
U nda nga jeta akademiku dhe ish-kryetari i parë i Prishtinës pas luftës, Salih Gashi, një figurë e njohur e jetës akademike dhe politike në Kosovë.
Lajmi për vdekjen e tij është bërë i ditur nga kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, i cili përmes një postimi ka shprehur ngushëllime dhe ka theksuar rëndësinë e kontributit të Gashit në ndërtimin e institucioneve dhe zhvillimin e kryeqytetit në një periudhë të vështirë.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të akademikut Salih Gashi – kryetarit të parë të Prishtinës pas luftës nga radhët e LDK-së dhe profesor i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës”, ka shkruar Rama, duke shprehur ngushëllime për familjen, miqtë, bashkëpunëtorët, komunitetin akademik dhe gjithë qytetarët e Prishtinës.

Biografia e Salih Gashi
Salih T. Gashi u lind më 1944 në fshatin Baran të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Pejë. Në vitin 1962 u regjistrua në degën e kimisë të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore (FSHMN) në Prishtinë dhe pas vitit të dytë vazhdoi studimet në Universitetin e Beogradit, ku u diplomua në vitin 1966.
Pas përfundimit të studimeve punoi në Kombinatin Trepça, Minierat dhe Flotacioni në Kishnicë dhe Novobërdë (Artanë), si udhëheqës i laboratorit të kimisë. Në vitin shkollor 1969/70 u regjistrua në studimet pasuniversitare në Fakultetin Teknologjik të Universitetit të Zagrebit, ku magjistroi në vitin 1971 me temën ”Studimi i fraksionimit të polistirenit”, ndërsa një vit më vonë u zgjodh asistent i kimisë fizike në degën e kimisë të FSHMN të Universitetit të Prishtinës.
Në vitin 1978 mbrojti tezën e doktoratës me titull “Hulumtimi i strukturës poroze të membranave të osmozës së kundërt dhe përdorimi i tyre për pastrimin e ujërave të ndotura” në Universitetin e Zagrebit. Po këtë vit u zgjodh docent për lëndën kimia fizike në FSHMN. Gjatë kësaj periudhe ka qenë në specializim në Universitetin e Bërnos dhe në Institutin ”Hidroprojekt“ (Bërno, ish-Çekosllovaki).
Në vitin 1979/80 ka vazhduar studimet e postdoktoratës në Departamentin e Kimisë të Universitetit të Aberdeenit (Britani e Madhe). Po këtë vit ka marrë mirënjohje për punën e suksesshme në FSHMN. Në vitin 1984 është zgjedhur profesor inordinar për lëndën kimia fizike në këtë fakultet.
Në vitin 1985 është ftuar profesor vizitor në Universitetin e Jenës dhe në Institutin e Makromolekulave të Akademisë së Shkencave të Berlinit dhe ka mbajtur ligjërata nga fusha e osmozës së kundërt (reverse). Gashi përgatiti për herë të parë membranat heterogjene të osmozës së kundërt në Universitetin e Prishtinës.
Në vitin 1988 u zgjodh anëtar i “European Society of Membrane Science and Technology”, ndërsa në vitin 1993 profesor ordinar në departamentin e kimisë në FSHMN. Po këtë vit u zgjodh kryeredaktor për botimin e teksteve të shkencave të natyrës në Universitetin e Prishtinës. Ka dhënë kontribut të çmuar në zhvillimin e katedrave të kimisë fizike në Universitetin e Prishtinës. Në vitet 2000-2002 u zgjodh kryetar i Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Më 2012 mori mirënjohje nga FSHMN dhe po atë vit u zgjodh anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Nga viti 2013 ishte anëtar i “ALLEA’s working group on Science Education”. Ishte anëtar korrespondent i “Euro Science Open Forum”. Në vitin 2017 u zgjodh kryeredaktor i revistës shkencore të ASHAK “Research-Kërkime”, teksa në dhjetor të vitit 2024 u zgjodh anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe e Arteve të Kosovës.
Salih Gashi la një trashëgimi të vyer shkencore, si pjesëmarrës në shumë projekte, autor ose bashkautor i mbi 50 punimeve shkencore nga fusha e kimisë fizike, të botuar në revista prestigjioze në vende të ndryshme të botës dhe pjesëmarrës po në aq konferenca dhe tubime shkencore, ku përfaqësoi Universitetin e Prishtinës dhe më pas Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Në respekt të jetës dhe të veprës së Salih Gashit, më 23 prill 2025, e mërkure, në orën 10:00, në ambientet e Akademisë do të mbahet mbledhje përkujtimore dhe më pas, deri në orën 11:30, do të bëhen homazhe.
ObserverKult
Lexo edhe: