Natasha Kandiq nderohet me “Çelësin e Qytetit”/ Halimi: Nga zemrat e mëdha dhe mendjet e ndritura shkruhet fati i popujve

Aktivistja e njohur serbe për të Drejtat e Njeriut, Natasha Kandiq, është nderuar nga Komuna e Prishtinës me “Çelësin e Qytetit”.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i dorëzoi Kandiqit këtë çmim si shenjë mirënjohjeje për angazhimin e saj në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe për përkushtimin ndaj drejtësisë, të vërtetës dhe pajtimit.

Gjatë ceremonisë së ndarjes së këtij nderimi, Rama vlerësoi lart figurën e Kandiq, duke theksuar se ajo ka kaluar mbi tri dekada duke dokumentuar krimet e luftës dhe duke punuar për t’i sjellë kriminelët para drejtësisë. Ai tha se ky akt simbolik është shprehje e falënderimit të Prishtinës për përkushtimin e saj ndaj së vërtetës dhe drejtësisë.

Në fjalën e saj, aktivistja Natasha Kandiq tha se ndihet e nderuar me këtë vlerësim nga Prishtina.

“Të gjithë e dimë se çfarë ndodhi më 27 prill, të gjithë kemi ndërmarrë veprime për të zbuluar krimet që ndodhën. Dita e sotme është për të përkujtuar viktimat dhe për të mbajtur lule për ta. Kam menduar shumë për këtë moment, dhe jam e nderuar ta marrë Çelësin e Qytetit të Prishtinës,” u shpreh Kandiq.

Ndërkohë, drejtoresha për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, vlerësoi lart kontributin e saj.

“Nga zemrat e mëdha dhe mendjet e ndritura shkruhet fati i popujve. Natasha Kandiq iu dhurua Çelësi i Qytetit! Ajo që me dinjitet, dije dhe shpirt të madh i hapi vetes dyert e zemrave të një populli!”, ka shkruar Halimi.

ObserverKult


Lexo edhe:

SIBEL HALIMI: CIKËL HISTORIE