Disa ditë pasi Agron Tufa ka nxjerrë dokumente që tregojne se shkrimtari Nasho Jorgaqi ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, institucioni famëkeq përgjegjës për qindra arrestime gjatë regjimit Komunist, vetë shkrimtari nuk i është përgjigjur kërkesave të medias për të folur.
Kritiku Agim Baçi ndalet te raporti i shkrimtarëve me shtypjen duke shprehur trishtimin e madh që në tri dekada asgjë nuk ka ndryshuar.
“Mua më vjen keq që në kaq kohë, nuk ka kërkuar njeri falje dhe askush nuk është penduar, por mbi të gjitha, letërsia ka pasur një bashkëpunim kriminal me diktaturën”.
Për Baçin, më shumë se sa dokumentet e Tufës që tregojne se Jorgaqi ka qenë bashkëpunëtor, mëkat në përmasat e krimit, është vepra e tij më e njohur letrare.
“Autori e sheh si krenari ‘Mërgatën e qyqeve’. Dhe ne nuk mund të themi ta ndalojmë, se librat nuk ndalohet, por duhet urgjent debat për vepra si kjo. Autori vetë e ka pranuar që ai libër u shkrua në bodrumet e Sigurimit”- thotë Agim Baçi.
Vepra e botuar në vitet 1970 i referohet mërgatës shqiptare dhe mbështetësve të mbretit Zog, ndërsa hero i pjesës është një zbulues i Sigurimit të shtetit. Pas debateve që ka pasur autori me mërgatën pas 1990-ës, është shprehur se nuk është penduar që ka shkruar veprën.
Në kuadër të festivalit të letërsisë mbajtur nga Qendra e Librit, Agim Baçi dhe Jonila Godole do të flasin për Totalitarizmin në letërsi, këtë të premte te Reja./BW