rrezikon fejesën e tij me Sibelin; megjithatë, pas festës së fejesës gjithçka përmbyset. Füsuni ndalon së shkuari në banesën Merhamet dhe për Kemalin kjo mungesë shkakton anhedoni, ai nuk ndjen kënaqësi nga gjërat që zakonisht e gëzojnë, humb interesin për punë, bredh rrugëve të Stambollit dhe ndjehet i vetëm dhe i humbur edhe mes familjes dhe turmës së njerëzve.

Ai kupton se, përveç që donte thellësisht, obsesioni i tij u rrit, sepse humbja e saj shkaktoi depresion, ankth, braktisje dhe një boshllëk ekzistencial. Kemali ndihej i sigurt dhe i lumtur kur kishte kontroll mbi Füsunin; ajo gjithmonë vinte tek ai. Por kur Füsuni ndaloi së shkuari, ai u bë më i fiksuar pas saj. Ai fillon të mos shkojë në punë dhe të frekuentojë banesën Merhamet, e cila ishte strofulla e dashurisë së tyre.

Aty ai zhytet në kontemplim të thellë, duke u ngushëlluar me objektet e banesës dhe cigaret që kanë pirë së bashku, si dhe me vathin e humbur në formë fluture të Füsunit. Pas humbjes së Füsunit, ai kalon muaj dhe vite duke reflektuar mbi jetën dhe kujtimin për të. Füsuni nuk gjendej askund në Stamboll, dhe humbja e saj shkaktoi një depresion të thellë tek Kemali, sepse ai nuk humbi thjesht një grua, por kuptimin dhe drejtimin e jetës.

Sibeli, familja dhe shoqëria e Kemalit përpiqeshin ta ndihmonin. Pasi Kemali i tregon Sibelit për ndjenjat e tij ndaj Füsunit, ai përjeton një kataris emocional dhe prish fejesën. Nga ky moment fillon kërkimi i Füsunit, duke ecur rrugëve të Stambollit, deri në një pikë ku ai fillon të frekuentojë lagjet e vjetra dhe të varfra të qytetit. Gjatë këtij frekuentimi sheh jetën e popullit të varfër dhe, për herë të parë, largohet nga restorantet e shtrenjta dhe luksi.

Shtatë vite pa e parë Füsunin çojnë Kemalin në derealizim, ku krijon një botë tjetër, Muzeun, ku kapet pas objekteve që Füsuni ka prekur dhe cigareve që kanë pirë së bashku, për të rikrijuar realitetin e humbur dhe si ngushëllim për veten. Pas shtatë viteve në agoninë e tij, jeta e Kemalit merr një kthesë pozitive kur merr një letër nga Füsuni, që e fton për darkë. Ai shkon dhe i kthen vathin e humbur, duke i treguar se mendja e tij ka qenë gjithmonë tek ajo. Ajo çka e prish linearitetin e pritjes të Kemalit eshtë se Fusuni nuk eshtë me ajo e vjetra. E lënduar nga fejesa e Kemalit, ka vuajtur dhe eshtë rritur duke arritur nje pjekuri të lartë psikologjike, Füsuni ka luftuar shumë për të fituar vendin e saj në shoqëri, por ka përjetuar tradhti dhe pengesa nga bashkëshorti dhe sistemi patriarkal i kohës.

Edhe pas divorcit dhe pamundësisë për të ndërtuar një karrierë si aktore, dyshimet dhe kujtimet për Kemalin mbeten të pranishme. Edhe Kemali, në heshtje dhe thellë brenda vetes, nuk e mbështet idenë e Füsunit për t’u bërë yll kinemaje. Kjo ngre një pikëpyetje: a është Kemali xheloz për bukurinë e saj, apo është në dijeni të moralit të dyfishtë të meshkujve të privilegjuar? Obsesioni i Kemalit me objektet dhe grumbullimi i tyre në banesën Merhamet e ndryshojnë rrjedhën psikologjike të romanit. Ai i sheh këto objekte si personifikim të së kaluarës dhe të kujtimeve të një dashurie të madhe. Por a është kjo dashuri apo obsesion?

Füsuni ka arritur një pjekuri psikologjike dhe pranimin e vuajtjeve të saj, ndërsa Kemali mbetet i fiksuar pas vajzës naive dhe të brishtë. Në kujtimet e tij melankolike dhe në objektet si cigaret, vathët dhe kapëset e flokëve, ai mbyll një dashuri të pamundur dhe obsesive, duke idealizuar Füsunin e bukur dhe të brishtë.

Sipas mendimit tim, Kemali dhe Füsuni në fillim të lidhjes së tyre janë si dy magnetë që tërhiqen fuqishëm, por me kalimin e kohës shndërrohen në dy pole që vetëm sa e lëndojnë njëri-tjetrin gjithnjë e më shumë. Në përfundim, dashuria e Kemalit humbet pafajësinë kur, në vend që të kuptojë Füsunin, ai vendos ta mbyll kujtimin për të në një muze.

Muzeu nuk është thjesht një hapësirë fizike ai simbolizon përpjekjen e Kemalit për të ngrirë kohën dhe për të ruajtur pafajësinë e një dashurie që kurrë nuk u realizua. Ndërsa Füsuni ka kaluar përmes dhimbjes dhe ka fituar pjekuri dhe pranimin e realitetit, Kemali mbetet i ngecur në kujtime dhe obsesione, duke idealizuar një version të së kaluarës që nuk ekziston më. Mbledhja e sendeve që i përkisnin asaj personifikon dashurinë e tij obsesive dhe nostalgjike, ndërsa ndërtimi i muzeut idealizon në mënyrë poetike kujtimet e tyre.

Në fund, lexuesi mbetet me një pyetje të hapur: a është dashuria e Kemalit një ndjenjë e vërtetë, apo një obsesion që i ka zëvendësuar kujtimet me sende? Muzeu bëhet kështu një reflektim mbi kufijtë mes dashurisë, fiksimit dhe përpjekjes për të kapur të pakapshmen, duke lënë një ndjesi melankolie dhe empatie që qëndron gjatë në mendjen e lexuesit. Si perfundim dashuria e Kemalit humb pafajësinë kur në vend që të kuptoj Fusunin ai vendos ta mbyll kujtimin për të në një muze.

Öhringen Gjermani, 17 shkurt 2026

ObserverKult


Lexo edhe:

“Zemra prej gurgaci”, tregim nga Mërgim Bekteshi