Unë jam dhembja jote më e madhe,
guri që nuk ze myshk,
litari i këputur i psherëtimës.
Ti je dashuria ime
e bardhë si mjegulla e malit,
je shtegu e dritës në shinat e vetëtimës.
Unë jam pikëloti yt rrëshirë,
amanet i kaltër Rozafe,
pengu i mallit të pashuar.
Ti je orteku im i ëndrrës
në syrin e çdo nate,
je fryma ime e mërguar.
Unë jam shkalla e thyer
në pemën e viteve të tua
ku fluturat endin krahët e ylberta.
Ti, je dielli
që më jep rreze hua
dhe dritën ku dehet e vërteta.
Ne të dy kemi lindur
në stinën e zjarrit
ndaj i ngjajmë aq shumë flakëve.
Ti, me puthjet si bleta mbi petale,
unë në detin e trazuar
varkë mes valles së dallgëve!