Nazim Hikmet: Letër gruas

Nazim Hikmet
Nazim Hikmet

Poezi nga Nazim Hikmet

E vetmja ime!
Në të fundit letrën tënde:
“Më dhemb koka,
zemrën e kam rrëmujë”
më thua.
“Sikur të të varin,
sikur të të humb”,
thua,
“s’jetoj dot”!

Jeton, gruaja ime e dashur,
si një tym i zi do ndahet
kujtimi im në erë,
jeton, flokëkuqja e zemrës sime,
e shumta një vit zgjat dhimbja e vdekjes
në shekullin e njëzetë.

Vdekja.
Një i vdekur varur në litar,
kjo vdekje, s’di pse
shpirtit tim s`i shkon për mbarë.

Por ji e sigurt e dashur
Nëse dora e zezë si një merimangë tërë qime
e një arixhiu të mjerë
do më hedhë litarin e përfundimit,
Do shohin me kot se s’do ta gjejnë,
frikën në sytë e kaltër të Nazimit.

Unë,
Në errësiren e purpurt të vjeshtës,
shokët dhe ty do vështroj,
dhe vetëm një dhimbje-këngë të mbetur gjysmë,
dheut do ti çoj.

Gruaja ime!
Zemërmira!
Florilyera!
Bleta ime me sy ngjyrë mjalti:
Përse të shkrova ty,
se kërkojnë të më varin?

Gjyqi është veç hapi i parë,
Dhe si bostan kokën menjëherë
s’ta marrin.

Eja, lëri këto,
kjo është veç një e largët mundësi,
Po pate para më blij një palë brekë
fanellate e mi sill.

Se më zuri prapë këmbën
shijatiku, i flamosuri.

Dhe mos harro:
Veç gjëra të mira duhet të mendojë
gruaja e një të burgosuri!

Përktheu: Alban Tartari

ObserverKult

————————————————

Lexo edhe:

NAZIM HIKMET: PSE U VONOVE KAQ SHUMË?

Ditët sa vijnë e bëhen më të shkurtra,
shirat janë në udhë e sipër.
Dera ime, hapur dykanatash,
të priste ty.
Pse u vonove kaq shumë?
Në sofrën time, speca të gjelbër, kripë, bukë.
E piva gjysmën e verës
që mbloja për ty në një kanë,
i vetëm,
duke të pritur.

Poezinë e plotë e gjeni KETU

ObserverKult