Nga: Ada Halilaj
Nana jeme ka veç 8 vite shkollë, nuk flet gjuhë të huaja, nuk përdor fjalë të vështira, nuk ka udhëtu botën, nuk ndigjon muzikë klasike, nuk përdor buzëkuq, por asht gruaja ma e bukur, ma inteligjente, ma e mprehtë, ma ironike, ma e drejtëpërdrejtë e ma e fortë që sytë e mi kanë pa.
Nana jeme, sikurse baba jem, bijë malësore, me dialektin e saj tipik, me dashninë për çiftelinë, për natyrën, për kafshët, për shtëpitë private me oborr e kopësht perimesh, më ka mësu që s’ka randësi prej ku vjen, në cilën fe beson, çfarë ngjyre e ke lëkurën, çfarë mbiemni mban, fëmija i kujt je, sa lek ke në xhep e sa diploma të varen në mur, sepse ajo që vlen, që nuk blehet e nuk tregtohet me asgja tjetër, asht njeriu që je, njeriu që zgjedh me kenë dita-ditës, njeriu që ndërton dita-ditës, njeriu që vendos me qëndru i drejtë, i ndershëm e andrrimtar pavarësisht opinionit, pavarësisht turmës, pavarësisht thikave mbas shpinde e dyerve të shkapetuna në fytyrë.
Nana jeme nuk e din ça asht feminizmi, por mu e vllanë tem na ka rrit njësoj, na ka eduku njësoj, na ka udhëzu njësoj, na ka vu të njajtat orare, të njajtat kufizime, e na ka dhanë njajtat mundësi. Na ka mësu e na mëson që turpi nuk asht pronë as e burrave e as e grave e që turp nuk duhet me pasë kur ke gjyshat në fshat, kur nuk ke familjen e përsosun, kur s’ke trupin e përsosun, kur s’ke shtëpinë e përsosun apo mundësinë ekonomike me ble rroba të shtrenjta, makinë të shtrenjtë e me ba pushime të shtrenjta por turp asht me iu përkul të keqes, me iu ba shërbëtor padrejtësisë e me i trajtu të tjerët simbas interesit e jo simbas meritës.
Nana jeme nuk ushtron ndonji profesion, nuk ka ba karrierë, nuk ka pru në shtëpi një rrogë mujore, por falë saj kam kuptu që me kenë shtëpijake për zgjedhje, nuk don me thanë me kenë e dëshpërume, e zhgënjyme, e pazonja apo e nënshtrume por thjesht një njeri që punon ndryshe, që kontribuon ndryshe, që lufton ndryshe, që lumturinë e mendon ndryshe e që meriton të njajtin respekt si çdo njeri tjetër në këtë botë, që nga punëtorët e tokës e deri te mjeshtrat e informatikës.
Nana jeme ndihet e përmbushun që asht nanë, bashkëshorte e gjyshe, po kurrë, n’asnjë moment të jetës teme, nuk ka provu me e veshë mendjen teme me bindjet e saj. Kurrë nuk asht përpjek me e ba jetën teme, rrugën teme, një vazhdim të jetës dhe rrugës së saj. Më ka lanë me kaq bujari e kujdes me kenë gruaja që jam, me ba gabimet e mia, me tregu historitë e mia, me luftu betejat e mia.
Nana jeme më ka mësu me rregullu shtratin, me hekurosë rrobat, me sistemu raftin në mënyrë maniakale, me të njajtin pasion që më ka mësu me kenë e pavarun, me udhëtu, me u ba kurioze për jetën, me dashtë vedin, me ndjek dritën teme e me kenë fort krenare për çdo arritje sado të vogël, sado të padukshme, sado të parandsishme për botën.
Nana jeme ka lexu pak libra, ka pa pak filma e nuk i pëlqen as teatri e as ekspozitat fotografike por lexon e rilexon e rilexon gjithçka temen me mahnitje e mallëngjim, më ka pru bukën në shtrat kur unë nuk arrisha me iu shkëputë librave, më ndigjon me vëmendje e kureshtje sa herë i tregoj filmat që shoh në kinema, më ka përcjellë me durim e dashni në kurse, gara recitimi, prezantime librash e konkurse letrare.
Me ka ndjekë në tana aventurat e mia, i ka besu gjithmonë fjalës teme, më ka mbrojtë pa m’i fsheh rreziqet, më ka thanë “jo” pa m’i kursy arsyet e nuk ka prit kurrë prej meje asgja tjetër përveç shëndetit tem e lumturisë teme.
Nana jeme më ka ba me u ndi fëmijë i veçantë, njeri i veçantë, grua e lirë e falë kësaj “shkolle” brenda mureve të shtëpisë, s’kam dyshu asnjëherë në forcën teme, në kapacitetin tem, në vlerën teme jashtë mureve të shtëpisë.
Nana jeme nuk asht e jashtëzakonshme, por asht nana jeme, gjaku jem, dielli jem, shpia jeme, era jeme, pika jeme e dobët e shembulli jem i fortë… asht e jemja, e jemja pasuni.
E sot mbush 60 vjeç e asht ma e bukur se kurrë, ma e qeshun se kurrë, ma e plotë se kurrë. Bota jeme, bota që kam fillu me të, sot mbush 60 vjeç e ditëlindja e saj më ban me u ndi kaq mirënjohëse, kaq me fat, kaq në paqe me vedin e me tanë botën rreth meje !
ObserverKult
Lexo edhe:
ADA HALILAJ: S’KAM FRIKË NGA BURRAT E EGËR QË E QUAJNË VETEN ZOT!