Ndahen çmimet kombëtare në Letërsi/Margariti: Vit me prodhim të pasur letrar

Ndahen çmimet kombëtare të Letërsisë. Aktiviteti i zhvilluar nxorri fituesit për vitin 2019.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, ishte e pranishme në ndarjen e çmimeve në ceremoninë e zhvilluar në Tiranë tek “Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit”

“Sot ndamë Çmimet Kombëtare të Letërsisë për vitin 2019. Një vit, që do të mbyllej me një tragjedi, atë të tërmetit, por për nga prodhimi letrar ka qenë me të vërtetë i pasur. Do të doja të falenderoja çdonjërin prej shkrimtarëve, poetëve, studiuesve, përkthyesve dhe cilindo që ka zgjedhur rrugën e shkrimtarisë, një rrugë e gjatë, gati vetësakrifikuese”,- bëri me dije Margariti.

Në kuadër të konkursit “Çmimet Kombëtare të Letërsisë 2019”, fitues janë: Romani më i mirë 2019, “Diktatori në kryq”, Mira Meksi; Përkthimi më i mirë 2019, “Iliada” Llambro Ruci; Vepra studimore më e mirë 2019, “Arbërishtja në rrjedhë të shekujve”, Matteo Mandala; Përmbledhja me tregime më e mirë 2019, “Mikrobus”, Romeo Çollaku; Vëllimi poetik më i mirë 2019, “Shtjellë reje, shtjellë zjarri”, Alisa Velaj; Letërsia për fëmijë më e mirë 2019, “Kartolina e zileve”, Shkëlzen Zalli”./ATSH