
Atë ditë Nasradini kishte dalë në pazar. Teksa bridhte lart e poshtë duke psonisur, në një moment i vjen një e goditur shuplake pas qafe, nga e cila sytë i lëshuan xixa. Menjëherë u kthye pas, i gatshëm ti hidhet në fyt personit që e kishte goditur.
Por, tjetri i tha menjëherë:”Pash Zotin më fal se mu duke si filani!”
Nasradini e mbajti veten, por nuk ia pranoi kërkesën për falje dhe insistoi të shkojnë tek gjykatësi, gjë të cilën tjetri e refuzoi. Kur zërat e tyre u ngritën si shumë, njerëzit i nxitën që të shkojnë tek gjykatësi dhe t’i japin fund konfliktit.
Të dy vajtën tek gjykatësi, i cili rastisi një i njohuri i të akuzuarit.
Pasi gjykatësi e dëgjoi ankesën dhe akuzën e Nasradinit, ia bën me sy të njohurit, si shenjë që të mos mërzitej se do e nxirrte nga ai hall. Më në fund, gjykatësi jep vendimin e tij përfundimtar, sipas të cilit:
Dëmtuesi duhet t’i paguante njëzet napolona flori palës së dëmtuar.
I akuzuari brofi në këmbë dhe i tha:”Po unë nuk i kam me vete njëzet napolona flori!”
Gjykatësi, duke i shkelur syrin, i tha:”Shko dhe silli tani! Ndërkohë Nasradini të pret këtu!”
I akuzuari u largua, ndërkohë që Nasradini po priste bashkë me gjykatësin.
Kaluan orë të tëra dhe i akuzuari nuk dukej gjëkundi.
Këtu, Nastradini e kuptoi hilenë, sidomos kur iu kujtua e shkelura e syrit të gjykatësit. “Ik dhe mos u kthe” kishte qenë mesazhi.
Po çfarë të bënte?
U ngrit në këmbë dhe ia mbështjell me një shuplakë turinjve gjykatësit, nga e cila i fluturoi në ajër edhe kapela.
“Nëse vjen miku yt, ti gëzofsh njëzet napolonat e floririt zotrote!” i tha dhe u largua.
Përktheu: Elmaz Fida
ObserverKult
lexo edhe:





