Namik Doklen me poliedrikun Moikom Zeqo e bashkon gati një gjysmëshekulli miqësi.
Shkrimtari dhe politikani rrëfen miqësinë me Zeqon prej vitit ’73, kur ai u dënua në Plenumin e Katërt, kontributin e tij në Partinë Socialiste, si dhe komunikimet me të. Ai flet edhe për Zeqon si poet dhe çfarë e dallon atë nga Kadare, Agolli apo Fatos Arapi.
– Zoti Dokle, mik, koleg dhe bashkudhëtar në shumë nisma politike, letrare apo shoqërore me eruditin Moikom Zeqo. Si jeni njohur me të?
– Jeni njohur me të në vitin 1973, një vit më pas, pas Plenumit të Katërt, ai u dërgua për në Rrogozhinë. Sa në brendësi të kësaj ngjarje jeni?
– Kujtoj se asokohe, bashkë me një grup poetësh të rinj, poezitë e të cilëve u konsideruan si hermetike, e kapi fshikulli i atij Plenumi. Mirëpo, ai asnjëherë nuk u trondit. Nuk shiti asgjë nga vlerat e asaj që paraqiste si poet, por edhe si njeri. Pavarësisht dënimeve dhe fshikullave që iu dhanë, ai vazhdoi rrugën e tij. Endrrën e tij të madhe për të bërë diçka me vlerë.
E gjithë jeta e Moikom Zeqos është vepra e tij. Dhe vepra e tij mbetet një vlerë e madhe kombëtare, sepse Moikom Zeqo ishte një enciklopedi e gjallë, një intelektual poliedrik. Nëse mua do më thoshte dikush të thosha një emër të një intelektuali poliedrik shqiptar, unë do përmendja pa hezitim emrin e Moikom Zeqos, qoftë në fushën e mendimit politik, shoqëror, historisë së artit, letërsisë apo të shkencave të tjera, që kanë të bëjnë me veprimtarinë shkencore të njerëzimit.
– Ka qenë gjithashtu edhe një nga përpiluesit e programit të Partisë Socialiste. Si e shikoni kontributin e këtij në këtë aspekt?
– Është e vërtetë. Me Moikomin kemi diskutuar shumë herë, si përpara themelimit të Partisë Socialiste, ashtu edhe pas themelimit të saj. Ai ishte një nga frymëzuesit e themelimit të kësaj partie. Vlen këtu të përmendet impakti i fjalimit të tij në Kongres, i cili ishte sa frymëzues, aq edhe tronditës. Frymëzues, për vizionin që ai kishte për të ardhmen e Partisë Socialiste për misionin e saj.
Fjalimet e tij ishin vërtet të rralla, frymëzuese dhe për një vizion të Partisë Socialiste qenë edhe ato të Dritëro Agollit dhe Leontiev Çuçit, qoftë për zhvillimet ekonomike në Shqipëri, ashtu edhe për aspekte të tjera. Mirëpo, Moikom Zeqo mbetet vizionar për rolin e tij brenda PS-së, qoftë kur ishte deputet, ministër Kulture, ashtu edhe jashtë këtyre posteve politike. Kjo, sepse për të politika ishte një mision, që përjashtonte interesat e vogla apo sjelljen e lëkundur të politikanëve të sotëm. Për Moikom Zeqon, politika ishte një mision kombëtar.
Interesi i tij, siç ju thatë, i kapërcente çështjet e shtetit shqiptar. Përpjekjet e tij përfshinin në një kontest më të gjerë kombin…
Moikomi u angazhua në të gjitha çështjet me rëndësi të lëvizjes kombëtare, në të gjitha trojet e banuara nga shqiptarë. Për këtë qëndrimin të tijin, madje, kujtoj se duke u kthyer nga një konferencë ku kishte folur për çështjet kombëtare shqiptare, ai u arrestua në Mal të Zi. Më tej, me ndërhyrjen e shtetit shqiptar, u bë e mundur të mos mbahej për shumë kohë. Mirëpo, jo vetëm në politikë, e gjithë veprimtarinë e tij, në letërsi, histori, filozofi, arkeologji etj., lidhet nga “një fill i kuq”, që është ndjenja kombëtare dhe interesat e kombit shqiptar.
– Pavarësisht këtij angazhimi masiv të tijin, në vitin 1996 ai largohet. Siç do të tregonte më vonë, ky do të ishte vullneti i Fatos Nanos, asokohe kreu i PS-së. E ka ndarë me ju zhgënjimin nga e gjithë kjo?
– Në politikë, si brenda e jashtë saj, ka edhe zhgënjime. Për zhgënjimet e Moikomit, që hera-herës kanë qenë të përbashkëta, edhe unë ndihem i keqardhur.
– Kaluam edhe një periudhë vetizolimi prej pandemisë… Si e kujtoni në bisedat e kohëve të fundit? Si ka qenë kontakti i fundit që keni pasur me të?
– Gjatë këtyre muajve izolim, kemi komunikuar shpesh. Deri 10 ditë para se të shtrohej, dukej mirë me shëndet dhe ishte shumë i angazhuar. Më përsëriste me entuziazëm: “Po punoj librin tim të jetës”. Ishte shumë i gëzuar për këtë, derisa papritur një ditë më lajmëron për shtrimin në spital. Ditët e para ka qenë në një gjendje mjaft të rënduar. Ka pasur temperaturë dhe ishte i rënë moralisht. Kontaktin e fundit me Moikomin e kam pasur një ditë para se të ndërronte jetë. Kishim biseduar dhe herë të tjera, edhe kur qe shtruar në spital, por një ditë para se të shuhej, u gëzova pasi më tha se ishte më mirë. Me sa duket, ka qenë një mashtrim i vdekjes, jo vetëm Moikomin, por edhe për ne miqtë e tij. Deri sa, në orën 4 e 59 minuta, bashkëshortja Lida, na njoftoi se “Moikomi na la”.
– Një nga shqetësimet e tij ishte fati i krijimtarisë së tij letrare. Qoftë edhe për nivelin e lartë të veprave, a do të mund të arrinin te lexuesi. Sa e ka ndarë me ju këtë?
– Libri, siç e dimë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe gjetkë, me zhvillimin e teknologjisë, has shumë pengesa, pasi vështirësohet rruga për te lexuesi. Në këtë pikëpamje, shqetësimi i Moikomit nuk ishte vetëm për librat e tij, por për raportin midis librit në përgjithësi dhe lexuesit. Në këtë kontekst, ishte një shqetësim legjitim i Moikomit dhe si i çdo shkrimtari tjetër. Për sa i përket asaj që ju theksuat, nga pikëpamja e nivelit, poezia e Moikomit është e një niveli vërtet të lartë, pasi është e mbështetur në metaforë. Natyrisht, Shqipëria ka poetë të mëdhenj dhe mund të përmendja këtu Dritëro Agollin, Ismail Kadarenë, Fatos Arapin e shumë të tjerë. Por ajo që e dallon poezinë e Moikomit është metafora, një metaforë e fuqishme, poetike, filozofike, shpeshherë edhe tronditëse.
ObserverKult
Lexo edhe:
KJO ISHTE INTERVISTA E FUNDIT E MOIKOM ZEQOS, JA ÇKA KISHTE THËNË